E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me pronat në Kashar, ndëshkohen zyrtarët e parë

Gjykata e Tiranës dha dje vendimin me burg dhe gjobë për të arrestuarit. Dënimet që do të vuajnë të pandehurit dhe gjobat që duhet t’i shlyejnë shtetit

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Faktit Tiranë ndëshkoi dje zyrtarët e parë për abuzimet me pronat në Kashar. Trupi gjykues, pas njohjes me pretencën që kërkoi prokuroria dhe versionit të fundit të mbrojtjes, vendosi t’i cilësojë fajtorë të gjithë të pandehurit dhe i dënoi ata jo vetëm me burg, por edhe me gjobë. Ndëshkim më të rëndë mori ish-kryetari i komunës së Kasharit, që e la këtë post pas arrestimit që iu bë për abuzimet me pronat. Edhe për të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje dënimet variuan pak a shumë të njëjta, pavarësisht pozicionit që kanë pasur ata në këtë dosje. Në seancën e fundit, prokurori i dosjes, Armand Gurakuqi, kërkoi masa të rrepta dënimi për të pandehurit. Masa e dënimit që u kërkua nga prokuroria ishte për Alfred Sulën 12 vite burg dhe 15 milionë lekë gjobë, për Ismail Sulën 10 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë, për Faik Fejzën 9 vite burg dhe 10 milionë, për Islam Sherën 8 vite burg dhe 6 milionë, për Bardhyl Kamberin 2 vjet provë me kusht, për Shefqet Alikon 6 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë dhe për Xhevahir Hykën 7 vite burg dhe 6 milionë lekë gjobë. Vendimet e djeshme kanë treguar se Gjykata është treguar më zemërgjerë me të pandehurit që kanë përfituar edhe nga gjykimi i shkurtuar.
Pendesa
Zyrtarët e Kasharit, të arrestuar për abuzimet me pronat, i kërkuan Gjykatës disa seanca më parë gjykim të shkurtuar. Të arrestuarit për pronat i kanë pranuar aktet në gjendjet që ndodheshin, duke e përshpejtuar kështu procesin gjyqësor. Pak muaj më parë, Task-Forca preu fletë-arrestet për tetë ish-zyrtarë të Kasharit, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “mashtrim” etj. Falë këtij vendimi fillimisht u arrestuan Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i komunës Kashar; Naim Karaj, 45 vjeç; Faik Fejza, 56 vjeç, ish- kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007; Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune; Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës; Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. E njëjta masë sigurie u vlerësua edhe për shtetasin Ilir Sula, 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të komunës Kashar, i cili u kap në kushtet e flagrancës me një armë pistoletë “TT”, pa leje. Sulës iu rikthye liria falë vendimit të Gjykatës së Lartë pak ditë më vonë. Pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes e solli për gjykim dosjen në gjykatë.
Arrestimi
Të pandehurit e këtij procesi u arrestuan në Tiranë, në kuadër të operacionit "Kashari 2", i cili u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me njësinë "Task-Force" në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, të kryera me metoda speciale të hetimit, shtetasit e mësipërm dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Madje personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë, rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit "Kashari 2". Atyre iu bllokuan me cilësinë e provës materiale shumë dokumente dhe formularë që komprometojnë veprimtarinë e tyre në ushtrimin e funksioneve që kryenin si përfaqësues vendorë në komunën e Kasharit, në Tiranë.

Pretenca që kërkoi Prokuroria
Alfred Sula 12 vjet 15 mln
Ismail Sula 10 vjet 5 mln
Faik Fejza 9 vjet 10mln
Islam Shera 8 vjet 6 mln
Bardhyl Kamberi 2 vjet provë
Shefqet Aliko 6 vjet 5 mln
Xhevahir Hyka 7 vjet 6 mln

Vendimi që dha Gjykata
Alfred Sula 6 vjet 6 mln
Ismail Sula 6.8 vjet 2 mln
Faik Fejza 4 vjet 5 mln
Islam Shera 3 vjet 2 mln
Bardhyl Kamberi 2 vjet 2 mln
Shefqet Aliko 3 vjet 3 mln
Xhevahir Hyka 4 vjet 3 mln

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›