Basha: Ne kemi vullnetin për të shkuar në BE
Ministri i Jashtëm, takime me banorët në Elbasan
“Kërkojmë mandat të dytë, për të vijuar më tej me zhvillimin”
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi dje takime me banorët e zonave rurale të Elbasanit, ku u ndal në fshatrat Tregan dhe Shirgjan. Duke folur përpara banorët të Elbasanit, Basha tha se qeveria e djathtë është e vetmja që ka forcën, vullnetin dhe dëshirën që të integrojë vendin në Bashkimin Evropian. Në këto takime, shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se gjatë këtyre viteve të qeverisjes së mazhorancës së djathtë, asnjë zonë e Shqipërisë nuk u diskriminua me investime, qofshin drejtues të tyre socialistë a demokratë. Në qendër të politikave të kësaj mazhorance, - tha ministri Basha, - ka qenë, mbetet dhe do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve shqiptarë pa dallim. Sipas tij, Shqipëria sot është ndryshe dhe është kthyer në vend të preferuar për investime të huaja. Basha shtoi se sot vendi renditet mes 26 vendeve më të fuqishme të botës në Aleancën e Atlantikut të Veriut, e nesër qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirisht nëpër Evropë. Të gjitha këto, - tha Basha, - u mundësuan falë një vullneti të fortë të kësaj mazhorance. “Kukuvajkat thonë se s’do të thotë shumë, por ne themi se do të thotë shumë. Në radhë të parë ky komunitet vendesh i udhëhequr nga SHBA i beson Shqipërisë, i beson shqiptarëve, i beson qeverisë shqiptare si partnere e denjë që ndan më të vlerat dhe parimet themelore të NATO-s. Të jesh sot anëtar i NATO-s, do të thotë të jesh në paradhomën e BE-së, do të thotë në radhë të parë që qytetarët shqiptarë, brenda një kohe të shkurtër, me pasaportat biometrike në duar të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së”, - deklaroi në Elbasan kreu i diplomacisë.
Ai kërkoi votën e qytetarëve të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë për një mandat të dytë, në mënyrë që, sipas tij, vendi të vazhdojë më tej integrimin dhe zhvillimin. Basha shprehu bindjen se qytetarët, me votën e tyre më 28 qershor, do të dinë të ndajnë premtimet e bëra realitet nga ato që do të mbeten nëpër enciklikat e PS-së dhe të kryetarit të saj, i cili për 10 vjet që është në pushtet nuk arriti të përmirësojë as infrastrukturën e një qyteti. “Jo të gjithë janë të lumtur se Shqipëria është në NATO, jo të gjithë janë të lumtur se rruga Durrës-Kukës po mbaron, jo të gjithë janë të lumtur se Shqipëria po tërheq investime të shumta, sepse në krahasimin e kësaj performance me performancën e tyre të dështuar 10-vjeçare, shohin dështimin e tyre më 28 qershor. Por a mundet që dështimi i kukuvajkave të vetmuara të përbëjë shqetësim apo pengesë për vullnetin që kemi nisur drejt realizimit të aspiratës evropiane?”, - deklaroi Basha. Ministri i Punëve të Jashtme tha se përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale, punësimi dhe rritja e pensioneve do të jenë në qendër të politikave të kësaj mazhorance edhe në katër vitet që do të vijnë.