Zjarr në ish Kombinatin e Drurit në Elbasan, banorët në panik
ELBASAN- Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në ish Kombinatin e Drurit në Elbasan, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës përreth. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur 3 zjarrfikëse që po punojnë për izolimin e vatrës së zjarrit. Nga të dhënat e para mësohet se flakët kanë përfshirë dy fuçi më bitum, ndërkohë që kërcënojnë edhe depozitat e mazutit që janë fare pranë vatrës së zjarrit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, zjarrfikësit sigurojnë se nuk ka vend për panik pasi flakët janë nën kontroll, ndërkohë që shtojnë se banorët janë alarmuar për shkak të resë së madhe të tymit që kanë parë.
Ata sigurojnë se nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve, ndërkohë që po vijon puna për eliminimin e përhapjes së flakëve në mënyrë që të shmangen dëmet e tjera. Ende nuk ka asnjë version të policisë për shkakun e zjarrit, për të cilin do të deklarohet pas shuarjes së plotë të zjarrit dhe mbylljes së ekspertizës në vendin e ngjarjes.