E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: E kuptoj edhe luftën brenda llojit

 

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ka cilësuar akuzat e Prokurorisë së Përgjithshme si një proces i montuar politikisht. Në një nga deklaratat e tij lidhur me tragjedinë e Gërdecit, deputeti republikan është shprehur se, “kam duruar çdo akuzë për shkak të atyre viktimave që duan zbardhjen e të vërtetës dhe kam vepruar në mënyrë institucionale, sepse respektoj institucionet e këtij vendi. Për shpifjet në media ndaj personit tim, unë i jam bindur vullnetit të maxhorancës dhe nuk kam kërkuar ndjekje penale për asnjë, pavarësisht se shpif. Por media është njëra anë, nëse Prokuroria kthehet në instrument të politikës, kjo jo vetëm që është e turpshme, por është e rrezikshme”, deklaroi Mediu. Kryerepublikani ka theksuar më pas se, “nga mënyra sesi u iniciua procesi dhe si u hetua, nuk prisja gjë tjetër, përveçse një proces të motivuar politikisht, por dhe pse kisha bindje, besoj se me dorëheqjen dhe lënien e imunitetit kam bërë detyrën time. Dhe nuk kisha asgjë tjetër në dorë përveç kësaj, të dorëzoja detyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe të lija imunitetin për t’i shkuar së vërtetës deri në fund”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›