Berisha: Prioritet zhvillimi rural
Kryeministri vijon takimet në Fier
Inaugurohen disa vepra publike
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje disa komuna në rrethin e Fierit, ku inauguroi disa vepra publike. Kreu i mazhorancës së djathtë premtoi më shumë vëmendje nga fshatit në mandatin e dytë, madje ai e cilësoi si një prioritet të punës së qeverisë. “Në mandatin e dytë qeverisës, zhvillimi rural do të jetë objektivi kryesor”, - tha Berisha, i cili kujtoi investimet e qeverisë në infrastrukturën rrugore, shkolla, kopshte, ujësjellës, kanalizime gjatë katër viteve të fundit. Berisha mori pjesë në përurimin e disa veprave publike në Komunën Strumë të rrethit të Fierit, ku gjatë fjalës së tij përpara banorëve vuri në dukje vëmendjen e qeverisë që drejton ndaj zonave rurale të vendit. Kreu i qeverisë tha se në këto dy muajt e fundit do të fillojnë investimet për 120 km rrugë në rrethin e Fierit. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se rritja e pagave dhe pensioneve do të vazhdojë më tej me ritme të larta. Ndër të tjera, Berisha tha se së shpejti qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza. “Pas aderimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, prioritet mbetet heqja e vizave me qëllim që shqiptarët të jenë qytetarë të lirë të Evropës", - tha Berisha.
Kryeministri foli më tej për projektin e ullirit, i cili synon mbjelljen e 20 milionë rrënjëve në mbarë vendin. “Gjatë mandatit të dytë qeverisës, rrënjët e ullirit do të 5-fishohen përgjatë gjithë ultësirës së bregdetit”, - tha Berisha. Pas përurimit të fillimit të punimeve për dy rrugë të reja në Komunën Strumë të rrethit të Fierit, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve të shkollës 9-vjeçare në fshatin Vidhisht të komunës Kuman dhe rrugës së brendshme të këtij fshati. Njëkohësisht, ai u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për karta identiteti. “Javën që vjen, qeveria shqiptare do të vendosë një trajtim të ri për këtë kategori familjesh”, - tha ai.