E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, Raporti: Maqedonasit e shqiptarët nuk bashkëjetojnë, janë thellësisht të ndarë

SHKUP - Shoqëria në Maqedoni mbetet thellësisht e ndarë në linja etnike, prandaj kërkohen masa urgjente për krijimin e bashkëjetesës ndëretnike. Ky rekomandim vjen nga Këshilli i Europës, pas vlerësimit të situatës së përgjithshme në Maqedoni, bën të ditur agjencia e lajmeve INA.

"Shoqëria në Maqedoni mbetet thellësisht e ndarë në linja etnike, ndërsa dy grupet kryesore etnike, shqiptarët dhe maqedonasit jetojnë paralelisht përballë njëri tjetrit pa interaksione midis tyre. Kjo koekzistencë paralele vërehet kryesisht në arsim, media, partitë politike dhe në sferat e tjera të jetës", bëhet e ditur në raportin e tretë monitorues të Këshillit të Europës në Strasburg. Sipas raportit, mungesa e dialogut ndëretnik ka sjellë deri tek tensionet, paragjykimet dhe portretimin e shqiptarëve.

Këshilli i Europës ka publikuar këtë vlerësim edhe pse vlerësimi i përgjithshëm është se Maqedonia po bën shumë në drejtim të respektimit të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe po implementon Marrëveshjen e Ohrit. Sipas raportit, në Maqedoni nga 341 shkolla, vetëm në 59 prej tyre mësimi zhvillohet me paralele të përziera maqedonase dhe shqiptare, ndërsa 15 shkolla janë trigjuhësore, prandaj në këtë drejtim kërkohen masa dhe mundësi për komunikim ndëretnik dhe aktivitete të përbashkëta.

Këshilli i Europës vlerëson se përfaqësimi i shqiptarëve në administratën publike akoma nuk është në nivelin e përqindjeve të duhura. Në raport, theksohet mungesa e vendeve dhe hapësirave të punës për administratorët shqiptarë të cilët marrin rroga në shtëpitë e tyre dhe nuk janë të pranishëm në institucione.

Raporti tërheq vëmendjen edhe për të drejtat e shqiptarëve që nuk gëzojnë të drejtën e shtetësisë së Maqedonisë dhe që përballen me këtë problem të shkaktuar nga institucionet për-gjegjëse shtetërore.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›