E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: PDK do jetë pjesë e partisë së Bamir Topit

TIRANE - Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka ka shprehur hapur dje pëlqimin dhe mundësinë që PDK t’i bashkohet partisë së re të Presidentit, Bamir Topi.

“Do të ishte me vlerë dhe mjaft interesante krijimi i një partie nga z.Topi, të cilën e ka deklaruar në një farë mënyre. Partia Demokristiane e sheh veten e saj në një formacion të tillë politik edhe për faktin që është një lëvizje politike brenda së djathtës. Do të ketë një shtrirje tjetër. Mund të drejtohet nga një personalitet, i cili padyshim ka qenë një nga politikanët më të votuar nga qytetarët për disa vite”, - është shprehur Ndoka në një intervistë televizive. Ai flet me kriticizëm për mënyrën se si sillet PS me aleatët.

“Padiskutim kemi pasur probleme që unë i kam bërë publike, jo të vogla në zgjedhjet vendore. PS është shumë e ngurtë me aleatët, ka një mentalitet disi primitiv në lidhje me koalicionet me aleatët duke u zvogëluar hapësirat. Nuk ka frymë bashkëpunimi dhe kjo është e dënueshme”, u shpreh kreu i demokristianëve, Nard Ndoka.

(er.nu/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›