E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, vizitë fëmijëve me sëmundje të rënda në Pediatri



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, vizitoi fëmijët e shtruar në Spitalin Pediatrik të Tiranës. Rama u ndal për disa çaste me fëmijët, të cilët vuajnë sëmundje tumorale dhe sëmundje në gjak, të cilëve u duhet të qëndrojnë dhe më gjatë në spital, si dhe me prindërit e këtyre fëmijëve që mundohen t’u japin atyre përkujdesjen dhe mbështetjen e duhur. Bashkia e Tiranës ka angazhuar të rinjtë e rrjetit rinor, të cilët çdo fundjavë do të jenë pranë fëmijëve të këtij spitali, për t’u dhënë atyre gëzim por kryesisht shpresë dhe kurajë në përballimin e situatës në të cilën ata ndodhen. Të rinjtë e Rrjetit Rinor të Tiranës do të mundohen të gjenden pranë këtyre fëmijëve që kanë më shumë se kurrë nevojë për ndihmën e shoqërisë, duke i zbavitur përmes leximit, animacioneve të ndryshme apo mënyrave të tjera argëtuese, për t’i lehtësuar e për t’u rikthyer sadopak buzëqeshjen. “Ashtu siç është praktikë në spitalet dinjitoze të botës, edhe në këtë spital të Tiranës, ku kushtet janë tmerrësisht të vështira dhe ku fëmijë e prindër përpiqen çdo ditë për të kapërcyer vështirësi të jashtëzakonshme, ne dëshirojmë që t’ua lehtësojmë sado pak këtë përpjekje duke angazhuar rrjetin rinor”,- u shpreh Rama.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›