E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koha e politikanëve të vjetër ka mbaruar, është koha jonë”

 

Kryetari socialist Edi Rama ka vazhduar turin e tij me Vullnetarët për Bashkimin e ri në qytetin e Peqinit. Gjatë fjalës së tij, Rama ka qenë i prerë dhe i qartë për atë që pritet të ndodhë në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, ka mbaruar koha e politikanëve të vjetër. “Asgjë nuk është e pamundur në rast se ne të gjithë bashkë, bëhemi bashkë për t’u thënë politikanëve të vjetër të së shkuarës, se koha juaj ka mbaruar dhe tani është koha jonë për të shkruar faqen tonë të historisë”, tha Rama. Sipas tij, gara e qershorit nuk është një garë personale. “Dua ta fitoj këtë garë bashkë me ju, sepse unë besoj te Shqipëria, besoj te talenti dhe forca e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Besoj te një atdhe, të cilit Zoti i ka falur gjithçka i duhet për të qenë i begatë”, tha Rama. Edhe në bashkëbisedimin me qytetarët e Peqinit, kreu socialist i është referuar një thënie të presidentit amerikan për forcën e popullit që beson. “Do huazoj një fjali nga presidenti i SHBA-së, i cili një ditë kur pothuajse askush nuk e besonte që do të bëhej president i SHBA-së tha: ‘Një popull që e do vendin e vet mund ta ndryshojë’”, u shpreh Rama. Kreu socialist i kërkoi qytetarëve të Peqinit që të kenë besim te politika dhe vizioni që PS-ja ka për të ardhmen. “Do t’i japim politikës pasionin qytetar e atdhetar. Do t’i japim politikës shpirtin e papajtueshmërisë me të keqen dhe përkushtimin ndaj të vërtetave të thjeshta të njerëzve, të atyre miliona shqiptarëve që nuk kanë dashur në 18 vjet pushtet, por kanë dashur rrugë, punë, shpresë për veten, familjen, fshatin apo qytetin e tyre”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›