Berisha: Prioritet investimeve në sport. Rama: Po kopjon programin tonë
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e së shtunës një takim me studentët e Universitetit të Sporteve, të cilëve u ka premtuar më shumë mbështetje për sportin në mandatin e ardhshëm.
Gjatë bashkëbisedimit Berisha e ka cilësuar sportin si një prioritet të qeverisë së tij, në të mirë të edukimit të qytetarëve. Ai premtoi se qeveria do të krijojë kushte optimale që të rinjtë të stërviten dhe performojnë me dinjitet në gara kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Përpjekje janë bërë këto vite për zhvillimin e sportit. Pak vite më parë ne përuruam këtë universitet duke besuar se ai ka një rol thelbësor në formimin e mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve. Ne kemi rritur financimet për federatat sportive, për stadiumet dhe terrenet sportive. Disa arritje janë të lakmueshme, por të tjera janë plotësisht të mundshme për tu realizuar në 4 vitet që vijnë”,- tha Berisha.
Sipas tij edukimi fizik nuk ka ende vendin themelor që duhet të ketë në programet shkollore, duke premtuar vendosjen e kësaj lënde, si një kurikul themelore.
Kryeministri Berisha ftoi studentët që të japin sugjerimet e tyre për hartimin e një programi për sportin që të jetë në lartësitë e ambicieve të tyre.
Rama në Twitter:Berisha po kopjon programin e PS për sportin
Pas deklaratave të Berishës ka ardhur reagimi në Twitter i kryetarit të PS, Edi Rama, i cili është shprehur se: pasi nuk bëri gjë për 8 vjet në pushtet, Berisha po kopjon programin e PS për sportin.
20 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Berisha: Prioritet investimeve në sport. Rama: Po kopjon programin tonë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email