E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rrugën Durrës-Kukës, Berisha do ta inaugurojë si pensionist

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbyllur dje në qytetin e Krumës, në rrethin e Hasit, turin e tij me rrjetin e Vullnetarëve për Ndryshim.

Në një takim me të rinjtë e kësaj krahine, Rama ka atakuar drejtpërdrejt kundërshtarin e tij politik, Kryeministrin Sali Berisha, si njeriu që, në emër të patriotizmit, ka kryer abuzime marramendëse me fondet publike të shqiptarëve, duke iu referuar pikërisht rrugës Durrës-Kukës.

Sipas tij, me fondet e grabitura nga rruga, nga pushtetarët e djathtë, në Durrës-Kukës, mund të ishte bërë i mundur rindërtimi i gjithë rrjetit rrugor i Qarkut të Kukësit dhe përtej tij.

Gjithashtu, mund të ishin lidhur me rrugën kryesore të gjitha fshatrat dhe të gjithë bujqit e fermerët që, të shumtë në numër dhe të shpeshtë në raste, detyrohen t'i varrosin prodhimet e tyre për shkak se nuk i nxjerrin dot në treg nga mungesa e rrjetit rrugor.

"Sali Berisha, ditën e inaugurimit të rrugës do të jetë në pension, do e ftojmë dhe do t'i japim mundësinë të presë një pjesë të shiritit të saj.

Interesat tona patriotike, strategjia jonë e zhvillimit ekonomik, këto të lidhura me rrugën Durrës-Kukës, nuk mundet të përdoren dhe të abuzohet për të fshehur një grabitje me përmasa të mëdha", - tha Rama.

Më tej, Rama ka siguruar të rinjtë se, Partia Socialiste, ndryshe nga sa ka vepruar deri më tani klasa politike, do të kthejë në realitet të gjitha premtimet që do të bëjë.

Për këtë arsye, ka theksuar ai, socialistët do të jenë shumë të kujdesshëm në premtimet që do të bëjnë, për të mos i përdorur ato thjesht për fushatë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›