E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis lufta për postet e kryetarëve të komisioneve parlamentare

Kandidatët e mundshëm për postet e kryetarëve

Eljona Ballhysa
Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga konstituimi i Kuvendit të ri të Shqipërisë, kanë nisur të qarkullojnë në korridoret e politikës emrat kandidatë për postet e kryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare. Duke qenë se fitues në zgjedhje rezultoi koalicion i djathtë, atëherë shumicën e komisioneve parlamentare do ta drejtojnë deputetët e PD-së dhe aleatët e saj. Vetëm një pjesë e vogël e komisioneve mund t’i lihet në dorë opozitës, ashtu sikurse ndodhi përgjatë legjislaturës së kaluar. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se deputetë të kësaj partie po synojnë të garantojnë një vend drejtues në Kuvend. Burimet gjithashtu theksojnë se shumica e kandidaturave për postet e kryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare do të varen nga ecuria e negociatave për krijimin e qeverisë së re dhe nga emrat e figurave të PD-së që do të marrin portofola ministrorë. Por, në rast se mbeten pa post ministror, shumë prej figurave të PD-së pritet të shpërblen me ndonjë post kryetar komisioni, i cili njihet si një post me përfitime të caktuara politike, administrative dhe financiare.
Kandidatët
Një ndër komisionet më të rëndësishme parlamentare është ai për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Postin e kryetarit të këtij komisioni e ka mbajtur së fundi Ilir Rusmali. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se Rusmali është një ndër kandidaturat më të favorizuara për të rimarrë këtë post në rast se nuk rikthehet në postin e ministrit të Drejtësisë. Një tjetër kandidaturë favorite është Arben Imami, por dhe ky me kushtin nëse mbetet pa portofol ministror. Të tjerë kandidatë për këtë post janë deputetët e spikatur të PD-së për përgatitjen në fushën e jurisprudencës, siç janë Enkelejd Alibeaj, Fatos Beja e Aldo Bumçi.
Një tjetër komision i rëndësishëm parlamentar është ai për Integrimin Europian, i cili, gjatë legjislaturës së kaluar është drejtuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Kryesimi i këtij komisioni mund të vazhdojë t’i mbetet LSI-së, por mund t’i jepet edhe opozitës. Gjithsesi, burimet nga PD-ja citojnë emrat e kandidatëve të mundshëm për postin e kryetarit të këtij komisioni në rast se vendoset t’u mbetet demokratëve. Sipas tyre, favorite është ministrja aktuale e Integrimit, Majlinda Bregu, në rast se kjo e fundit nuk rimandatohet në postin e ministres. Favoritë gjithashtu janë Arben Imami, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri, deputeti që përfaqëson partinë e komunitetit çam.
Përsa i përket kryesimit të Komisionit për Politikën e Jashtme, burimet nga PD-ja shikojnë si kandidat favorit për këtë post ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në rast se ky i fundit nuk do të jetë në qeverinë e re. Pas tij citohet emri i ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Viktor Gumi, apo emri i Gerti Bogdanit dhe ai i Genc Pollos. Ajo që vihet re është numri i madh i kandidatëve në garë për të marrë kryesimin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Që të gjithë kandidatët e cituar njihen për aftësitë profesionale në fushën e ekonomisë dhe që gëzojnë mbështetjen e kreut të qeverisë pasi shumica e tyre kanë qenë këshilltarë të Berishës. Burimet shikojnë si favoritë për këtë post ministrin aktual të Ekonomisë, Genc Ruli, në rast se ky mbetet pa post ministror. Pas tij vijnë ish-drejtuesi i këtij komisioni gjatë legjislaturës së kaluar, Edmond Spaho, këshilltarët e Berishës
Fatbardh Kadilli, Albana Vokshi, Florjon Mima, Fatbardh Kadilli, Sherefedin Shehu e
Selami Xhepa. Ndërsa drejtimin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë pritet ta marrë
Bujar Nishani, ministri aktual i Brendshëm në rast se nuk rimandatohet në këtë post. Pas tij, kandidatë potencialë janë Leonard Demi, ish-kryetar i këtij komisioni; Gent Strazimiri, zëvendësministër i Brendshëm; Fatos Hoxha, ish-anëtar i këtij komisioni si dhe Gazmend Oketa, ministër Mbrojtje. Pritet që Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ta drejtojë ministri aktual i Bujqësisë, Jemin Gjana. Gjithsesi, burimet bëjnë të ditur se ky post ka shumë mundësi t’i lihet opozitës. Gjatë legjislaturës së kaluar Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë e ka drejtuar deputeti Tritan Shehu dhe pritet që të jetë po Shehu në krye të këtij komisioni edhe gjatë kësaj legjislature. Por favoritë janë Majlinda Bregu, Lajla Përnaska, Mesila Doda e Myqerem Tafaj. Edhe për të marrë drejtimin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka një numër të madh kandidatësh në garë. Në krye qëndron ish-nënkryetari i këtij komisioni, Astrit Patozi, në rast se ky i fundit nuk shpërblehet me post ministri. Pas tij vijnë Rajmonda Bulku, Lajla Përnaska, Ardian Turku, Mark Marku, Genc Pollo e Mesila Doda. Gjithsesi, numri i kandidatëve në garë pritet të rrallohet fill pas konstituimit të qeverisë së re.

Komisionet dhe kandidatët për kryetarë:

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Ilir Rusmali
Arben Imami
Enkelejd Alibeaj
Fatos Beja
Aldo Bumçi

Komisioni për Integrimin Europian
Majlinda Bregu
Arben Imami
Fatmir Mediu
Dashamir Tahiri
Por posti i kryetarit mund t’i lihet opozitës

Komisioni për Politikën e Jashtme
Lulzim Basha
Viktor Gumi
Gerti Bogdani
Genc Pollo

Komisioni për Ekonominë dhe Financat
Genc Ruli
Edmond Spaho
Fatbardh Kadilli
Albana Vokshi
Florjon Mima
Sherefedin Shehu
Selami Xhepa

Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Bujar Nishani
Leonard Demi
Gent Strazimiri
Fatos Hoxha
Gazmend Oketa

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Jemin Gjana
Flamur Noka
Por posti i kryetarit mund t’i lihet opozitës

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Tritan Shehu
Majlinda Bregu
Lajla Përnaska
Mesila Doda
Myqerem Tafaj

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Rajmonda Bulku
Lajla Përnaska
Ardian Turku
Astrit Patozi
Mark Marku
Genc Pollo
Mesila Doda

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›