Berisha: Prokuroria pseudo-akuza për Mediun
Kryeministri Berisha akuzon ashpër Prokurorinë për akuzat ndaj kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Duke folur pak minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes parazgjedhore me PR-në, kreu i Ekzekutivit la të kuptohet se sulmet në drejtim të ish-ministrit të tij vijnë nga Presidenti Topi, teksa tha se materialet në media i nxjerrin ata që duan ta kthejnë organin e akuzës në parti politike. “A e keni parë sot dosjen të publikuar në media? Kush e nxori dosjen? E nxori opozita? Jo, nuk e ka nxjerrë opozita. Unë do doja të thosha se e ka nxjerrë opozita. E ka nxjerrë ai që do të shndërrojë Prokurorinë në parti politike. Ata e kanë nxjerrë, sepse po të kishte argumente dhe po të ishin të fortë, botonin gazeta”, u shpreh Kryeministri Berisha. I pyetur nga gazetarët për nënshkrimin e marrëveshjes me një prej zyrtarëve të lartë të akuzuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre, kreu i qeverisë theksoi se Prokuroria u nis nga urdhra politikë për të ngritur akuza të pavërteta. “Prokuroria, me akuzat false që ka formuluar në fillim, ka përdhosur të vdekurit. Mos harroni se ata janë vëllezërit e mi, vëllezërit e tu, nënat tona, motrat tona, njerëzit tanë. Në mënyrën se si nisi Prokuroria, me urdhrat politikë, për të formuluar pseudo-akuza, ka qenë ky Kryeministër që ju ka thënë ju se duhet të zbardhet e vërteta dhe duhet të jeni të bindur se e kam bërë jo për të mbrojtur ndokënd mbi tokë, por vetëm për të mbrojtur hetimin që duhet të bëhej, pasi, nëse e akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron, siç iu tha zotit Mediu se ai ka shmangur dhe anashkaluar ushtarakët, kjo është si t’i thuash këtij populli se ‘ti ha bar’”, theksoi më tej Berisha. Megjithatë, sipas kreut të qeverisë, maxhoranca e djathtë ka ende besim te sistemi gjyqësor, por shtoi se nuk do të pranojë përdorimin e viktimave të Gërdecit për politikë. “Kjo nuk mund të ndodhë dhe këtë nuk duhet ta pranoni as ju, si gazetar, asnjë shqiptar, pasi jemi të gjithë vdekatar. Kjo është përgjigjja ime. Po të ishte për opozitën, mund ta atakoja unë, por nuk mund t’i bie në qafë. Dosja sot del nga të dobëtit, të keqpërdorur politikisht, që kanë frikë nga ligji dhe marrin e bëjnë mediatizim. Ky nuk është shteti ligjor”, përfundoi kreu i qeverisë.