Vdekja e Naim Frashërit
Moikom ZEQO
Poetët vdesin, por librat nuk vdesin. Duam apo nuk duam, do t’i afrohemi edhe çastit që e urrejmë dhe e përbuzim, domethënë, vdekjes.
Nuk kam qejf dhe dëshirë ta zë në gojë vdekjen e Naim Frashërit. Kronologët dhe pedantët le t’i shënojnë datat. Por këto data nuk janë matematikë e shpirtit. Naim Frashëri është një qenie njerëzore krejt e rrallë, e dyzuar, që ka vdekjen e një shekulli dhe lindjen e një shekulli, vdekjen e tij fizike dhe lindjen e tij kolektive e shpirtërore për të tjerët. Kështu, ai nuk është dhe njëkohësisht është. Kështu, ai ka qenë dhe njëkohësisht do të jetë. Duket sikur nuk ekziston në të tanishmen, por a nuk është e tanishmja gjithmonë e ardhmja, që bëhet e kaluar nëpërmjet një caku? E pra, ky cak është përherë Naim Frashëri.
Vdekja e Naim Frashërit më kujton një parabolë madhështore të bektashianëve. Është fjala për vdekjen e Pirit Sari Salltëk. Ai apostoloi bektashizmin në Ballkan, por ai qe një njeri gjithashtu i dyzuar si të tërë gjenitë. Në Korfuz u njoh si shenjtor i krishterë me emrin Shën Spiridoni. Ky shenjt është afreskuar në kishat e Shqipërisë. Për bektashianët Shën Spiridoni është Sari Salltëku. Nën rrobën e priftit të krishterë ai ruante herkën e dervishit bektashian.
Një libër tronditës do të ishte libri që do të përshkruante kriptobektashizmin. Kriptobektashizmi do të emblemohej me dyshen dioskure Shën Spiridon – Sari Salltëk. Kulti i Sari Salltëkut më i plotëfuqishëm në Shqipëri është në Krujë. Por ç’thotë parabola e vdekjes së Sari Salltëkut?
Para se t’i vinte vdekja, Sari Salltëku mblodhi rreth vetes shtatë dishepuj të tij. U tha atyre që t’i fusnin në dhomë shtatë tabute. Secili do të mbartte tabutin që i takonte, për ta çuar në Nishapur, Horosan, Sham, Krujë, Tomor, Bagdat, Qerbela. Pasi ata i futën shtatë tabute në dhomë, ai i largoi dishepujt. Ata nuk e panë kur vdiq. Ky është misteri më i madh i vdekjes, që nuk mund të shpjegohet.
Kur hynë në dhomë, ata panë të shtatë tabutet me kapakë të mbyllur, teksa Sari Salltëku nuk ishte asgjëkundi. I morën të shtatë tabutet mbi supe për t’u kthyer në vendet e tyre. Tabutet qenë të rënda. Secili tabut kishte brenda trupin e shenjtit Sari Salltëk. Mistika e kësaj parabole na vë në mendime, na shastis, njëkohësisht na kthjellon.
Kush mund të thotë se edhe vdekja e Naim Frashërit, përveçse i ka ngjarë vdekjes së Haxhi Bektashit, është njëkohësisht e barabartë me vdekjen e Sari Salltëkut. Të gjitha tabutet e shqiptarëve, nën kapakun e mbyllur, mbartin kufomën hyjnore të Naim Frashërit.
Nuk e besoni? Mendoni se jam i luajtur nga mendtë që po i them këto fjalë? Nëse nuk besoni, nuk është faji im. Nëse nuk më gjykoni dot mua, pse nuk e gjykoni ju veten?
Këtë gjë e them për ju, unë e kam paramenduar për veten time. Nëse çdo jetë e ka vdekjen si mundësi, ka dhe vdekje që kanë mundësinë e mosvdekjes.
Kjo gjë i takon Naim Frashërit ad sub aeternitas!
3 Shkurt 2009