E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Provim shteti për avokatët

 

Të rinjtë që në vitet në vazhdim do të diplomohen për mjekësi, farmaci, avokati dhe një seri profesionesh të tjera pritet t’i nënshtrohen një provimi shteti për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Qeveria shqyrtoi dhe miratoi në parim projektligjin “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme deklaroi, se ky projektligj rregullon ushtrimin e profesioneve në raport me publikun. “Për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit, të gjithë ata që mbarojnë studimet pas këtij ligji, do të duhet të japin një provim. Ky provim ka ekzistuar dikur në shkollat në Shqipëri dhe ekziston në çdo vend. Vërtet mbaron shkollën, por ke nevojë që, para se të marrësh të drejtën e ushtrimit të profesionit, të bësh një praktikë në një kohë të caktuar”, deklaroi Berisha. Ai hodhi idenë që provimi të jepet me teknologji dixhitale. “Me këtë ligj mendoj se është mbushur një boshllëk që ekzistonte në legjislacionin shqiptar, si dhe është bërë kujdes që të mos cenojë asgjë në arritjet e deritanishme me heqjen e licencave dhe lejeve të panevojshme”, tha Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›