Berisha: Prodhimi bujqësor, mundësi për ti shpëtuar krizës ekonomike

Prodhimi bujqësor është një mundësi për ti shpëtuar krizës ekonomike. Këtë fakt e deklaroi kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, në ceremoninë e hapjes së panairit "AGROBIZNES E TURIZËM 2012". Kryeministri ndër të tjera premtoi investime në zonat rurale dhe më shumë mbështetje për fermerët.
“Festë e madhe e prodhuesve, fermerëve, dhe biznesmenëve në fushën e agrobiznesit në Shqipëri dhe vende të tjera, si dëshmi e suksesit të madh për fermerët në punën e tyre të shkëlqyer që bëjnë. Përshendes gershetimin e idese se panairit të agrobiznesit me turizmin, dy realitetet të lidhura ngushte me njëra tjetrën. Prodhimi bujqësor është dhe mbetet i një rëndësie parësore, përqëndrimi te bujqësia dhe prodhimet e saj janë të një rëndësie të jashtëzakonshme në performancën e një ekonomie të vendit, në llogaritjen e cmimeve dhe tregjeve.
Shqipëria ndonëse ka sipërfaqen më të vogël të tokës për frymë në BE, në të vërtetë ka tokën më pjellore. Potencialet e tokës shqiptare janë të jashtëzakonshme, ka mundësi që me projekte të shumëfishojë sipërfaqen e tokës së mbjellë. Ka tokë pak, po e ka plot diell e ujë. Prodhimet e saj në terësi janë aromatike. BE e ka përparësi të madhe prodhimin bujqësor dhe biznesin, në terësi është përqëndruar në ngritjen e infrastrukturës rrugore në gjithë vendin. Operatorët turistikë të vendit kanë gjetur bashkëpunimin dhe kanë vendosur të organizojnë sëbashku këtë panair. Mikpritja nuk shitet, po s`ka mall më të cmuar për njeriun” tha ai.
Ndërkaq Kryeministri ka theksuar dhe njëherë rëndësinë e infrastrukturës, në zhvillimin e sektorit bujqësor, si mundësia më e mirë dhe e shpejtë ku produktet gjejnë tregun.
“Miliarda dollarë janë investuarnë infrastrukturën rurale, dhe do vazhdohet me investimet. Do rrisim mbështetjen për prodhimin bujqësor, kryesisht në frutikulturë. Me mbështjetjen dhe aplikimin e metodave moderne buqësia do të marrë tjetër zhvillim” theksoi Kryeministri.
Ndërkaq panairi është përshëndetur dhe nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi.
Panairi, i cili do të jetë i çelur në datat 20-23 shtator do të mbledhë sëbashku si asnjëherë tjetër në një vend të vetëm traditat, krahinat, prodhuesit, ushqimet dhe verërat më të mira të Shqipërisë, në kuadër edhe të vitit jubilar të pavarësisë.
Në stendat dhe pavionet e Panairit “AGROBIZNES E TURIZËM 2012”, veç prodhimeve shqiptare, të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë të njihen edhe me destinacionet turistike të të gjitha qarqeve, me vendet më të bukura të natyrës shqiptare dhe rrugët se si mund të shkohet atje.