E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Projekti i gazsjellësit TAP, më i miri

Sipas tij, ku projekt kushton më lirë se çdo projekt tjetër në këtë drejtim.

“Projekti për ndërtimin e gazsjellësit TAP, që do të kalojë edhe në Shqipëri ka avancuar dhe ka një mbështetje të fuqishme, shumë të rëndësishme politike dhe e ka të qartë perspektivën”, u shpreh kryeministri. 

Kryeministri theksoi se projekti Trans Adriatic Pipeline, synon trasportin e gazit nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz-it, në Azerbajxhan, në tregjet e Europës Perëndimore. “Projekti është një gazsjellës që fillon në Kaspik në Shardonizë dhe kalon përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, Italisë dhe më pas në Evropë”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, “ky është sistemi më fizibël që sjell gazin e Kaspikut në vendet perëndimore, kushton 2 miliard euro, më lirë se çdo projekt tjetër që shkon drejt Italisë dhe mund të ndërtohet në kohë rekord, për shkak të distancës së shkurtër”.  “Ky projekt kishte në bërthamë të tij bashkëpunimin e kompanisë EGL të Zvicrës dhe Stateoil e Norvegjisë, ndërsa tashmë edhe një kompani tjetër, gjigandi i gazit EON i Gjermanisë që është bërë pjesë e projektit”, tha Berisha.

“Projekti ka avancuar në sajë të një vullneti të hekurt të dëshmuar nga EGL dhe Stateoil dhe përpjekjeve të vendeve, mes të cilave dhe Shqipëria", theksoi Berisha, duke shtuar se, projekti e ka të qartë perspektivën.
“Autoriteti i Shah Deniz-it ka marrë disa oferta dhe ajo e bërë nga TAP është në distancë më e sigurta, më fizibël dhe më e shpejta që mund të sjellë gazin në Evropë”, tha Kryeministri.  Ai shtoi se “me kryeministrin e Norvegjisë, Stolteberg diskutuam për të bashkërenduar përpjekjet që ky projekt të bëhet realitet”.

Ai foli gjithashtu edhe për ngritjen e një hidrocentralit në kaskadën e Devollit, punimet për të cilin sipas kryeministrit do të nisin vitin e ardhshëm. “Ka përfunduar gjithçka dhe gjatë muajve të parë të vitit që vjen ne hapim tenderët e fillimit të punimeve. Natyrisht kjo është vepra më komplekse, më madhore e ndërtuar ndonjëherë në vend, që bazohet në dhjetëra km tunele dhe ka investimin më të madh”, tha ai.

“Projekti më i madh privat në këto 20 vite, projekti i ndërtimit të tre hidrocentraleve në Kaskadën e Devollit, që është më i madhi në Evropë për energjinë ujore, do të fillojë. Ka përfunduar gjithçka dhe kompanitë, IRN e Austrisë dhe Statkraft e Norvegjisë, pasi kanë zgjidhur të gjitha problemet, gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm do të hapin tenderat e fillimit të punimeve. Kjo është vepra më komplekse, më madhore që është ndërtuar në vend, që bazohet në dhjetëra e dhjetëra kilometra tunel dhe ka investimin me të madh”, tha Berisha. Kryeministri shtoi se, “u ra dakord që qeveria të fillojë vitin e ardhshëm ndërtimin e rrugës dhe qytetarët  Gramshit do të kenë të gatshme rrugën e re që i sjell drejt kryeqytetit".

“Do të jenë 18 kilometra rrugë nga më panoramiket e rajonit”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, “Kaskada e Devollit do të jetë realiteti më i madh i investimeve private në Shqipëri këto 20 vite duke lënë në qetësi edhe skeptikët, që këtë projekt e kanë parë me skepticizëm. “Shpejt kjo ëndërr e madhe do të fillojë të shndërrohet në realitet”, tha Berisha. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-16 13:02
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›