E Diel, 1 Nëntor 2026

Shegushe Ligori e nis karrierën politike me presionin mbi anëtarët e Kolegjit Zgjedhor

Njeriu i ri i Edvinit në Elbasan, deputetja e ardhshme Shegushe Ligori, e shumëpërmendur edhe më herët në analet e politikës së ditës, më shumë për praninë e saj në ato mjedise, biseda e përgjime, sesa për kontributin specifik politik, është shfaqur në radhën e parë të intrigës gjatë ditëve të fundit, si pjesë e një megaprojekti të Edvinit për të destabilizuar vendin.
Kjo Ligori, që me një dhuratë specifike të Edvinit, fitoi mandatin e deputetes në Elbasan, në sajë të renditjes së saj, si e dyta në listën shumëemërore, ka marrë përsipër t’ia kthejë menjëherë nderin Edvinit, jo në natyrë, as në forumet e PS-së e as nëpër intervista, por duke shfrytëzuar njohjet e saj - zyrtare e okulte - në sistemin e drejtësisë, për ta ndihmuar që të shpëtohet karriera e tij politike në Kolegjin Zgjedhor. Kjo Shegushja po tregohet këto ditë më e kudondodhura në presionet e paturpshme ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duke përdorur të bëra e të pabëra, veç që të arrihet e pabëra, kthimi i rezultatit në ndonjërin nga qarqet e ankimuara nga Partia Socialiste. Edvini e ka jetike që të ndalet disi certifikimi i zgjedhjeve e afërmendsh edhe i humbjes së tij, të paktën derisa të rregullojë disi punët në plevicën e vet politike, prandaj edhe zgjatja e procesit e mundësisht ndonjë rinumërim votash apo edhe falje mandati deputeti do të ishin ingredienti i duhur.
Shegushe Ligori, që s’e njeh mirë veten, është angazhuar që ta përmbushë këtë nevojë dhe po i bie gurit e drurit që presionet të mbërrijnë në veshët e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Një njeri që s’ka asnjë etikë profesionale edhe mund të shpresojë që të arrihet ndonjë farë suksesi nga këto presione joprofesionale, por Shegushe Ligori po e nis karrierën e saj politike me presionet më të turpshme, me presione që kërkojnë të vihet dorë mbi votën e shqiptarëve, prandaj edhe mund të themi, pa u lodhur shumë, se ky fillim karriere është treguesi më i mirë se kjo karrierë e blerë që në fillim, do të jetë fort jetëshkurtër, ndoshta po aq jetëshkurtër, sa ditët që i kanë mbetur Edvinit në krye të Partisë Socialiste.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›