Postriba, aty ku nisi 8 dhjetori antikomunist
8 dhjetori nisi në Postribë. Grupimi “Dhjetori ‘90”, në bashkëpunim me Komunën e Postribës, zhvilloi dje veprimtarinë me moton “8 dhjetori nisi në Postribë”. Gjatë kësaj veprimtarie, ku morën pjesë studentë të dhjetorit të vitit 1990, si dhe drejtues të qarkut e komunës, grupimi “Dhjetori 90” u nderua me titullin “Nderi i Komunës Postribë”. Pjesëmarrësit në tubim rikujtuan vlerat që dha Komuna e Postribës në lëvizjen antikomuniste, duke theksuar se edhe 8 dhjetori, i vlerësuar si ditë kombëtare e rinisë shqiptare, "nisi pikërisht nga Postriba". “Liria dhe demokracia e nisën rrugën në Postribë”, - tha në përshëndetjen e tij kryetari i grupimit “Dhjetori 90”, Bislim Ahmetaj. Ai premtoi se kjo veprimtari "do të vijojë të jetë e përvitshme në nderim të kësaj date të shënuar për shqiptarët". Vlerësim për shpirtin demokrat të komunitetit të komunës shprehën në përshëndetjet e tyre edhe prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu dhe deputeti i kësaj zone, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të degës së Shkodrës, Astrit Bushati. “Me kryengritjen e parë antikomuniste të Postribës, më 9 shtator 1946, nacionalizmi dhe demokracia shqiptare treguan se nuk kishin lëshuar armët dhe i thanë “jo” diktaturës, duke sakrifikuar dhe jetë njerëzish. Tani e gjithë bota e lirë krenohet me këtë kryengritje të parë në Evropë”, - tha në fjalën e rij kryetari i Komunës së Postribës, Faz Shaba. Titulli “Nderi i Komunës së Postribës”, akorduar nga këshilli i kësaj komune, iu dorëzua kryetarit të grupimit “Dhjetori ‘90”, Ahmetaj. Në motivacionin që lexoi kryetari i Komunës së Postribës, Agim Thorja, thuhej: “Për kontributin e pazëvendësueshëm që djemtë dhe vajzat e Dhjetorit ‘90-të dhanë për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, si dhe përpjekjet e pandërprera për vendosjen dhe konsolidimin e vlerave të lirisë në vend”. Duke marrë titullin, Ahmetaj vërejti se ai "është një vlerësim që u bëhet studentëve, si shkëndija e parë e lirisë".