E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: Nuk mund të diskutoj në një kasolle për çështjet e mëdha

Spartak Ngjela, pjesë e opozitës, duke folur për mungesën e tij në tryezën e kësaj të fundit për reformën zgjedhore, ka thënë se mungoi për arsye seriozitetit. Ngjela është shprehur se nuk mund të diskutojë për çështje kaq të mëdha në një kasolle, duke iu referuar vendit ku u krye takimi, selisë së Partisë Demokristiane.

Opozita është në një moment shumë të përgjegjshëm përballë kësaj krize dhe duhet të tregohet shumë serioze. Nuk mund të degradojë në këtë mënyrë. Duhet të dimë dy gjëra, Kultura vjen nga metropolet, ka thënë Ezra Pound. Politika është përgjegjësi e madhe për qeverisjen dhe mbarëvajtjen e një shoqërie. Ne nuk mund të futemi në një kasolle, të marrim vendime të mëdha për të ardhmen, është shprehur Ngjela.

Duhet patjetër që këto bisedime të bëhen në një qendër të madhe publike, ose tek Muzeu Kombëtar, ose tek Pallati i Kongreseve, ose në një hotel të nivelit të lartë, që është simbol publik. Nuk mund të futem unë për çështje të mëdha të Kushtetutës dhe të vendit, për dinjitetin dhe personalitetin e njeriut, në një kasolle, apo një dhomë partie, vetëm e vetëm për t’i bërë qejfin një njeriu. Kjo ishte arsyeja ime dhe unë jam i bindur se në këtë linjë do të veproj, unë i ndërroj pozicionet e bindjeve të mia, u shpreh Ngjela për Panorama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›