Berisha: Presidenca e KiE, në themel respektimi i të drejtave themelore
Kryeministri takon Presidentin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Nikolas Bratza
Kryeministri Sali Berisha, pasi e falënderoi për vizitën dhe i uroi mirëseardhjen zotit Bratza, e njohu atë me zhvillimet në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Kryeministri Berisha gjithashtu, e informoi Bratzan se qeveria që ai drejton është e vendosur të ndërmarrë çdo reformë e cila afron Shqipërinë me Evropën dhe, në këtë drejtim, Kryeministri ritheksoi edhe një herë se Shqipëria, nga vendi më i izoluar dhe me mungesa të theksuara në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, sot është vendi i cili “zbatimin e vendimeve gjyqësore” e ka mbi mesataren e vendeve evropiane.
Kryeministri theksoi se, me marrjen e Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Shqipëria do të kontribuojë edhe në respektimin dhe forcimin e bashkëpunimit me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Nga ana e tij, Nikolas Bratza, duke falënderuar Kryeministrin për pritjen, vlerësoi zhvillimet në Shqipëri si shumë mbresëlënëse. Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e institucioneve shqiptare, në respektim të të drejtave të njeriut dhe hapat e shpejtë me të cilat Shqipëria ka ecur drejt praktikave më të mira evropiane, në këtë drejtim.
Presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Nikolas Bratza, e ftoi Kryeministrin Berisha të vizitonte Gjykatën e Strasburgut, ftesë të cilën Kryeministri e mirëpriti me kënaqësi.