E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Prioritetet e qeverisë së ardhshme, reforma të gjithanshme që afrojnë Shqipërinë me BE-në”

Intervistë e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhënë për Dojçe Velen

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ka renditur reformat e gjithanshme, si prioritetet të afrimit të vendit tonë me vendet e BE-së.
Duke u ndalur edhe te vendimi më i fundit i KE-së, për shtyrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë, Kryeministri Berisha, e pranon se shpërndarja e pasaportave biometrike, ishte kushti i paplotësuar, që shtyu marrjen e këtij vendimi. Në intervistën e tij, Berisha ndalet edhe në një analizë të procesit të zgjedhjeve sipas të cilit, numri i vogël i ankesave në KQZ, deri në 20 herë më pak se zgjedhjet pararendëse, janë treguesi më i mirë i nivelit që arritën këto zgjedhje.

Zoti Berisha, Komisioni Evropian propozoi më 15 korrik, që strukturat përkatëse të BE-së, të nisin procedurat për heqjen e vizave të udhëtimit drejt vendeve të  hapësirës së Shengenit për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Shqipëria nuk u përfshi në këtë grup. Si e komentoni ketë vendim të Brukselit?
Përshëndes vendimin e KE-së. Ai përbën një zhvillim shumë pozitiv jo vetëm për qytetarët e atyre vendeve por për të gjithë rajonin i cili është i bashkuar në perspektivën e tij evropiane. Sa për Shqipërinë është fakt i pamohueshëm që në disa drejtime kemi vonesa si në pasaportat biometrike dhe në plotësimin e ndonjë kushti tjetër. Këto kërkesa nuk janë penalizuese, as diskriminuese. Përkundrazi i kërkohet arritja e disa standardeve për Shqipërinë. Tani po përpiqemi të pajisim qytetarët e Shqipërisë me pasaporta biometrike. Nëse më pyet: A prisja që Shqipëria të përfshihej në listën e parë krahas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë? Do të përgjigjem jo, nuk e prisja. Kjo sepse jemi ende me proces zgjedhor të papërfunduar dhe me ende nuk ka përfunduar pajisja me pasaporta biometrike. Prandaj e konsideroj një vendim pozitiv atë të KE-së, të Komisionerit Olli Rehn dhe të Zëvendëspresidentit të këtij Komisioni Jacques Barrot. Pra, nuk mund të them që Shqipëria është  diskriminuar qëllimisht. Jo. Të tjerat vendet prej vitesh kanë  një sistem identifikimi shumë më të mirë se Shqipëria, e cila po e zhvillon tani. Shoh një qëndrim objektiv të KE-së dhe më mbetet të punojë për të plotësuar të gjitha kërkesat  për lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë është një zhvillim i jashtëzakonshëm me ndikim real, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë, për këto pjesë të Ballkanit, ku vizat liberalizohen dhe është e domosdoshme të bëhet mbi bazën e standardeve të sigurisë më të lartë. 

Le të kthehemi në çështjen e ditës në Shqipëri: përfundimin e procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit zyrtar përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Pse po vonon ky proces?
Në historikun e zgjedhjeve, këto janë zgjedhje që ankesat janë shqyrtuar në kohë rekord, po kështu edhe nxjerrja e rezultatit paraprak. Këto janë zgjedhje, që pavarësisht nga zhurma që bëhet, numri i ankesave është 20 herë më i vogël se në zgjedhjet e mëparshme. Nga 400 ankesa që ka pasur në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, ka vetëm 20-25 ankesa. Këto flasin shumë. Kam dëgjuar që ka pasur vërejtje për procesin e numërimit, por ky është numërimi më transparent që është bërë ndonjëherë, numërimi me kamera. Çdo çështje e ngritur në qendrat e numërimit të votave mund të verifikohet sepse është e filmuar. Po kështu subjektivizmin mund ta masim shumë kollaj përmes procesverbaleve.

Në raportet paraprake të OSBE/ODIHR-it për procesin zgjedhor dhe të numërimit të votave klima e theksuar e mosbesimit mes palëve shihet si një mangësi që dëmtoi procesin zgjedhor sidomos atë të numërimit. Ku i shihni mundësitë që kjo klimë të ndryshojë për mirë?
Ligji dhe zbatimi i ligjit. Rruga më shkëlqyer e një procesi është zbatimi i ligjit. Kundërshtari im politik nuk e pranon humbjen. Por ja që populli nuk ia dha atij fitoren, votoi koalicionin tim, që doli me 4- 5 deputetë më shumë.

Zoti Berisha, ndërkohë që priten rezultatet përfundimtare, ndërkohë që Kolegji Zgjedhor do të pranojë ose hedhë poshtë kërkesat e PS-së dhe të PD-së për të ndryshuar rezultatet e deritanishme të shpallura nga KQZ-ja, ju po projektoni qeverinë e re Berisha - Meta. Cilat janë prioritetet e saj?
Shqipëria evropiane. Një tërësi reformash të gjithanshme, që e afrojnë Shqipërinë me vendet e BE-së. Ky është projekti më ambicioz që kemi paraqitur ndonjëherë, por tërësisht i realizueshëm. Rruga e realizimit janë reformat, reformat dhe përsëri reformat. Shqipëria ka nevojë për reformat, si zogu për ajrin për të fluturuar. Ato nisin që te zgjerimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, konsolidimit të institucioneve, pavarësisë së sistemit gjyqësor, rinovimit të plotë të infrastrukturës, zgjerimit të lirisë së tregut, zhvillimit të qëndrueshëm rural, shoqërisë dixhitale etj.

Kthehemi te projekti madhor i qeverisë së re Berisha - Meta, Shqipëria europiane. Gjermania deri më sot ka qenë një nga mbështetëset më të forta të integrimit evropian të Shqipërisë. Si do ta përshkruanit praninë gjermane në progresin e deritanishëm të projektit evropian të Shqipërisë?
Marrëdhëniet me Gjermaninë janë të shkëlqyera. Ndihma që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë është më e madhja për frymë të popullsisë, është një ndihmë prej 860 milionë eurosh. Por kjo ndihmë është konvertuar në qindra projekte me efikasitet të plotë, që përfshijnë të gjitha fushat me rëndësi për jetën e përditshme të shqiptarëve: ujrat e zeza, furnizimin me ujë, energji, bujqësinë, ndërtimin e rrugëve, kulturën, arsimin, policinë, ushtrinë. Nuk ka asnjë fushë të jetës ku Gjermania të mos ketë adresuar ndihmën e saj. Nëse ka një vend ku ndihma gjermane është histori e vërtetë suksesi kjo është Shqipëria. Në këto 4 vjet marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë do të njohin zhvillime të mëtejshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›