E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Problemi i Shqipërisë është opozita

Sali Berisha në bursën e New York-ut

Nga Nju Jorku, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Sali Berisha është shprehur se Shqipëria ka një problem të njohur botërisht. Sipas tij, problemi ka të bëjë me bllokimin nga ana e opozitës për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar për miratim në parlament.

Shqipëria ka suksese të padiskutueshme në fushat ekonomike, sociale e të tjera, si dhe rezultate të lakmueshme të reformave. Natyrisht, Shqipëria ka një problem, tani që është bërë botërisht i njohur, që qëndron në faktin se opozita nuk do të votojë, por do ta përdorë dhe e ka përdorur pushtetin e vet për të bllokuar, tha ai.

Berisha shtoi se tani PS është shprehur se do të angazhohet në reformën zgjedhore por tha ai, nga ana tjetër ka shpallur se nuk do të votojë ligjet me 3/5 dhe ka vendosur një seri kushtesh e ultimatumesh, e gjitha përfundoi ai kanë qëllim të justifikojnë qëndrimin e mëtejshëm bllokues.

Në përfundim të punimeve të Asamblesë, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në drekën e shtruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse.

Berisha me Presidentin e Bhutanit Thinley

Ajo që ka munguar gjatë qëndrimit në SHBA ishin takimet me lider botëror. Në ditën e fundit Berisha nuk pati asnjë takim tjetër përveç atij me homologun e Malit të Zi Igor Lukshiç. Ndërsa më parë ishte takuar me kryeministrin e Kuvajtit Sheik Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, Presidentin e Sllovenisë Danilo Turk dhe kryeministrin e Bhutanit Jigme Yoser Thinley. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›