E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Presidentin do ta zgjedhim ne perputhje me Kushtetuten e vendit

Kryeministri, Sali Berisha i ftuar në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan deklaroi sot në mbrëmje, se "në asnjë rast dhe rrethanë maxhoranca nuk do të rikandidonte Bamir Topin në postin e Presidentit të Republikës". "Partia Demokratike do të ketë kandidatin e vetë në zgjedhjet presidenciale të 2012", tha zoti Berisha.

Kryeministri Berisha deklaroi se Fatos Nano është lideri i së majtës dhe ai nuk mund të jetë kandidati i propozuar nga Partia Demokratike për postin e Presidentit.

"PD do të ketë kandidatin e vet dhe padiskutim që përjashtohet Fatos Nano, sepse ai është lideri politik i së majtës", tha Berisha.
Sipas tij "PD ka të drejtën të kandidoj çdo drejtues të saj për President Republike". "PD ka një numër të madh personalitetesh që mund ti promovojë në atë post dhe nuk ka pengesë për të përzgjedhur kandidatin më të mirë që ajo mendon për postin e Presidentit", tha Berisha.
Kryeministri theksoi se "koalicioni i djathtë funksionon në mënyrë të përsosur dhe i ka të gjitha votat për të votuar Presidentin e Republikës, zgjedhja e të cilit do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e vendit".

I pyetur nëse Jozefina Topalli mund të jetë kandidatura e PD-së për postin e Presidentit, Berisha tha se, "ajo, sikurse dhe disa drejtues të tjerë të PD-së kanë të gjitha cilësitë për të qenë në atë post, por në mënyrë absolute nuk ekziston dhe nuk do të ekzistoj as edhe një kandidaturë deri sa të filloj gara presidenciale".

"Bamir Topi është President deri ditën që i skadon mandati dhe nuk do të ketë as edhe një emër deri në ditën që mbaron mandati i tij", tha Berisha, ndërsa përjashtoi çdo mundësi për propozimin e një kandidature jo politike.
Sipas tij, "Presidenti i vendit është një post politik dhe nuk është post jo politik".

Përsa i përket marrëdhënieve të Presidentit Topi me maxhorancën, Berisha tha se, "në historinë e një vendi nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për institucionin qendror të shtetit, se sa deklarimi i Presidentit në detyrë, për të krijuar parti". "Nëse flitet për dinjitet shtetëror, kjo është e rëndë, sepse Presidenti qëndron qartësisht jashtë forcave politike dhe presidenca kurrë nuk mund të jetë një parti politike në një Republikë Parlamentare. Ai ka një rrugë, të japë dorëheqjen dhe pastaj të krijojë parti politike, meqënëse maxhoranca e cila e kandidoi ka deklaruar publikisht se nuk do ta rikandidojë. Kjo është e prerë. Nuk mund të bëjë kompromise artificiale, pasi kjo do të thotë të marrësh peng presidencën. Të votosh një President për të shmangur krijimin e një partie që të bënë dëm ty, do të thotë të bësh pazare", tha Berisha.
Zoti Berisha komentoi marrëdhëniet e maxhorancës me Kreun e Shtetit dhe miratimin sot në Kuvend të z. Bujar Leskaj në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
"Për aq kohë sa Presidenti i Republikës bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të respektonte vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton qartë detyrimin e konsultimeve të ndërsjellta, mbetej që ose KLSH të lihej pa kryetar deri në fund të mandatit të Topit, dhe maxhoranca i kishte votat për ta bërë këtë, ose të prevalonte institucionalizimi dhe KLSH të kishte kryetarin e saj", tha Berisha, duke shtuar se maxhoranca zgjodhi këtë të fundit, pasi "KLSH është një institucion shumë i rëndësishëm për të kontrolluar shpenzimet e shtetit", tha kryeministri.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmjen e sotme gjithashtu se "mazhoranca do ta votojë kandidatin e përzgjedhur nga PS, për postin e Avokatit të Popullit", por theksoi se "këtë proces, kreu i PS-së e përdori në mënyrën më të veçantë, e fabrikoi nga zyrat e PS-së".
Gjatë intervistës televizive, shefi i qeverisë nënvizoi se "kam qënë dhe jam i bindur se Avokati i Popullit, duhe t'i përkasë opozitës.Ai duhe të jetë Avokat për të drejtat e qytetarëve, nuk duhet të ketë ndikime nga qeveria dhe duhet të denoncojë administratën që cënon të drejtat e qytetarëve".

Sipas tij, në komisionin për propozimin e kandidatit për Avokat të Popullit, duhet të ishin ftuar deputetë edhe të partive të tjera duke theksuar se "ky proces u bë në bunkerët e PS-së".

Duke vënë në dukje se kandidati për Avokat të Popullit, Igli Totozani, plotëson kriterin që nuk ka qënë persekutor në diktaturë, Berisha vuri në dukje se "ne besonim që do vinte një Avokat që do mbronte interesat e qytetarëve opozitarë dhe jo interesat klaneve më të ngushta të Ramës.Por le të mos paragjykojmë".

Kryeministri shtoi se "Avokati i propozuar, është avokat i një grupi problematik të PS-së".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›