E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Prizreni, tempulli i lindjes së kombit

11-06-2012 / Gazeta 55

134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit bashkon liderët e trojeve shqiptare. Kuvendi i Prizrenit, rezistencë kundër copëtimit të trojeve shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti si dhe politikanë shqiptarë nga Mali i Zi, morën pjesë në ceremoninë e 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Nën tingujt e himnit kombëtar, liderët e trevave shqiptare përkujtuan dje 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Në aktivitetin e organizuar nga qeveria e Prishtinës merrnin pjesë personalitete të politikës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut, ku shqiptarët e të gjitha fiseve u mblodhën me përkushtimin “Një Komb, një Qëndrim” dhe me idealin e bashkimit kombëtar, në një kohë mjaft të vështirë kur kërkohej copëtimi i trojeve shqiptare.
“Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave, shënon ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut, në të cilën shqiptarët që shtriheshin në trojet më të gjera në Ballkan kishin qenë objekt sulmesh, do të mblidheshin në këtë tempull me përkushtimin ‘Një Komb një Qëndrim’, me idealin e bashkimit kombëtar. Kohërat, në të cilën udhëheqësit e të gjitha trevave shqiptare u mblodhën në këtë tempull, ishin orët më të vështira të kombit shqiptar. Europa gjendej në orën e padrejtësive të saj më të mëdha. Superfuqitë e asaj kohe po vendosnin eliminimin e shqiptarëve si nocion politik, po vendosnin copëtimin e kombit që i kishte dhënë Europës Perandorë dhe Papë që kishin themeluar krishterimin dhe qytetërimin e tyre, po vendosnin që trojet e shqiptarëve të shndërroheshin në plaçkë tregu për armiqtë dhe barbarët që kishin ushtruar ndaj tyre genocide dhe programet më të egra. Këto ishin rrethanat në të cilat u mblodhën këtu, Iliaz Pashë Dibra, Omer Prizreni, Abdyl Frashëri, Zija Prishtina, Abedin Dila dhe burra të tjerë, nga të gjitha trevat shqiptare. Ata do të mblidheshin këtu të bindur se, bashkimi i kombit ishte rruga e vetme për tu përballuar me mynxyrat që gatuheshin në Shën Stefan, në Berlin dhe kancelaritë e tjera të Evropës të asaj kohe”, u shpreh në nisje të fjalës së tij kryeministri Sali Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se “Lidhja ia doli të përballej me pushtetin e vullnetet e liga të asaj kohe të krijojë ushtrinë shqiptare, pas 4 shekujsh të ushtrisë së Skënderbeut, Lidhja shpalli integritetin e territoreve shqiptare dhe i tha botës se për shqiptarët dhe trojet do vendosim vetë ne shqiptarët. Ndaj dhe sot, çdo shqiptar kudo që është, përulet me nderimin më të thellë, para këtij tempulli. Tempulli ku lindi kombi shqiptar si nocion politik, tempulli ku lindi ideali i bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, tempulli ku lindi ideali kombëtar, ‘Një Komb një Qëndrim’, tempulli që do tu ndriçojë rrugën shqiptarëve në të gjitha kohërat për të sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e tyre”, vuri në dukje kryeministri Berisha, i cili e konsideroi këtë ditë një ditë falënderimi dhe nderimi për Kosovën dhe Prizrenin.
Sipas tij, lidhja e Prizrenit ishte kryengjarja që do tu printe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në 134 vjet me radhë.
“Sot është një ditë nderimi të madh për Kosovën, për Prizrenin. Çdo shqiptar ka vetëm një fjalë, faleminderit Kosovë, faleminderit Prizren, se lidhja e Prizrenit ishte kryengjarja që do tu printe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në 134 vjet me radhë. Faleminderit Kosovë, se në Kosovë, pas saj u organizua Lidhja e Pejës. Faleminderit Kosovë, se këtu lindi ushtria e shqiptarëve, e cila u përball me superfuqitë, dogji ushtri të tëra për tu dalë zot trojeve të veta. Faleminderit Kosovë se këtu u organizuan kryengritjet e mëdha, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë. Faleminderit Kosovë, se nuk u përkule kurrë edhe pse mbete në robëri, qëndrove me një rezistencë, e cila solli në fund të fundit çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj. Faleminderit Kosovë se nxore burra të mëdhenj si Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, nxore luftëtar të mëdhenj të lirisë, si Azem dhe Shote Galica, Shaban Polluzha, legjendë të trimërisë njerëzore si Adem Jashari, Agim Lladani, Shefqet Berisha, Remzi Ademi, vëllezërit Hajredinaj dhe qindra e mijëra të tjerë. Faleminderit Kosovë, se nxore burra mendje ndritur si Ibrahim Rugova, i cili organizoi rezistencën paqësore më të shkëlqyer që Europa ka njohur në tërë historinë e saj dhe çështjen tënde të drejtë, çështjen e drejtë të shqiptarëve nga një barakë në qendër të Prishtinës, e dërgoi deri në dhomën ovale të Shtëpisë së Bardhë. Faleminderit Kosovë, se djemtë dhe vajzat e tua, vaditën me jetën, me rininë, me gjakun e tyre lirinë mbi të cilën qëndrojmë ne sot të lirë, bënë luftën çlirimtare të fundit në Europë, çliruan Kosovën njëherë e përgjithmonë. Bënë të mundur që të mblidhemi sot, si gra dhe burra të lirë, të shohim në sy njeri-tjetrin si njerëz të lirë, të këndojmë këngën e lirisë, të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, theksoi më tej Berisha.
Duke i shprehur mirënjohjen NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndërhyrjen në Kosovë, në emër të lirisë dhe të drejtave, kryeministri shqiptar në fund të fjalës së tij ftoi fqinjët që të çlirohen nga paragjykimet mbi shqiptarët dhe të ndërtojnë së bashku të ardhmen evropiane.
“Ftoj fqinjët të çlirohen nga paragjykimet mbi shqiptarët e të përpiqemi së bashku të ndërtojmë të ardhmen evropiane si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve, maqedonasve dhe serbëve”, përfundoi fjalën e tij kryeministri shqiptar duke i shprehur edhe njëherë mirënjohjen atyre që mundësuan mbledhjen për të nderuar këtë tempull.
Të pranishëm në këtë aktivitet festiv, i cili u zhvillua në shtëpinë muze të Lidhjes së Prizrenit, ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, personalitete të tjerë të lartë të Kosovës, Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, deputetë, ministra, intelektualë nga Shqipëria dhe Kosova, etj. Pas ekzekutimit te himnit tonë  kombëtar dhe atij shtetëror të Republikës së Kosovës dhe përshëndetjeve të personaliteteve, të pranishmit ndoqën një program artistik.
Ky përvjetor i 134 i Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vjen si një kontribut në kuadër të aktiviteteve dhe festimeve, në nderim të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 10 qershor 1878, mbi 300 përfaqësues nga gati të gjitha viset shqiptare, në Prizrenin historik, artikuluan kërkesat legjitime për pavarësi të shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar.  Kjo Lidhje, paraqet bashkimin më të rëndësishëm të shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut, pasi të gjithë shqiptarët u bënë bashkë në kërkesat e tyre kombëtare. Lidhja e Prizrenit i parapriu edhe aktit të ardhshëm madhor, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›