Nyje e rëndësishme që do t’i shërbejë të gjithë Shqipërisë

Kryeministri Berisha përuron fillimin e punimeve për ndërtimin e By-pass-it të Fierit
Pas inaugurimit të tunelit të Krrabës dhe autostradës Elbasan – Tiranë, kryeministri Sali Berisha udhëtoi drejt Fierit, për të përuruar nisjen e punimeve për ndërtimin e By-pass të Fierit. Kryeministri tha se “ky By- pass që do t’i shërbejë Fierit, Vlorës, gjithë Shqipërisë, e kthen Fierin në një nga nyjet më nevralgjike për vendin”. Berisha vlerësoi tre përurimet e djeshme, autostradën Tiranë-Elbasan, rrugën piktoreske që zbret drejt bregdetit të Pishë Poros dhe këtë vepër të madhe. “Ky By- pass është një nga nyjet më nevralgjike, që lidh Fierin me Vlorën, autostradat aktuale Milot-Vlorë dhe së shpejti Shkodër-Vlorë”, tha Berisha. Kryeministri përmendi investimet e kryera deri sot, që në qarkun e Fierit arrijnë 700 milionë euro, në Vlorë 720 milionë euro dhe 1,4 miliardë euro për infrastrukturën rrugore, nga veriu në Konispol me rrugë nga të gjitha llojet e kategorive. Kryeministri tha se deri sot janë financuar në dy qarqet mijëra fermerë, janë mbjellë mijëra drufrutorë, serra, etj. “Në Fier dhe Vlorë në fushën e energjisë janë investuar mbi gjysëm miliardë euro dhe këto janë zhvillim. Ne po zhvillohemi”, tha Berisha. “Në 4 vitet e ardhshme, ritmet e zhvillimit do jenë shumë më të mëdha, kjo është alternativa jonë, e rrugëve të sigurta dhe të shpejtësive të mëdha”- tha Berisha, ndërsa përmendi të gjitha fushat ku qeveria rriti investimet këto katër vitet e fundit. Kryeministri iu drejtua edhe alternativës së opozitës, që sipas tij, “është alternativa tjetër e autobusit mavi, që kërkon të mohojë rrugët tuaja, shtëpitë, fermat, banesat tuaja, djersën tuaj, ambiciet, anëtarësimin në NATO, t’i fusë këto në thesin e Koços”, tha Berisha. Sipas kryeministrit, për adhuruesit e tjerë të Edi Ramës, në Shqipëri këto katër vite nuk kanë ndodhur asgjë e mirë, asgjë nuk është ndërtuar, sepse xhamat e zeza të autobusit mavi nuk lejojnë të shikohen këto. “Edi Rama përpiqet të mbjellë kudo dëshpërim, zhgënjim, përpiqet të mohojë çdo përpjekje tuajën për jetë më të mirë. Shqipëria që ju po ndërtoni për vete dhe fëmijët për një jetë më të mirë, sipas tij është e gënjeshtërt. E vërtetë ka qenë vetëm Shqipëria e etërve të tij, kurse Shqipëria juaj është një gënjeshtër”, tha Berisha. Kryeministri ftoi më 23 qershor, që të gjithë, socialistë dhe pa parti “të bashkohen me alternativën tonë të ndërtimit të infrastrukturës europiane, zhvillimit të fermave, heqjes së çdo TVSH për makineritë dhe imputet, shkollave, alternativa e dinjitetit që bazohet në besim tek e ardhmja, tek integrimi në BE”. Berisha ripërsëriti se “do liberalizojmë vizat me SHBA”, duke bërë thirrje që “në 23 qershor gjithë shqiptarët të bashkohen me modelin e vlerave”. “Le t’i lëmë ata në autobusin e tyre mavi të gënjejnë në banesën e harresës së historisë”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.