E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pse nuk e pranuam Edi Ramën në PD

Kryeministri Sali Berisha zgjedh ditën kombëtare të rinisë, për t’i kujtuar Edi Ramës fillimet e karrierës politike duke bërë publike arsyet pse nuk e pranuan në PD, dhjetorin e ’90-s. Berisha foli dje për rolin e Ramës në atë periudhë, duke e akuzuar si pinjoll të komunizmit dhe që bashkë me disa avokatë kërkuan të përziejnë fenë me partitë, me shtetin. Duke iu rikthyer protestave në Qytetin Studenti dhe momenteve të para të krijimit të PD-së, Berisha shigjetoi dje liderin aktual të PS-së dhe karrierën e tij politike. Sipas Berishës, Edi Rama ka qenë një figurë kalimtare, pothuajse anonime në Partinë Demokratike dhe lëvizjen studentore të dhjetorit 1990. Por arsyeja kryesore që Rama nuk u mirëprit në PD, ka të bëjë me faktin se ai ishte një pinjoll i Byrosë Politike. Berisha evidentoi se Rama në atë periudhë bëri veprime të mbrapshta dhe për hir të disa kritereve të përcaktuara nga PD-ja, nuk mund të bëhej pjesë e saj. Z. Berisha e quajti bir komunisti, i cili arriti të krijojë një parti fondamentale, Partia Kristiano-Islamike, (KIS). Por duke ironizuar me inicialet e partisë së Edi Ramës, Kryeministri Berisha pohoi se KIS s’ka asgjë të përbashkët me puthjen. Berisha kujtoi se lëvizja e dhjetorit ishte një lëvizje e studentëve, pedagogëve dhe intelektualëve, e cila çeli dyert e lirisë për shqiptarët. “Lidhur me pyetjen që bëni, nuk më kujtohet që ai të ketë qenë ditët e para. Erdhi më vonë, por për shkak të disa kritereve radikale ose gjysmë radikale të vendosura nga Partia Demokratike, për shkak se nga njëra anë ai ishte nipi i Byrosë Politike dhe biri i Komitetit Qendror, nuk u pranua në lëvizje dhe krijoi një parti të çuditshme, të quajtur KIS, por që s’ka asgjë të përbashkët me puthjen. Ajo ishte Partia Kristiano-Islamike, që e themeloi së bashku me avokatin dhe tre të tjerë”, - tha z. Berisha. Me krijimin e asaj partie, - shtoi kryeministri, - ata bënë një veprim jashtëzakonisht të mbrapshtë, sepse kërkuan të përziejnë fenë me partitë, me shtetin. Kryeministri Berisha tregoi më tej se atëherë institucionet ndërkombëtare dhe institucionet e mëdha fetare të botës ndërhynë dhe thanë se nuk mund të shkohet më tej, pasi feja, kisha e xhamia janë të ndara nga shteti. Ky, sipas tij, është roli i kryetarit aktual të PS-së. “Pra, ai erdhi më vonë për t’u bashkuar me Partinë Demokratike, por nuk e lejuan disa grupe, për shkak të atyre problemeve të tij”, - deklaroi Berisha.

Këto deklarata, kreu i qeverisë i bëri dje gjatë homazheve pranë memorialit të liderit të dhjetorit, Azem Hajdari. Sipas traditës së përvitshme, në ditën kombëtare të rinisë, monumentali i Azem Hajdarit, një prej figurave kryesore të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, u vizitua dje paradite nga Kryeministri Sali Berisha dhe figura të tjera të Partisë Demokratike.

“Azem Hajdari çliroi shqiptarët nga diktatura”

Lideri i dhjetorit, Azem Hajdari, doli si një ëngjëll nga godina e Qytetit Studenti, atë natë të errët, bashkë me studentët e tjerë për t’i dhënë dritë Shqipërisë. Bashkë me të rinjtë e tjerë studentë, me guximin legjendar, çliruan shqiptarët nga diktatura komuniste. Sipas Kryeministrit Berisha, Azem Hajdari hyri në historinë e kombit si lideri lëvizjes së dhjetorit 1990, e cila çliroi shqiptarët nga diktatura më e egër që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre. Në 18-vjetorin e lëvizjes studentore të dhjetorit '90, Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ministra të kabinetit qeveritar vendosën kurora me lule në memorialin e "Pishtarit të Demokracisë", Azem Hajdari. Kryeministri kujtoi se më 8 dhjetor në krye të një grupi të gjerë studentësh dhe pedagogësh të rinj, Azem Hajdari në një nga rrugët më kryesore të qytetit zhvilloi një betejë, e cila do të sillte gjunjëzimin e diktaturës dhe vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri. Sipas tij, liria që lindi 18 vite më parë, lindi në një regjim terrori, shtypje të egër, por ajo u mbrojt dhe u rrit nga uragani i shpresës që buroi nga rinia shqiptare, qytetarët shqiptarë. “Ndaj dhe sot ne nderojmë më krenarë se kurrë këtë ditë, nderojmë heroin e saj legjendar, Azem Hajdarin, studentët liberatorë, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të cilët u quajtën atë ditë dhjetori si ëngjëjt e demokracisë shqiptare", - u shpreh Kryeministri Berisha.

“Shqipëria po ndryshon”, Berisha kërkon votat e rinisë

Mes një atmosfere festime, gjallërisë së mijëra të rinjve të mbledhur në “Asllan Rusi” në ditën e 8 dhjetorit, Kryeministri Sali Berisha u gjend dje mes tyre bashkë me “Shqipëria po ndryshon”. Duke i konsideruar të rinjtë si një pikë të fortë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2009-s, Berisha çeli fushatën e re me sigurinë e një mandati tjetër qeverisës. Ndaj, ai kërkoi votat e rinisë për zgjedhjet e 2009-s. Berisha iu drejtua atyre: “Me ju ne ecim të sigurt drejt një mandati të dytë, mandati për rininë e vendit tim, për shndërrimin e plotë të ëndrrave të saj në realitet. Ne do ta fitojmë atë!”. Para një publiku që në vitet ‘90 sapo kishte lindur, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ngriti në piedestal rininë shqiptare. Sipas tij, "rinia dhe liria janë pjesë e pandarë. “Jam më se i sigurt dhe më i vendosur se kurdoherë tjetër për ta", - u shpreh Berisha. Duke iu referuar 18 viteve, kreu i demokrateve bëri të ditur se besonte në mbështetjen e rinisë shqiptare për të ndryshuar vendin dhe për të realizuar plotësisht ëndrrën e rinisë së viteve ‘90-të. "Nuk jam moshatar me ju në vite, po jam bashkëmoshatar me ju, në shpresën time që buron para së gjithash nga besimi i palëkundur që kam te ju", - u shpreh Kryeministri. Me një skenografi që i ngjasonte fushatës presidenciale amerikane, Kryeministri Berisha ndezi edhe motorët e fushatës elektorale të Partisë Demokratike, duke bërë refren sloganin "Shqipëria po ndryshon". “Tre vjet më parë, brenda dhe jashtë vendit, të pakët ishin ata që besonin se ne me votat tona, do të mund të përmbysnim sistemin e kleptokracisë. Kurse unë, njëlloj si në vitet ’90, isha i bindur se ju sërish do ta ndryshonit Shqipërinë. Këto tre vite ishin vitet e rolit vendimmarrës më të madh të të rinjve në historinë e lirisë së vendit tonë. Këto tre vite, së bashku, ne ia dolëm që Shqipërisë së kronikës së zezë evropiane gradualisht t’i japim imazhin, pamjen e fytyrës suaj dhe e bëmë që ajo të rendë e sigurt drejt së ardhmes që meriton”, - tha z. Berisha.

Në ditën kombëtare të rinisë, Kryeministri u premtoi të rinjve të shkollave të mesme më tepër vëmendje për arsimimin e tyre. Në një koncert organizuar në kujtim të kësaj dite, që merr spunto nga lëvizja studentore e dhjetorit, Berisha garantoi se arsimi do të jetë përparësi e qeverisë të tij për këtë vit dhe gjatë mandatit të ardhshëm të 2009-s. “Jam këtu për t’u zotuar se derisa të ketë të rinj që nuk ndjekin shkollat do të bëj gjithçka që çdo fëmijë shqiptar të shkollohet; se përderisa të ketë të rinj që nuk ndjekin shkollat e mesme do të bëj çdo gjë që ata t’i përfundojnë ato”, - tha Berisha. I përfshirë nga entuziazmi i të rinjve, Kryeministri Berisha pranon se pavarësisht viteve që mban, ndihet në moshën e demokracisë, e cila sot ka mbushur 18 vjeç. “Me vite nuk jam moshatari juaj. Ju keni fatin e madh të jeni moshatarë me lirinë, ndërsa unë mbi katër dekada kam humbur në diktaturë. Por unë sërish jam fatbardhë dhe i lumtur, sepse jam dhe do mbetem përjetë bashkëmoshatari juaj në idealet e lirisë, në qëllimet, në aspiratat, në ëndrrat, në projektet për vendin tim, që 18 vjet më parë do t’i pagëzonim të gjitha së bashku “Shqipëria si Evropa!””, - deklaroi z. Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›