E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillimi i Shqipërisë, dy anët e një medaljeje

SPECIALE/ Kanali europian “Euronews” tregon betejën e përditshme të shqiptarëve. Projektet e mëdha dhe alternativat që shtrohen për zhvillimin e qëndrueshëm

Shqipëria është ndër vendet e fundit kandidate për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Si një nga shtetet më të varfra të kontinentit, ajo po ecën përpara me zhvillimin e infrastrukturës. Vëmendje të veçantë ka edhe për fushat e turizmit dhe të pasurive të paluajtshme. Shqipëria sot është duke ndërmarrë hapa të mëdhenj në drejtim të një të ardhmeje më të mirë, por akoma shumë shqiptarë po luftojnë për ta prekur atë. Për gratë dhe fëmijët shfrytëzimi i krahut të punës është e vetmja mënyrë për të siguruar bukën e gojës. Ata janë shpërndarë mbi grumbujt e xeherorëve të kromit në Minierën e Bulqizës. Shqipëria është një nga shtetet e varfra në Europë. “Njerëzit kanë gjetur vdekjen këtu”, - thotë një grua. “Shikoni se nga ku i sjellin gurët. Dhe shikoni se prej nga ku po i mbajmë me krah. Atje kanë ndodhur dy vdekje. Punëtorët mund të murosen të gjallë nën gurë”, - thotë ajo.
Shumë shqiptarë luftojnë çdo ditë për të mbijetuar. Por vendi i tyre është në një shteg plot shpresa në integrimin e saj në Bashkimin Europian. Vendi i shqiponjave është kandidat për t’u bërë anëtar i BE-së.

Ndryshimi i premtuar
Ndryshimi në rrugën drejt Europës ishte çështja kryesore në zgjedhjet parlamentare të muajit qershor. Rrugëtimi verior dhe rruga nuk është vetëm një metaforë. Po ndërtohet në një nivel monumental. Rruga 170 kilometra e gjatë, shumë shpejt do të lidhë Perëndimin e Shqipërisë me Kosovën fqinje. Nga kryeqyteti, përmes rrugës së vjetër, do të duhet më shumë sesa tri orë. Ne kemi arritur të ecim duke çarë përmes maleve. Kompania e ndërtimit është turko-amerikane. Mikael Suinford, drejtori i projektit të konsorciumit “Bechtel Enka”, shpjegon: “Ne kemi zhvendosur 34 milionë metra kub dhera dhe gurë. Gjithë këtë punë e kemi bërë në një periudhë prej 24 muajsh. Konsumojnë të paktën 10 tonë lëndë eksplozive në ditë. Vetëm ta imagjinosh një gjë të tillë, besoj është shumë. Për të realizuar këtë rrugë ne kemi futur në punë më shumë se 1200 makineri të llojeve të ndryshme. Kjo pajisja këtu, në të djathtë, është njëra ndër më të mëdhatë në botë që përdoret për kryerjen e punimeve të tilla”, - thotë Suinford.

A justifikohet?
“Rruga patriotike”, siç e quajnë disa në Shqipëri, përgjysmon kohën e mbërritjes për në kufirin jugor të Kosovës, ku më shumë se 90 për qind e popullsisë është shqiptare. Përveç sadisfaksionit ekonomik, hapja e kësaj rruge pritet të sjellë një impakt ekonomik, i cili do të ketë ndikim në tërë rajonin e Ballkanit. Por, kostoja e saj është fryrë si balonë, - nga një projekt prej 400 milionë eurosh vetëm në segmentin prej 60 kilometrash, tani ajo ka shkuar në rreth 1 miliard euro. Kritikët e këtij projekti janë tmerruar nga shuma marramendëse. Në një nga fshatrat që ndodhet përgjatë rrugës, askush nuk dëshiron të flasë rreth dyshimeve për korrupsion që kanë të bëjnë me tenderin e kontratës. Shtëpitë ishin braktisur, ndonëse pronarët janë kompensuar nga shteti. Një shkollë e re është ndërtuar. Dhe ka shpresa për të ardhmen.
“Ky vend ishte i humbur, i vdekur”, - thotë njëri nga fshatarët. “Këtu nuk kishte asgjë. Tani do të ketë shumë dyqane, restorante, turizëm. Ne tani kemi fituar çdo gjë, sepse mund të punojmë”, - thotë ai. “Unë kam punuar në Greqi, Itali dhe në shumë vende të Europës. Por, kam fituar më shumë para këtu në Shqipëri, dhe për këtë i falem rrugës. Gjërat këtu po ndryshojnë. Është më mirë që të punosh për vendin tënd, në Shqipëri. Kur je emigrant, nuk jeton, nuk bën asgjë. Askund në botë jeta nuk ka vlerë sa në shtëpinë tënde”, - thotë ai. Ne shpresojmë se jeta në Shqipëri do të ndryshojë për mirë. Të falemi në Zot”.

Turizëm, apo industrializim?
Shqipëria shpreson shumë në zhvillimin e turizmit. Bregu i Vlorës në Jug është promovuar si një vend perlë. Ai ndodhet përballë thembrës së Italisë, dhjetëra kilometra larg saj. Por banorët që jetojnë këtu janë të shqetësuar për zhvillimet më të fundit në industri. Lavdosh Ferruni, përfaqësuesi i një grupi që po përpiqet të mbrojë bregun e Vlorës, thotë: “Në vend që të zhvillohet turizmi, i cili konsiderohet si një potencial i madh ekonomik, këtu po ecet drejt zhvillimit të disa industrive që shkaktojnë ndotje, si ndërtimi i ngritja e termocentraleve me naftë dhe qymyr për prodhimin e energjisë. Përfundimisht, një gjë e tillë nuk sjell përfitime për vendin”.
Pranë një fabrike të braktisur të prodhimit të sodës tani shtrihet një park për depozitimin e karburantit – “fytyra e re e Vlorës”. Përgjegjësi i koncesionit italian thotë se kjo është në përputhje të plotë me standardet; nuk ka asnjë rrezik për popullsinë dhe që gjithçka është e llogaritur për të bërë zbarkimin e cisternave pa shkaktuar ndotje. Ky terminal ka potenciale të mëdha. Menaxheri i projektit, Gazmend Shalsi, thotë: “Kompani të mëdha e shohin tani Shqipërinë në një këndvështrim tjetër, sepse tani po realizohen kushtet teknike për të punuar këtu. Një gjë e tillë ka qenë e pamundur deri tani. Vlora është një port natyral në zemër të Ballkanit. Siç e shihni, ne kemi këtu edhe rrjetin hekurudhor. Ajo lidhet me rrjetin kombëtar. Mund të shkoni në Maqedoni, apo në Malin e Zi. Mbase, pak më vonë edhe në Kosovë. Greqia veriore nuk është larg. Ky vend është një pikë gjeostrategjike”.
Fare pranë, në zonën e pyllit, ndodhet një termocentral për prodhimin e energjisë me naftë dhe me gaz. Ky ishte opsioni që zgjodhën autoritetet për të shtuar furnizimin me energji në rrjetin kombëtar. Ekologët e kundërshtuan një projekt të tillë duke thënë se Shqipëria përdor vetëm 30 për qind të burimeve të saj hidrike. Gjithashtu, ata kanë dalë kundër ndërtimit në këtë zonë të një parku për prodhimin e energjisë me anë të erës nga një grup sipërmarrësish italianë, një prej kompanive më të mëdha europiane në këtë industri. Lavdosh Ferruni thotë: “Të gjitha këto investime janë planifikuar për të qenë plotësisht në shërbim të kompanive italiane dhe të disa kompanive të tjera multinacionale, siç është edhe rasti i ndërtimit të portit. Porti më i madh i kontejnerëve në tërë Mesdheun është parashikuar që të ndërtohet nga një kompani e përbashkët zvicerane-britanike. Po ashtu, një kompanie ndërkombëtare, e drejtuar nga amerikanët, i është besuar ndërtimi i naftësjellësit që nis nga Bullgaria dhe përfundon në Vlorë (AMBO – shën. red.).

Kostot për të ardhmen
Hektor Harizaj, një agjent lokal i pronave të patundshme, është i shqetësuar për faktin se si do të mbijetojë turizmi në këtë zonë. Po ashtu, ka edhe probleme të tjera: Çmimet janë rritur në mënyrë të shpejtë brenda pak vitesh; veç kësaj, ekonomia është shkatërruar, rregullat për ndërtime janë injoruar, menaxhimi i plehrave është neglizhuar…
“Të gjitha ndërtimet abuzive, pa leje, tashmë, janë ndaluar”, - thotë Hektor Harizaj. “Kjo politikë shkatërruese ndaj mjedisit nuk duhet të lejohet, nëse ne duam një qytet mesdhetar, i cili do t’u përgjigjet të gjitha standardeve për turizëm bashkëkohor. Këtu duhet t’u jepet fund të gjitha pasojave negative të industrializimit. Kjo për shkak se ne shpresojmë të hyjmë në Bashkimin Europian pas disa vitesh. Nëse ne nuk do t’i bëjmë gjërat mirë, atëherë do të rrezikojmë që nesër të paguajmë një kosto të lartë”. A do ta kapë Shqipëria shansin e zhvillimit të qëndrueshëm?!
* * *

Shkrimi është marrë nga Euronews. Titulli është redaksional

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›