Kryeministri: Ata që ndërrojnë gratë për vota dhe shtetësira, e kanë të vështirë t’i bindin të tjerët

Berisha thirrje qytetarëve: Bashkohuni me ne për Shqipërinë e zhvilluar
“Pyeteni mamuthin e korrupsionit ç’të lidh me Gjirokastrën, përse nuk qëndrove në Sarandë, a ka edhe atje minoritare, apo se ata e kanë marrë vesh se ti je fals minoritar. Nuk shkoi dot në Sarandë se vodhi tallonat e akcizës së naftës të të gjithë qarkut dhe i kanë vënë vizë e vjen këtu”
Partia Demokratike përmbylli dje në Gjirokastër përmes një atmosfere festive, fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në fjalën e tij, kreu i PD dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha deklaroi se vinte në Gjirokastër pas inaugurimit të një prej kryeveprave të infrastrukturës, tunelin Tiranë - Elbasan dhe autostradën. “Sot, për herë të parë në jetën time, kam ardhur nga Elbasani në Levan për një orë e 4 minuta. Ky është vetëm fillimi, pasi rrugë të reja janë në proces ndërtimi, ndërsa rruga Levan -Memaliaj do të hapet shumë shpejt dhe në rrugën Memaliaj-Tepelenë po punohet me ritme të përshpejtuara” - u shpreh Berisha duke sjellë në vëmendje se me Partinë Demokratike Shqipëria do të ecë përpara drejt dijes bashkëkohore, me shkolla të reja, çerdhe dhe universitete. “Mesazhi i fitores më të thellë në 23 qershor ndihet kudo, pasi ju do të votoni për vazhdimin e projekteve, rritjen e e punësimit, rrogave dhe pensioneve. Në këto pak vite reformat që ndërmorëm bënë që Shqipëria të ruajë ritmet e rritjes ekonomike dhe në 4 vitet që vijnë me uljen e taksave dhe 3- fishimin e granteve për bujqësinë, ftesën për emigrantët që të vijnë e të investojnë për 5 vjet pa asnjë detyrim tatimor, do ta kthejnë vendin në nivelet më të larta të zhvillimit”- deklaroi Berisha. “Çdo votë e juaja është krenari e madhe për ne, është detyrim madhor për ne, për të vazhduar sëbashku projektet për Shqipërinë e zhvilluar atë”, u shpreh ai. Berisha e ka cilësuar kryeopozitarin si përçarësin më të madh të minoritetit dhe të paaftë që të bindë të tjerët me fjalët që thotë. Sipas kryeministrit, Rama ishte kundër integrimit, kundër vlerave familjare dhe kundër punës. “Këtu, Edi Rama u mor gjatë me Sali Berishën. Unë nuk kam ndërmend të merren me të, por para çdo njërit prej jush këtu, para çdo burri e gruaje, të reje e të riu, do t’i them tre gjëra. Së pari, Edi Rama, me qytetarët e këtij sheshi, shqiptarë, grekë, vllahë, romë, të çfarëdo kombësie që të jenë, më bashkon një ideal i madh, ideali i integrimit europian. Sëbashku me ta kemi vendosur firma të mëdha, në aktet madhore të integrimit të Shqipërisë, ndërsa t’i ke bërë gjithçka për të shkelmuar këtë interes jetik të këtyre qytetarëve. Edi Rama, me këto gra e burra të këtij sheshi, me banorët e Gjirokastrës dhe shqiptarët kudo ku janë më bashkon e më lidh besimi tek një vlerë e madhe, tek vlera e familjes sime, e familjes shqiptare, e cila është për mua, për çdo shqiptar një burim i pashtershëm energjie, frymëzimi, force, për të çuar përpara kauzën e drejtë, për të bërë gjithçka për një jetë më të mirë për vete, shqiptarët dhe Shqipërinë. Ndërsa ti zotëri, ti shoku mavi ke një rekord shumë të veçantë. Ti mund të flasësh shumë, por e vërteta është se për familjen, ata që ndërrojnë gratë për vota e shtetësi e kanë pak të vështirë t’i bindin të tjerët. Së treti, Edi Rama, me këta gra e burra këtu, këta të rinj e të moshuar, të lodhur e të fuqishëm, më bashkon një gjë tjetër e madhe, kemi vite që sëbashku punojmë për biznese më të mëdha, për rrugë më të mirë, për më shumë ujësjellës, për shkolla më moderne, për infrastrukturë më të mirë, për rroga më të larta. Të gjitha këto jo pa mundim, të gjitha këto duke djersirë nga mëngjesi deri në darkë vonë. Kurse ti, nga 365 ditë që ka viti, 270 ditë, të numëruara një e nga një, nuk ke dalë në zyrën e punës. Prandaj përpiqesh të mbjellësh vrer, zi, dëshpërim e zhgënjim. Të gjitha këto, probleme të shpirtit tënd, të psiqizmit tënd, por jo tonat. Për ne, burrat e gratë e punës, është djersa, është sakrifica e kënaqësia e saj, arritja e suksesi, besimi tek njëri-tjetri, tek Gjirokastra, tek Shqipëria, tek e ardhmja. Ndaj ju ftoj të vazhdojmë sëbashku, më 23 qershor të ecim drejt fitores, të ecim drejt mirëqenies, punësimit, të ardhmes. Pyetini ata të cilët vijnë këtu, të përzënë nga zona të tjera. Pyeteni mamuthin e korrupsionit ç’të lidh me Gjirokastrën, përse nuk qëndrove në Sarandë, a ka edhe atje minoritare, apo se ata e kanë marrë vesh se ti je fals minoritar. Nuk shkoi dot në Sarandë se vodhi tollonat e akcizës së naftës të të gjithë qarkut dhe i kanë vënë vizë e vjen këtu. Edi Rama, përçarësi më i madh i minoritetit. Po vëllezër, minoriteti duhet të jetë i bashkuar në interesat e tij më të mira, në rrugën e tij drejt prosperitetit, punësimit dhe integrimit.