Topalli i pret rrogën Ylli Pangos
Publikimi në media e videos-skandal, i ka kushtuar jo pak ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Përveç postit të ministrit të Kulturës dhe imazhit të dëmtuar deri në pikën më të ulët, ai tashmë ka humbur edhe përfitimet financiare që i krijonte statusi i tij si i zgjedhur i popullit.
Pavarësisht se mban ende mandatin e deputetit të fituar në nëpërmjet garimit në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore 37, Pango, prej nga data 4 mars, kur edhe u bë protagonist i një skandali seksual me një vajzë të re, ka vendosur të bojkotojë tërësisht dhe jetën parlamentare, si e vetmja mënyrë për t'iu shmangur ballafaqimit me deputetët e tjerë, të cilët një ditë pas shfaqjes së videos, nuk nguruan ta cilësojnë aktin e tij të turpshëm, si dhe ta konsiderojnë atë si ish-koleg.
Mungesa në komisione dhe në seanca ka bërë që Kuvendi të nisë procedurat për t'i ndërprerë atij tërësisht trajtimin financiar, një masë kjo që jo gjithmonë zbatohet njësoj për të gjithë deputetët.
Kujtojmë këtu precedentin "Nano", i cili megjithëse frekuenton seancën plenare një herë në gjashtë muaj, arrin të marrë një pjesë të mirë të beneficeve financiare nga Kuvendi, siç janë dietat, lekët për karburantin apo edhe për telefonin.
Shkresa
Ish-ministri i kulturës, Ylli Pango, duhet të justifikojë mungesat e gjata në Kuvend, ndryshe nuk do të marrë rrogën dhe dietat që përfiton një i zgjedhur nga populli. Pasi nuk pranoi t'i përgjigjej kërkesës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për të dorëzuar mandatin e deputetit, duket se kjo e fundit ka vendosur që t'i shkojë deri në fund betejës me të.
Pangos tashmë do t'i duhet që të përligjë apo të justifikojë mungesat që ka kryer duke mos marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si dhe të seancave plenare, në të kundërt Kuvendi do t'i mbajë rrogën.
Zyra e Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe e Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, i ka kërkuar zyrtarisht deputetit demokrat që të përligjë mospraninë e tij në 5 prej seancave të muajit mars, dhe më konkretisht seancat e datës 16, 19, 23, 26 dhe 30 të muajit që lamë pas.
Ashtu siç bëhet e ditur në këtë shkresë, Pango do të mund të përfitojë rrogën vetëm duke justifikuar mungesat e tij, dhe siç dihet, tek arsyet e shëndosha që mund të pranohen, hyjnë vetëm ato që kanë të bëjnë me angazhimin e tij në detyra apo shërbime që i ka ngarkuar vetë Kuvendi.
Megjithatë, nga kjo shkresë vërehet edhe një shkelje nga ana e administratës së Kuvendit, pasi kërkon përligjje të mungesave vetëm për 5 seanca, ndërkohë ish-ministri i Kulturës ka munguar edhe në seancën e 5-të, 9-të dhe të 12 marsit.
Paga
Megjithatë, nisma e Kuvendit për t'i mbajtur rrogën ish-ministrit të Kulturës, duket se do të ketë një efekt jo real për Pangon.
Kjo pasi dëshira e Kryetares së Kuvendit për të zbatuar ligjin dhe t'i ndërprerë pagesën si deputet, për shkak të mungesave, nuk do të ndikojë mbi Pangon, sepse ai është i favorizuar nga legjislacioni në fuqi, për shkak të postit të ministrit që ka mbajtur.
Kështu, ndërsa Kuvendi do t'i mbajë rrogën prej 139.590 lekësh, shpërblimin prej 2.000 lekësh për çdo pjesëmarrje në komision, si dhe shumën prej 34.000 lekë në muaj, si shpenzime për makinën, ligji për nëpunësit e lartë shtetëror, i ka krijuar Pangos mundësinë që të mund t'i marrë këto përfitime financiare si ish-ministër, të paktën deri në një vit nga lënia e këtij posti.
Trajtimi i deputetëve
139.590 lekë, paga
17.000 lekë, pagesë telefoni
2.000 lekë, për çdo mbledhje komisioni
5.584 lekë, dieta në ditë
Kryetarët e Grupeve Parlamentare
Paguhen 5-15 % mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit. Dy kryetarët e grupeve më të mëdhenj paguhen 20.000 lekë tarifë celulari në muaj.
Deputetët e komisionit të Ekonomisë dhe Financave,
paguhen për 12 mbledhje në muaj
24.000 mijë lekë në muaj, anëtarët
26.400 mijë lekë në muaj, nënkryetari
30.000 mijë lekë në muaj, kryetari
Deputetët e komisionit të Ligjeve
paguhen për 12 mbledhje në muaj
24.000 mijë lekë në muaj, anëtarët
26.400 mijë lekë në muaj, nënkryetari
30.000 mijë lekë në muaj, kryetari
Komisionit e tjera të përhershme të Kuvendit,
paguhen për 8 mbledhje në muaj
16.000 lekë në muaj, për anëtarët
17.600 lekë në muaj, nënkryetari
20.000 lekë në muaj, kryetari
Dietat e deputetëve të Kuvendit
5.584 mijë lekë në ditë
12 ditë dieta në muaj për deputetë që banojnë jashtë Tiranës (67.008 mijë lekë)
6 ditë dieta në muaj për të gjithë deputetët e tjerë
(33.504 mijë lekë)
Pagesat e celularëve
20.000 lekë në muaj kryetarëve të dy grupeve më të mëdha parlamentare
20.00 lekë në muaj kryetarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit
17.000 lekë në muaj deputetëve të tjerë
Makina, 34.000 lekë në muaj
Deputetëve u lejohet mesatarisht deri në 19.000 lekë në muaj karburant
Për riparime dhe shërbime, 15.000 lekë në muaj