E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli i qytetarit



10 vjet pa legjendën e burgjeve, Mandelën shqiptar – Osman Kazazin, atdhetari, “Pishtari i Demokracisë”, “Qytetar nderi i Shkodrës”, “Qytetar Nderi i Tiranës”. Kalvari i jetës së tij dhe rezistenca e desidentit Osman Kazazi në burgjet e kampet e internimit të regjimit komunist është i pashembullt

Me respektin e veçantë për figurën atdhetare të Osman Kazazit, po shkruaj këto rreshta, ashtu siç e kam njohur dhe vlerësuar. Besoj se sot, në shoqërinë shqiptare fenomeni i trallisjes në vorbullën e lakmisë për konsumim material, e ka domosdoshmëri të njohë e të vlerësojë tiparet morale që mbartën shumë njerëz të këtij kombi që sakrifikuan gjithçka për idetë dhe të respektojë qytetërimin e tyre.

U bënë dhjetë vjet që Osman Kazazi, legjenda e burgjeve, “Mandela shqiptar”, nuk jeton më. Nuk jeton njeriu që sakrifikoi gjithçka për idetë e tij nacional - republikane. Kalvari i jetës së tij dhe rezistenca e desidentit Osman Kazazi në burgjet e kampet e internimit të regjimit komunist është i pashembullt.

E gjykoj sot veprimtarinë e tij, mbas dhjetë vjetësh, me respektin që kam për vlerat qytetare që tregoi dhe mbi të gjitha për qëndrueshmërinë që ky qytetar i bëri diktatit të dhunshëm të mendësisë komuniste duke mos bërë kompromis me antivlerat që mbarte kjo mendësi.

Nuk mund të kuptosh fenomenin “Osman Kazazi” pa njohur trashëgiminë e familjes së tij, nga e cila buronin vlera të jashtëzakonshme traditash qytetarie, atdhetarie e familjare.

Nona Meja, nëna e Osmanit, një grua me trup mesatar, e dobët, me një shami të bardhë në kokë, energjike e autoritare, por një grua me fuqi të jashtëzakonshme karakteri dhe përkushtim të skajshëm ndaj familjes, kishte kaluar një jetë me tronditje e fatkeqësi pafund, duke pritur djalin e saj të vetëm i burgosur e internuar për rreth 40 vjet. Kurrë nuk e pashë të ligështuar, në sytë e saj kishte vetëm dashuri e shpresë se Zoti do ta bënte mirë!

Çfarë nuk hoqi shpirti i saj i brengosur se mos Zoti e merrte dhe ajo nuk arrinte të shihte të birin e lirë në shtëpi. Kurrë nuk e kam dëgjuar të ankohej për të birin, për shkak të të cilit vinin vuajtjet e diskriminimet politike. Një grua e jashtëzakonshme që raca shqiptare ka lindur!

Nona Meja ishte një grua tipike tiranase, fisnike, e zgjuar, e përkushtuar deri në vetëmohim ndaj emrit dhe nderit të familjes së saj. Kjo grua e respektuar kishte udhëhequr në kalvarin e persekutimit politik dhe ekonomik familjen me pesë motrat e Osmanit dhe dy fëmijët nga motra e madhe, Dija, mbesa e nipi, trashëgimtarëve të vetëm të drejtpërdrejtë që kjo e familje e madhe ka. Mikpritja e Nona Mejas ishte proverbiale, dera e Kazazëve, rrinte hapur për miq e shokë të shumtë të çunit, mikpritja e saj s’kishte cak. Zoti e ka pranë vetes së tij, në dritën e tij. Të pesë motrat e Osmanit të drejtuara nga Nona Meja përballuan me stoicizëm të jashtëzakonshëm persekucionin dhe urrejtjen komuniste. Kurrë nuk u ankuan për fatin e tyre plot dhembje, kurrë nuk u ankuan për pasojat personale e politike që u erdhën nga bindjet politike të vëllait. Kurrë nuk u lëkundën në besimin e tyre te “Lala”. Iu përkushtuan deri në ekstrem për ta mbajtur gjallë e me dinjitet të vëllanë kur ai ishte në burg me të gjitha mënyrat e format. Jetuan në mjerim ekonomik, por të vëllait në qeli i çonin rregullisht ushqime e veshje. Një solidaritet i hekurt dhe i palëkundshëm me fatin e të burrit të vetëm të shtëpisë për të përballuar diktaturën komuniste. Të pafund janë historitë që tregohen në këtë familje për sakrificën supreme që bënë për Osmanin, si i burgosur politikisht. Histori dhembjesh, lotësh, përkushtimi dhe qëndrese. Iu gjendën pranë atij gjatë burgosjeve të njëpasnjëshme e internimit me torba me ushqime në krah. Rrugëtime të pafund shprese dhe dëshpërimi, kilometër pas kilometri, në të ftohtë e zheg. Kanë ecur në këmbë me dhjetëra kilometra për të shkuar në burgun e Burrelit dhe të Spaçit, duke sfiduar hapur diktaturën, frymën e keqe të moralit komunist. Rrugëtime nëpër Shqipërinë e tulatur, të frikësuar, të mjerë, por edhe nëpër Shqipërinë e mikpritjes, guximit, zemrës bujare dhe fjalës së mirë. Jo rrallëherë udhëtarët dhe shoferët e rastit kishin frikë t’i ndihmonin këta njerëz në kalvarin e tyre drejt burgut të Osmanit. E tillë ishte katandisur raca shqiptare! Shikonin gra me fëmijë të ngarkuar me trasta dhe ata “burrat” kishin frikë të shkonin e t’i ndihmonin një copë rrugë. Osmani u lirua nga burgosjet e pashkëputura rreth vitit 1986, i plakur, i dobët fizikisht, por shpirti i tij ishte plot me liri, atdhedashuri, drejtësi e demokraci. Shpirti i tij lëshonte ndriçim të magjishëm, ëmbëlsi, bukuri. Kam bërë biseda të gjata me këtë njeri dhe kurrë nuk e kam dëgjuar të ankohej për jetën e tij të shkatërruar, të përbuzur e të përbaltur nga komunistët. Kishte moral e motivim të jashtëzakonshëm deri në kufijtë e të paarsyeshmes për të sfiduar të “keqen” e për të pritur të “mirën”. “Stofi” i tij moral e intelektual më joshte. Sytë i ndriçonin nga besimi se liria do t’i vinte Shqipërisë. S’kisha parë kurrë njeri tjetër në jetën time që të kishte atë ndriçim të brendshëm shpirtëror sa ç’kishte ai njeri kur binte fjala për lirinë e Shqipërisë. Kurrë s’e kam dëgjuar të ankohej nga Atdheu i tij, kurrë s’e kam dëgjuar të thoshte një fjalë të keqe për Kosovën, ah Kosova, makthi i tij, ëndrra e tij, dashuria e tij tejet e çmuar për gjysmën shqiptare që vuante nën serbët. Për Kosovën me Osman Kazazin nuk mund të bëje biseda normale, ai e idealizonte atë vend, ai adhuronte shqiptarët e Kosovës me një mendësi të rrallë. Vazhdimisht në vitet 1986-1990, ai ndiqej nga spiunët e Sigurimit të Shtetit, përgjohej dhe donin shkakun më të vogël që ta fusnin përsëri në burg. Gjakësorët komunistë nuk e njihnin dhembshurinë dhe koha tregoi se nuk e njihnin as pendesën për genocidin që i bënë kundërshtarëve të tyre politikë në 45 vjet qeverisjeje prej tyre.

Osmani në këto vite vazhdimisht e shikoja të veshur me rroba dimri që t’i kishte për çdo mundësi arrestimi që mund t’i bëhej në çdo orë, e në qelitë e ftohta të ishte disi i veshur. Në asnjë rast nuk e kam dëgjuar që të kishte dyshim se komunizmi do jetonte gjatë në Shqipëri. Vazhdimisht me një dëshirë të madhe më thoshte: “Këta” s’e kanë të gjatë! Një ëndërr e vjetër e antikomunistëve shqiptarë.

Dilte shpesh nga shtëpia në të ngrysur dhe takonte në fshehtësi miqtë dhe shokët e tij të vjetër, bisedonte me ta e kur kthehej nga këto takime ishte shumë optimist. Sesi ia bënte që të mos pikasej nga spiunët, kjo ishte puna e tij. Në shtëpi rregullisht dëgjonte lajmet në Zërin e Amerikës, stacionet italiane dhe komentonte me ne gjithë pasion vlerat e kulturës dhe moralin perëndimor e i krahasonte me antivlerat e moralit në kulturën komuniste të qeverisjes.

Kur e shikoje gjatë ditës në qetësinë e tij, në maturinë e tij, në dhembshurinë e tij për njerëzit, nuk e besoje se ky njeri që ka kaluar në kalvarin e tmerrshëm të burgut komunist, të kishte atë gjendje psiqike të ekuilibruar dhe të qetë. Por nën qetësinë e siluetës së tij gjatë ditës, gjumi i natës atë e tradhtonte. Një gjumë i trazuar me ëndrra e përjetime të llahtarshme, ku ulërinte, bërtiste, qante, lutej, kërciste dhëmbët me një zhurmë të tmerrshme, copëra emrash e përjetimesh pa lidhje përhapeshin në dhomën e vogël, emra njerëzish që ishin pushkatuar, përjetime dhune e tmerri që nuk mund të zhdukeshin nga mendja njerëzore. I kam përjetuar ato momente i shokuar me dhembje e brengosje për jetën e këtij njeriu, që në gjumin e thellë të natës, përjetonte kalvarin dhe jetën e tij të vërtetë, me të vdekurit, me të pushkatuarit, me të sëmurët, të pangrënët, të rrahurit, të poshtëruarit, të uriturit, të tradhtuarit, të zhgënjyerit, të frikësuarit, të çmendurit, me idealistët, nacionalistët, revizionistët, ballistët, zogistët, spiunët, vrasësit, hajdutët, psikopatët; një ferr i kuq që komunistët djallëzisht e përsosën deri në kufijtë e absurdit. Hijet e të shkuarës vallëzonin kobshëm nën ritmin fatal të fatit të paracaktuar. Era e ngrohtë e mrekullueshme e lirisë po frynte nga “Perëndimi”, duke shkrirë “akullin bolshevik”. Sovjetët të raskapitur me betejën e tyre të madhe me lirinë dhe vlerat shoqërore ishin dorëzuar. Në vendet ish-komuniste njerëzit po dilnin nëpër sheshe e rrugë, duke protestuar ndaj regjimeve komuniste dhe diktaturës së tyre, kudo ndjehej vrulli idealist i ëndrrës së lirisë. Shqipëria tejet e lodhur me komunizmin e saj, e vobektë dhe e mjeruar u rebelua. Populli liridashës doli në sheshet publike, ai nuk e kishte më frikë diktaturën komuniste. Dëshira për ndryshim e liri ishte bërë ortek i fuqishëm. Një artikull antiqeveri diku në një cep gazete ngazëllonte shqiptarët, demonstratat antidiktaturë nuk po reshtnin, nëpër mure shkruheshin parullat antiparti. Komunistët në fundin e tyre ishin të çoroditur, ndjeheshin të zënë në çark, bustet e diktatorëve Lenin e Stalin u hoqën natën me shpejtësi me shpresë se do zbutej rrebeshi popullor për liri e demokraci. Njerëzit në turma të mëdha, protestonin nëpër sheshet e qyteteve kundër regjimit të Enver Hoxhës. Njerëz të dëshpëruar nga mjerimi i tyre 50-vjeçar mësynë dhe u futën në territorin e ambasadave. Aty ku ata besonin se ishte liria dhe mirëqenia. Komunistët ishin dorëzuar, ishin frikësuar dhe trembur për jetën e tyre, disa më fanatikët mundoheshin të kërcisnin dhëmbët, por ishin groteskë e mjeranë në kërcënimet e tyre. Regjimi u detyrua që njerëzit e strehuar nëpër ambasada t’i lejonte të shkonin jashtë Shqipërisë. Komunistët kishin nënshkruar humbjen e betejës me lirinë.

Demonstrata e qytetarëve të Tiranës për një jetë më të mirë, për ekonominë e lirë të tregut, për pluralizmin politik po përhapej në hartën e Shqipërisë. Filluan të shkatërroheshin e të digjeshin simbolet e komunizmit. Të burgosurit politikë u liruan nga burgu nën diktatin e frymës së lirisë që gjallonte me furi në të gjithë Shqipërinë. Në një situatë të tillë Osmani nuk zinte vend, ishte sa në një demonstratë e sa në një takim të fshehtë me shokët e tij të burgut e të idealit. Filloi të komunikonte në telefon me ish - shokë që jetonin jashtë vendit. Ishte i gjallëruar e i frymëzuar nga liria që po vinte me hapa gjigantë në Shqipërinë e robëruar. Në rrugën e shtëpisë së tij ishte librari “Flora”, një simbol komunist, njerëzit e rebeluar ia vunë flakën dhe e shkatërruan këtë simbol. Osmanin e arrestojnë në shtëpinë e tij dhe e mbajnë në Degën e Punëve të Brendshme të Tiranës. E akuzojnë se ka nxitur e udhëhequr turmat e njerëzve për të djegur simbolet komuniste. Mbas disa orësh e lirojnë, duke e këshilluar që të mos merret me veprimtari antikomuniste. Këshillë mjerane! Mjeranët komunistë ishin sa të trembur e aq të pashpresë në mbijetesën e tyre sa që kishin filluar të tregonin publikisht me armiqtë arsyeshmëri e njerzillëk?!

Era e lirisë po materializohej në një proces vendosjesh të rregullave e ligjeve të reja për shoqërinë shqiptare. Demokracia u rivendos në Shqipëri pas 50 vjetësh. Filluan të formohen partitë e para të demokracisë së brishtë shqiptare, gazetat e para të lira, shoqatat e para të organizimit vullnetar. Shqipëria tashmë ishte shkëputur nga hija e diktatorit Enver Hoxha, kudo emri i tij hiqej, bustet e tij të shumtë shembeshin, kundërpërgjigjja e komunistëve ishte e dobët dhe e pashpresë për të fituar këtë betejë me shqiptarët liridashës. Në riorganizimin shoqëror që po bënte shoqëria shqiptare të burgosurit politikë si një forcë e madhe mendore e liridashëse organizohen në shoqatën e tyre për të kërkuar të drejtat e marra me dhunë nga komunistët. Osmani si njeriu që kishte bërë më shumë burg se asnjë tjetër, si njeriu që mëshironte frymën qytetare, humanizmin, kulturën, devotshmërinë e ndershmërinë e tij u zgjodh njëzëri kryetar i shoqatës së të burgosurve politikë të Shqipërisë.

Një barrë shumë e rëndë për supet e tij të plakur e të rraskapitur. Do drejtonte një shoqatë që në gjirin e saj do kishte njerëz të traumatizuar, fyer, poshtëruar, lodhur, uritur mjeruar skajshëm. Vetëm Mesia mund t’i drejtonte këta njerëz drejt qetësisë shpirtërore e materiale.

Osmani ky qytetar intelektual i Tiranës, ky qytetar i nderuar i këtij kombi ka bërë për këta njerëz maksimumin e mundshëm që një qenie njerëzore mund të japë me veprimtarinë e tij shoqërore.

Shtëpia e tij u kthye në seli të shoqatës. Me mijëra njerëz u mikpritën në shtëpinë e tij të vjetër e të rrënuar, por bujare, për të takuar Osmanin, për të biseduar me të, për të qarë hallet me të, për ta dëgjuar e kërkuar mend. Kam parë në këtë shtëpi mjeranë që të trishtonin në ndihmën që kërkonin, gra që kërkonin burrat e tyre të zhdukur, fëmijë që donin të dinin për baballarët e tyre, njerëz që nuk dinin se ç’kërkonin, ballistë, zogistë, ish-komunistë, malësorë, fshatarë, qytetarë e gjithë Shqipëria e persekutuar e distancuar nga komunizmi. Njerëz që donin ndryshim, që donin ëndrrat e tyre të realizoheshin. Ajo shtëpi e rrënuar dykatëshe i pranoi të gjithë në gjirin e saj, i mirëpriti, u dha shpresë, u mundua t’ua zgjidhte hallet, por hallet ishin të shumta dhe ishte e pamundur t’i zgjidhte të gjitha. Këta njerëz ashtu si gjithë shoqëria shqiptare me vështirësi po orientoheshin në një shoqëri të lirë. Të rritur e lindur në diktaturë ato ishin si të dehur nga liria. A ishte Osmani Mesia? Jo, ai ishte një qytetar si ata, bashkëvuajtës si ata. Kam parë njerëz të zhgënjyer e të mërzitur që shtëpia mikpritëse nuk po bënte mrekulli, por mrekullia nuk ndodhej në atë shtëpi, por ishte te liria që fituan, ishte në zemrat e shqiptarëve që kishin fituar dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur në vullnetin e shqiptarëve për begati e demokraci.

Kam qenë dëshmitar i shumë njerëzve me influencë në shoqërinë shqiptare që vizitonin këtë shtëpi, nga jugu e veriu, kosovarët ishin të privilegjuar, kam qenë i pranishëm në vizitën e z. Ibrahim Rrugova dhe delegacionit të tij që kishin ardhur nga Prishtina, me z. Rexhep Qosja, Demaçi, e shumë e shumë të tjerë shqiptarë të larguar nga Kosova që jetonin në Perëndim. Kam parë e kam pasur fatin të jem mes atyre njerëzve të mrekullueshëm që për lirinë e vendit të tyre kishin sakrifikuar gjithçka.

Me qindra njerëz iu përkushtuan me shumë dëshirë përpjekjeve për të ndihmuar njerëzit e persekutuar gjatë regjimit komunist që ata të integroheshin sa më shpejt e pa dhimbje në rrjedhën e shoqërisë shqiptare. U mundësua komunikimi me shqiptarët e arratisur jashtë Shqipërie, që të ndihmonin atdhetarët e tyre me ndihma humanitare. Me dhjetëra njerëz nëpër botë iu përgjigjën kërkesave për ndihmë. Shqiptarët jashtë atdheut dhanë një ndihmë të pakursyer në këtë drejtim. Shumë fondacione të huaja u afruan në Shoqatën e të persekutuarëve që t’i shërbenin këtyre njerëzve në nevojë. Ndihmat në ushqime, veshje, e gjëra të tjera vërshuan nga gjithë bota, thirrja për ndihmë u mirëprit dhe solidariteti njerëzor tregoi vlerën e tij madhështore. Osmani e njerëzit që e ndihmonin bënë të pamundurën që këto ndihma të administroheshin mirë e të shpërndaheshin në bazë të kritereve sa më të drejta e humane. Natyrisht që kishte dhe abuzime nga individë të veçantë, por e përgjithshmja ishte në frymën e humanizmit njerëzor. Një marrëveshje shumë frytdhënëse ishte marrëveshja midis Qeverisë Teknike dhe Shoqatës së të persekutuarve politikë për arsimimin në universitete të të persekutuarve e fëmijëve të tyre pa normat e kriteret e shkollës së lartë. Me mijëra njerëz u regjistruan nëpër fakultetet e vendit, njerëz që nuk kishin moshën për universitet, por që ishte një ëndërr e mohuar e tyre. Gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 1992, Osman Kazazi propagandoi në të gjithë Shqipërinë sa në një vend e në tjetrin, sa në podiume e sa nëpër salla ku mblidheshin njerëz dhe u fliste për domosdoshmërinë e fitores së zgjedhjeve nga forcat demokratike. Fitorja e zgjedhjeve të 1992 ishte një fitore e gjithë kombit demokratik shqiptar. Osman Kazazi punoi ngushtë me forcat demokratike që fitorja të arrihej. Zgjedhjet krijuan mundësinë që forcat demokratike të drejtonin vendin. Një marrëveshje tjetër mjaft e suksesshme ishte marrëveshja midis PD dhe Shoqatës së të Persekutuarve, respektivisht z. Sali Berisha e z. Osman Kazazi që kjo e fundit t’i afronte PD-së njerëzit e saj më të mirë për administratën e ardhme mbas zgjedhjeve të marsit 1992. Osmani shumë i ndjeshëm për fatin e integrimin e bashkëvuajtësve të tij arriti një marrëveshje me shumë sukses me qeverinë “Meksi”, ku gatishmëria dhe ndjeshmëria e Kryeministrit për të ndihmuar njerëzit e persekutuar ishte shumë e lartë. Dhe vërtet në administratën shtetërore u punësuan shumë të përndjekur politikë, iu dhanë shumë lehtësira financiare kësaj shtrese dhe shkollimi i fëmijëve të të përndjekurve ishte një prioritet i kësaj qeverie. Ai njeri plak e i urtë bëri sa mundi e diti që influencën e vet në qarqet drejtuese të vendit ta shfrytëzonte në të mirë e dobi të shtresës së të përndjekurve politikë. Kurrë nuk u lodh së besuari dhe mbrojtur se Shqipëria më në fund do bëhej me shtetin e së drejtës, me shtetin e kombit të lirë, mbi barazinë e të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›