“S’dua president, Shqipërinë do e lë sërish pa status”
Vëzhgimi/Zbardhet shantazhi i Edi Ramës
Kreu i PS-së Edi Rama e shndërroi procesin e përzgjedhjes së një kandidati për president në një proces për të demonstruar kërcënimin dhe shantazhin se do të vazhdojë të mbajë peng procesin e marrjes së statusit kandidat për në BE.
Loja e tij, “do të vë në dispozicion një listë me kandidat, vetëm të takohem me Berishën” apo “do të ofrojë konsensus, vetëm të ulem edhe një herë me Berishën”, dje mori fund, e thënë ndryshe, “i doli boja”.
Rreth dy orë e gjysmë që vazhdoi tryeza e partive parlamentare, nuk e bindi Edi Ramën të ofronte konsensus për një prej katër kandidaturave. Në përfundim të këtij dy orë e gjysmë takim, Edi Rama shpërdoroi mundësinë e përzgjedhjes së një kandidature, sikurse kishte premtuar, në këmbim të tërheqjes së Xhezair Zaganjorit.
Të mendosh e besosh, se Edi Rama nuk dinte çfarë të kërkonte, apo nuk dinte çfarë të bënte, është naivitet.
Që në krye të herës, që kur filloi zyrtarisht procesi i përzgjedhjes së një kandidature për president, Edi Rama, jo vetëm kishte lënë përshtypjen dhe bindjen se do të vetëpërjashtohej nga ky proces, por tentoi ta shfrytëzonte atë (procesin), si një mundësi për të konsoliduar pretekstin, apo alibinë se ai do të vetëpërjashtohet edhe nga detyrimi tjetër, i përmbushjes së pjesës së mbetur të 12 rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
Nga mbrëmë, Edi Rama, sikurse edhe përsëriti, asgjë më shumë nga çfarë ka përsëritur për gjithë këto ditë, i njeh vetes të drejtën e mosbërjes pjesë e reformave integruese, nën pretekstin e (mos)pyetjes për kandidaturën e presidentit, megjithëse ai u pyet më shumë nga çfarë meritonte, por edhe sado që të pyetej dhe për këdo që të pyetej, ai kishte dhe ka në kokë vetëm peng-mbajtjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE.
“S’dua president, Shqipërinë do e lë sërish pa status”/Opozita nuk e ka pranuar kandidaturën e z. Artan Hoxha duke e cilësuar atë si një kandidaturë nga oborri i kryeministrit. Në fjalën e tij pas takimit, kreu i PS-së Edi Rama theksoi se pas një përpjekje të gjatë nuk është arritur konsensus me mazhorancën. “Pas një përpjekje të gjatë dhe intensive, për ti dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë që në këndvështrimin tonë meritojnë, një president konsensual dhe për t’i dhënë familjes evropiane një sinjal, i cili pa asnjë dyshim është i vetmi sinjal që duhet të jepte politika shqiptare në këtë proces. fatkeqësisht nuk gjetëm atë vullnet që sipas meje duhet të demonstrojë qeveria shqiptare, e cila e solli dhe e kupton fare mirë se moszgjidhja e një presidenti konsensual, është një sinjal negativ për familjen evropiane dhe është një zhvillim që nuk parathotë gjëra të mira për 12 tetorin, ditën kur për të 3-ën herë Shqipëria do të merret në provim nga familja evropiane. Ne paraqitëm në mënyrë të detajuar vizionin tonë dhe u përpoqa të shpjegoj me shumë durim se çka kërkojmë ne, opozita shqiptare. Nuk është një president i opozitës, por është një proces i dakordësuar për një proces konsensual, në mënyrë që t’i hapet rrugë një proces ku qeveria dhe opozita duhet të nxitojë dhe brenda qershorit të kishim mundësinë t’i tregonim familjes evropiane, se, edhe pse me vonesë të saj e bëri të sajën”, tha Rama, ndërsa s’munguan as kërcënimet për statusin e vendit kandidat.