Koalicioni PD-PR, ja pikat e paktit parazgjedhor
ADI SHKEMBI
PD nis zyrtarisht formimin e koalicionit të djathtë për zgjedhjet e 28 qershorit. Ashtu si në fushatën e 3 korrikut dhe të 18 shkurtit, të parët që janë ulur në krah të Kryeministrit Berisha për të firmosur marrëveshjen paraelektorale, edhe këtë herë kanë qenë republikanët e Fatmir Mediut. Dje në mesditë kreu i qeverisë, njëherësh kreu i PD-së, dhe ai i PR-së hodhën firmën në marrëveshjen me 9 pika, e cila sipas Berishës do të pasohet nga marrëveshje me disa forca të tjera politike të spektrit të djathtë. “Pra, duke çelur siparin e një seri marrëveshjesh, pasi koalicioni do të jetë i gjerë, ky sipar natyrisht do të hapej me aleatin kryesor, me të cilin ne kemi rrugën tashmë 17-vjeçare që nga themelimi dhe përmbysja e diktaturës komuniste”, u shpreh Kryeministri Berisha. Ndërsa kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se, “ne duhet të punojmë së bashku që të realizojmë të gjitha premtimet, në radhë të parë ndaj atyre që na kanë mbështetur, duke filluar nga të përndjekurit e deri te rruga e zgjidhjes për çështjen e pronës, e cila duhet ta vendosë shtetin mbi bazat ligjore dhe të ekonomisë së tregut”.
Marrëveshja
Në nëntë pikat e marrëveshjes së firmosur nga krerët e dy forcave politike, përcaktohen modalitetet e bashkëpunimit mes tyre. Kështu në dy pikat e para të saj thuhet se “PD e PR bien dakord për formimin e një koalicioni të përbashkët elektoral, në përputhje me Kodin Zgjedhor. PD e PR bien dakord për formimin e një koalicioni të përbashkët elektoral dhe regjistrimin e tyre në KQZ si subjekte përbërëse të një koalicioni zgjedhor në shkallë vendi në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor”. Nisur nga Kodi Zgjedhor i miratuar në Parlament në fund të vitit të kaluar, këtyre dy forcave u hapet rruga për formimin e koalicionit të përbërë, çka shton mundësinë e partive të vogla që bëjnë koalicion me dy forcat e mëdha për të qenë prezent në Parlament. Ndërkohë për përcaktimin dhe zbatimin e taktikave elektorale sa më efektive të koalicionit, do të ngrihet një grup i përbashkët pune, i cili do të funksionojë mbi bazën e një planveprimi dhe kalendari takimesh. Në të njëjtën kohë me firmosjen e kësaj marrëveshje, në rast të fitores së koalicionit të djathtë, PR-ja do të jetë sërish pjesë e qeverisjes në të gjitha nivelet. “PD e PR bien dakord që pas fitores së tyre në zgjedhjet e 28 qershorit angazhohen të zhvillojnë partneritetin në qeverisjen e ardhshme, nëpërmjet bashkëpunimit dhe hartimit të një programi të përbashkët qeverisës, si dhe përfaqësim në poste politike të të gjitha niveleve qeverisëse të administratës publike, në një raport real dhe të plotë në përputhje me peshën politike që do të konfirmojë secila nga këto parti në zgjedhje”, thuhet në pikën 7 të marrëveshjes.