PS: Qeveria Berisha dështim total në administrimin fiskal të vendit
Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka dështuar me modelin e tij ekonomik. Deputeti Edison Konomi në një dalje publike nga selia rozë ka deklaruar se Shqipëria kaloi një vit të vështirë ekonomik në 2012-ën, ndërsa fillimi i këtij viti ka qenë akoma edhe më i vështirë.
Edhe të dhënat zyrtare nuk mund ta fshehin dot më se jo vetëm që viti 2012 ishte viti më i keq për ekonominë shqiptare në këto 22 vjet demokraci, por tre-mujori i parë i vitit 2013 është edhe më keq se ai i vitit të kaluar.Raporti për realizimin e treguesve fiskale të tremujorit të parë tregojnë se kjo qeveri ka dështuar në të kaluarën e sot po dështon edhe më keq me mbledhjen e të ardhurave. Deficiti në realizimin e të ardhurave është 40 milion Euro me pak se plani, ose 5% minus.
Totali i të ardhurave të 3-mujorit të parë 2013 është më i ulët se treguesi i realizuar në 3-mujorin e parë të vitit 2011 dhe 3-mujori i parë i vitit 2012.
Në krahasim me të ardhurat e realizuara për të njëjtën periudhë një vit më parë, kemi një rënie të ndjeshme të :
Tvsh-së në minus 9,7 %;
Rënie të Akcizës 8,2 %;
Taksa Doganore -14.1%;
Të ardhurat e pushtetit vendor 21%;
Të ardhurat nga tarifat 12,1 %., ka thënë Konomi. Sipas tij
treguesit fiskalë raportojnë për deficitin aktual, i cili është 45 % më i lartë se ai i së njëjtës periudhë të vitit 2012.
Tek deficiti dhe financimi i tij vërehet se ai është financuar me 6,3 miliard lekë më shumë se plani, gati 50 % më shumë dhe se treguesi i financimit gjithashtu është shumë më i lartë se një vit më parë, është 129% më shumë.
Këto të dhëna që raportohen për tre-mujorin e parë shfaqin qartë dështimin total në administrimin fiskal të vendit.
Berisha, në vend që të japë llogari para qytetarëve për këtë përkeqësim të gjendjes, del para kamerave e mediave duke folur për raporte të tjera ndërkombëtare, të shkruara në anglisht dhe duke i përkthyer të dhënat tjetër për tjetër, duke mashtruar, siç ishte rasti i referimit ndaj raportit të Komisionit Europian për situatën ekonomike të vendeve aspirante për anëtarësim, ka thënë Konomi. Sipas tij Shqipërisë dhe shqiptarëve u nevojitet një model i ri ekonomik, nevojitet ristrukturimi i plotë i ekonomisë shqiptare. Një model ekonomik i cili të ketë si prioritet më pak borxhe për brezat e ardhshëm, më shumë qëndrueshmëri fiskale. Qëndrueshmëri ekonomike nëpërmjet rivendosjes të ekuilibrave buxhetorë për të zbutur kështu barrën e detyrimeve mbi brezat e ardhshëm.
Qeveria e re e majtë pas 23 qershorit do të shëndoshë financat publike, do të lehtësojë buxhetet familjare, duke i dhënë më në fund frymëmarrje të re ekonomisë shqiptare, premtoi Konomi.
20 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
PS: Qeveria Berisha dështim total në administrimin fiskal të vendit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email