Berisha: Premtim i mbajtur i qeverisë, do vazhdojnë projektet për zhvillimin e turizmit
Fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës Kthesa e Qarrit-Bishan-Poro-Bregdet
Në vijim, kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Kthesa e Qarrit -Bishan- Poro- Bregdet, me gjatësi 10.4 kilometra, gjerësi 6 metra dhe me vlerë investimi 190 milionë lekë. “Kjo rrugë piktoreske, e cila lidh dhe i jep dimensionin e detit dhe të turizmit kësaj zone të mrekullueshme, është një premtim i mbajtur i qeverisë për këtë zonë”, theksoi në fjalën e tij kryeminsitri Berisha. Rruga, financim i qeverisë shqiptare dhe bankave BERZH dhe BEI, do të bëjë përfitues mbi 20 mijë banorë të fshatrave të komunës Levan, por edhe të Fierit. Ajo do të lidhë qendrën e komunës dhe bregdetin e Pish Poros, me një infrastrukturë të re dhe bashkohore. Levani është tashmë një nyje e rëndësishme trafiku ku ndërthuren autostrada Levan – Vlorë, Levan – Tepelenë dhe tashmë dhe bregdeti Pish Poros. Në Levan janë ndërtuar edhe rrugët që e lidhin me Frakullën dhe Peshtanin e Vogël si dhe u asfaltua rruga me Fierin. Rruga e re parashikon të shkurtojë kohën e udhëtimit 3 herë krahasuar me atë përpara rikonstruksionit. Ajo do të nxisë zhvillimin e bujqësisë se kësaj zone, te njohur për prodhimet bujqësore si dhe do të zgjerojë turizmin. Bregdeti Pish Poros i njohur për bukuritë, natyrore veçanërisht për plazhet e veçanta, me përfundimin e rrugës do të mund të shfrytëzohet maksimalisht për turizëm. Infrastruktura e cila po plotësohet dita ditës, do të bëjë të frekuentueshëm dy plazhet në të dy anët e grykëderdhjes së Vjosës.