Rama me kandidatët e Durrësit: PS ka patronazhim të artë në këtë qytet; Budini: Fitojmë 9-5

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama në sesionin e tretë të podkastit maratonë për prezantimin e skuadrës garuese të PS për zgjedhjet e 11 majit, kishte të ftuar sot edhe pesë nga kandidatët për deputetë të qarkut Durrës, Jona Osmani, Dorina Laçi, Loer Kume, Etleva Budini dhe Edvin Prençi.
Kandidatja Jona Osmani, në profesion arkitekte është njëherësh mama e një vajze të vogël, ndërsa ka lindur dhe ka jetuar në Durrës. “Jam profilizuar në politeknikun e Barit. Kam ndjekur Akademinë Urban në Londër. Kam punuar në disa projekte zhvillimi, siç ishte “100 fshatrat”, një eksperiencë shumë e bukur. Por edhe eksperienca me “GiZ”, ishte një mundësi shumë e mirë. Kam pesë vite eksperiencë në administratën publike. Ne jemi çam si familje. Gjyshi u mërzit shumë kur kandidova, pasi është më Saliun”, tha ajo.
Kryeministri Rama pasoi me një batutë duke thënë se “akoma me kënetën ai, gjithë ky det në Durrës. Po pse me atë parti…”. Kandidatja Osmani tha se ky është koncepti për gjyshin e saj, pra një lloj vijimësie e Partisë së Punës.
“Çfarë vijimësie, po të ishte vijimësi s’do ishte goca sot kandidate e PS, por i erdhi radha dhe gocës dhe 7-8 demokratëve të tjerë. Pasaportën e BE-së do t’ja japim gjyshit dhe do të shkojë ku të dojë ai si anëtar i BE-së”, u shpreh Kryeministri Rama.
Kandidatja Osmani tha se ka qenë tek edicioni i parë i Akademisë Politike. “Të gjithë shokët e shoqet më pritën mirë, pasi isha edhe shtatzënë. Kur pashë mikpritjen dhe sjelljen pozitive, u frymëzova të aplikoja dhe tek Deputeti që duam. Kur doli emri në listë, të gjithë skeptikëve u ra argumenti që futesh me mik në parti”, pohoi Osmani.
Kandidatja tjetër e qarkut Durrës, Dorina Laçi tha se vjen nga qyteti i Krujës, ku ka mbaruar studimet për Ekonomi në Tiranë, dega financë, master shkencor në Shkenca juridike dhe E drejtë tregtare. “Më pas u vendosa në Krujë, ku punova dhe u angazhova. Në fillim isha në sektorin privat si financiare. Jam nënë e dy djemve sot. Prej 10 vitesh drejtore në Zyrën Arsimore në Krujë. Tërmeti dhe pandemia u përballua me punë dhe përkushtim, ishin dy ngjarje të rënda dhe mjaft të vështira. Angazhimi në politikë është i hershëm, si anëtarë e thjeshtë e partisë, më pas si punonjëse e zyrës së burimeve njerëzore dhe më pas tek forumi i gruas. Kandidimi është hap i rëndësishëm. Duke qenë se ka vite që jam marrë me politikë, patjetër që e dëshiroja dhe e prisja. Krujës premtojë se do t’i ofrojë një vëmendje të veçantë”, cilësoi ajo.
Kryeministri Rama shtoi se deputetja Milva Ekonomi do jetë bashkë me të. “Këtu jam me dy gra deputete dhe me një djalë. Është zhvillim i madh ky. Tani duken si përralla. Tek PS e Krujës kur hyra për herë të parë s’ka patur asnjë grua. Si s’ka gra këtu? Ku janë? Tani ka ndryshuar shumë…”, tha Rama.
Kandidati tjetër Loer Kume tha se nuk është bashkuar me politikën, por me më të mirën dhe me bindje të plotë. “Ishte një moment dhe për zhvillimin tim personal, ku ose unë do të bëja një hap, ose s’do ta bëja më. E gjithë karriera ime, në të dyja profesionet është zhvilluar në dy drejtime. Zyrtar si mjek stomatolog dhe ai artistik. Gjithmonë kam respektuar edhe angazhimin tim social, në favor të të qenit shkrimtar, që është shtylla ime. Dua të jap një kontribut social”, tha Kume.
Kandidatja e katërt për qarkun e Durrësit, Etleva Budini tha se si kandidate e bashkisë së Durrës, ajo ka lindur në Shijak, por është rritur në Durrës.
“Ka një detaj të vogël këtu, shtëpinë e kam patur në një pallat të ndërtuar nga bonifikimi dhe poshtë shtëpisë kemi pasur postën e Shijakut. Kur kam shkuar për t’u prezantuar në Shijak, posta ishte poshtë pallatit dhe më njohu një nga punonjësit e vjetër. Jam lindur nga prindër me origjinë nga Fieri, me dy vëllezër binjak, që nuk ngjajnë mes tyre. Janë shumë mbështetës. Kam kryer një veprimtari të madhe në fuqizimin e rolit të gruas. Por, vetëm jam me fat se mbështetem nga shumë burra. Kam dhe një kunatë shumë mbështetëse grua. Kam ato dy prindërit e mi, që janë në një cep të divanit, që janë nga Golloborda. Që janë me telefon në dorë prej orës 09:00 të mëngjesit. E diplomuar në ekonomi, administrim biznesi dhe jetë studentore të pasur për shkak të zhvillimeve demokratike në vend. Ne që vinim nga Durrësi, e kemi pas bërë me tren rrugën Tiranë-Durrës për të ndjekur fakultetin. Menjëherë pas përfundimit të fakultetit nisa punë. Nga ai moment nuk kam pushuar së punuari. Kam dhe nje diplomë tjetër në fushën e turizmit. Kam punuar 18 vite në fushën e turizmit falë kësaj diplome dhe këtij angazhimi. Po ashtu kam eksperiencë dhe në fushën e sigurimeve”, tha ajo.
“Angazhimi në politikë si kryetare organizate ka nisur që prej vitit 2013, në lagjen 13 në Durrës. U finalizua si anëtare e këshillit bashkiak 2019’-2023’. Kur nisëm punë si këshill bashkiak, isha kryetare komisionit të strehimit. Për fatin e keq ndodhi tërmeti 2019, e gjithë pesha ra tek komisioni strehimit. Punë voluminoze dhe shumë me emocione”, vijoi Budini.
Kandidati i pestë për qarkun e Durrësit Edvin Prençi tha se ka lindur në Lezhë, por është transferuar në Durrës kur ishte në klasën e tretë fillore. “Në vitin 2014, u kthyem në Shqipëri, pas një jetese në Itali. E pamë si opsion, pasi Shqipëria nisi të dukej si një vend ku shpresa se vendi po bëhej nisi të marrë jetë. Nisëm në një sektor, tek sektori fason, manifakturë. Nisëm me 6 makina qepëse, diçka modeste. Ambicia për të bërë më të mirën na dha mundësi për të ecur përpara dhe zgjeruar biznesin. Ambicia na bëri dhe skllav të këtij qëllimi. Një ambicie ishte dhe fakti i regjistrimit tim tek Deputeti që duam. U njoha me kandidaturën nga leximi që i bëri drejtuesja politike e Durrësit listës së kandidatëve”, pohoi Prençi.
Kryeministri Rama tha gjatë bashkëbisedimit se PS në Durrës ka një patronazhim të artë. “PS e Durrësit u bë për herë të parë, se këta janë komplet hajvanë, se thonë i vjedhin, etj, jo! Ne kemi organizim. Patronazhimi na ndihmon të dimë se sa vota do kemi në kuti, dimë sepse jemi gjithë kohës në takime. Patronazhim, partia e Melonit, apo serioze të tjera Republikanët, Demokratët, Konservatorët britanikë, Laburistët, e kanë dhe çfarë patronazhimi. Ne nuk e kemi shpikur këtë. Shkojnë rrugicë më rrugicë, pyesim, takojnë qytetarët”, u shpreh Kryeministri.
“Ne jemi socialista, specialista, ne bëjmë një punë të fortë. Këtë punë duhet të bëjnë të gjitha partitë. Unë shikoj listën e hapur, pasi me të mbyllurën s’kemi punë. Do jetë një betejë titanësh. Unë e shoh 9- 5 rezultatin final të deputetëve, 2 burra e 2 gra nga lista e hapur”, tha kandidatja Budini gjatë bashkëbisedimit në podkastin Flasim.
/a.f/