Berisha: “Prokurime elektronike edhe në komunën më të largët”
TIRANË –Pushteti vendor dhe entet shtetërore duhet të respektojnë ligjin dhe duhet të kryejnë të gjitha procedurat e tenderimeve në mënyrë elektronike. Kështu është shprehur kryeministri Berisha dje, në mbledhjen e qeverisë, duke e konsideruar 2009 vitin e prokurimeve elektronike. “Nuk do të mund të ketë në mënyrë absolute asnjë lloj prokurimi tjetër përveç atyre elektronike”, - tha prerë kreu I qeverisë. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave, “vihen re disa tendenca në qeveritë vendore që hezitojnë për të proceduar me këtë mënyrë elektronike”. Berisha theksoi se “vendim është i vlefshëm jo vetëm për qeveritë vendore, por për të gjitha entet kontraktuese, duke nisur nga Kryeministria e deri në komunën më të largët të vendit. “Qeveria ka marrë të gjitha masat për të rritur në shkallën më maksimale kapacitetet e sistemit elektronik të prokurimeve”, - u shpreh Kryeministri, ndërsa kërkoi nga ministrat që të mbledhin urgjentisht autoritetet dhe entet e tyre përgjegjëse për prokurimet dhe t’i vendosin në pozita pune. Për monitorimin e procesit, qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Financave. Hapja e rrugës për prokurimet elektronike është bërë me vendimin e qeverisë, të datës 21 janar të këtij viti, dhe është pjesë e paketës së reformave që ka deklaruar qeveria për të luftuar korrupsionin.
Duke filluar nga muaji janar, të gjitha prokurimet po realizohen në rrugë elektronike; edhe komunikimet mes operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve kontraktore, tashmë bëhen përmes internetit. Përveç ofertave dhe dokumenteve të tenderimit, edhe ankimet apo sqarimet mes palëve realizohen në mënyrë elektronike.
Drejtoresha e APP-së, Canka: “Prokurime on-line në të gjithë vendin”
Në të gjithë vendin, edhe në komuna apo qytete të largëta, janë marrë masat për të bërë tenderimet on-line. Kështu ka pohuar për mediat drejtoresha e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cankja. Sipas saj, edhe për bashkitë apo komunat e thella do të ofrohen mjete dhe kushte në qarqet e ndryshme të vendit, ku ka akses interneti. Ajo ka pohuar se procesi i prokurimeve on line ka nisur që në vitin 2008, ku janë realizuar mbi 8000 praktika tenderuese, të cilat në vlerë financiare përbëjnë 47% e fondeve publike. Korporata Energjetike, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe institucionet qendrore, tashmë i bëjnë prokurimet e tyre në mënyrë elektronike. Sipas drejtoreshës së APP-së, Canka, një proces i tillë përmban shumë anë pozitive, si shkurton afatet e procedurave nga 30 ditë që ka qenë më parë në 23 ditë. Procedurat e tjera, të cilat kanë afate më të shkurtra, siç është procedura “kërkesë për procedim”, ka afatin 10 ditë dhe nuk ka nevojë për një shkurtim të mëtejshëm.
Për realizimin e prokurimeve on-line, u financua nga fondi i Sfidës së Mijëvjeçarit, pra nga USAID. Qeveria ka akorduar një fond të konsiderueshëm për Agjencinë, që llogaritet në rreth 700,000 dollarë për të bërë të mundur realizmin e plotë të prokurimeve publike, duke filluar nga përmirësimi i sistemit, shtimi i kapaciteteve të serverave, si dhe internetit.
3 Shkurt 2009