Eagle prezanton shërbimin e ri
Kompania më rinore e telefonisë celulare në Shqipëri, “Eagle Mobile”, çeli me një ceremoni të veçantë në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ ambientet e reja promovuese, duke shënuar kështu hapjen e dyqanit të 48-të të kompanisë në shkallë vendi. Shiriti i inaugurimit u pre nga Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile” Ali Taskin, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Gjokë Uldedaj dhe drejtori i Operacioneve në Tirana International Airport, Rolf Castro-Vasquez. Në komunikimin e tij me gazetarët drejtori i Përgjithshëm i EM Ali Taskin, tha se të gjithë abonentët dhe qytetarët shqiptarë mund ta gjejnë këtë kompani dhe shërbimet e saj që në momentin që vënë këmbën në tokën e tyre, e deri në skajet më të largëta të Shqipërisë.
“Eagle, simboli i këtij vendi Shqiponja, i pret me krahë hapur të gjithë shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë këtu në aeroportin “Nënë Tereza”. Puna jonë e madhe në këto 16 muaj është përballur me një kërkesë, interes dhe vëmendje shumë të lartë nga qytetarët shqiptarë. Ne nuk mund të rrinim pa u prezantuar edhe në këtë ‘Show Room’, ku servirim jo vetëm shërbimet bazë, por edhe të gjithë gamën e ofertave dhe shërbimeve të avancuara të kompanisë sonë” tha Taskin.