E Diel, 1 Nëntor 2026

“Plani rregullues do u japë qytetarëve të Tiranës një metropol evropian”

09-06-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e godinës së re të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, investim i buxhetit të shtetit
 
Kryeministri Berisha mori pjesë, dje në inaugurimin e godinës së re të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Kjo godinë u realizua me një investim të buxhetit të shtetit, prej rreth 185 milionë lekë, në kuadër të politikave të qeverisë për përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës në arsimin e lartë. Përmes këtij investimi, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, si pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, pajiset me kushte dhe mjedise shumë të mira mësimore, laboratorike, salla kompjuteri e shumë ambiente të nevojshme për punën krijuese të studentëve të këtij fakulteti.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha vizitoi edhe ekspozitën e përgatitur nga ky fakultet, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me punime shume cilësore dhe të pasura me ide, të studentëve dhe pedagogëve mbi vizionin e tyre për Tiranën, në kuadër të planit rregullues të kryeqytetit.  
Kryeministri Berisha, duke vlerësoi punimet në këtë ekspozitë, u shpreh se ajo dëshmon gjeninë krijuese të studentëve, pedagogëve të këtij fakulteti, imagjinatën mahnitëse të tyre në hartimin e planit rregullues që do t’u japë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve një Tiranë metropol evropian. “Zhvillimi është një mision i madh i çdo kombi. Për ne shqiptarët, që e nisëm nga një nivel shumë i ulët, natyrisht është më jetik sesa të tjerët. Por duhet të kemi gjithnjë në mendje se vetëm një zhvillim është ai që u reziston kohërave, vetëm një zhvillim është ai që nuk lëndon, nuk rëndon mbi supet dhe jetën e atyre që do të vijnë pas nesh; ky është zhvillimi i qëndrueshëm. Ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka, në mënyrë që këtë zhvillim që krijojmë sot, lumenjtë e djersës që derdhim sot për ndërtimin e këtij vendi, të trashëgohen, të gëzohen si vlera madhore e të qëndrueshme nga ata që vijnë pas nesh. Kjo kërkon një zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit, një respekt madhor për të, kjo kërkon përdorimin e të gjitha potencialeve të mundshme për të shfrytëzuar burimet e energjisë së rinovueshme. Asnjë vend, në sipërfaqe e popullatë, nuk është me e pasur se Shqipëria në energjinë e rinovueshme. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të ecim me shpejtësi në rrugën e zhvillimit, por gjithnjë  një zhvillim të qëndrueshëm dhe, një zhvillim i qëndrueshëm ka doktrinën në lëndët që ju mësoni në këtë fakultet. Ju do të jeni liderë të vërtetë të këtij procesi jetik dhe vendimtar për Shqipërinë dhe shqiptarë”, tha Berisha.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Rektori i Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani, pedagogë të këtij universiteti, studentë etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›