E Diel, 1 Nëntor 2026

Bukurie Kazari: Si strehova dhe mbrojta nga policia 11 studentë më 8 dhjetor 1990

Bukurie Kazazin e njohin pak vetë. Ajo tashmë ka kaluar të shtatëdhjetat dhe në jetën e saj është mbushur me mjaft gëzime. Bukuria ka dy djem të rritur që i kanë falur shumë nipa si dhe një jetë të qetë në apartamentin e saj në katin e parë të një pallati në hyrje të Qytetit Studenti. Por për disa të tjerë, ajo njihet si shenjtore, si mbrojtëse jete dhe për disa të tjerë si “gjyshja” e Demokracisë. Natën e 8 dhjetorit 1990, studentët u ngritën kundër regjimit. Rrugës poshtë, për të shkuar në qendër, ata hasën në pritat e policisë, disa qindra metra larg Liceut Artistik. Kur policia tregoi agresivitetin e saj, studentët u shpërndanë me shpejtësi, të trembur edhe për jetën e tyre, por kjo protestë po mbahej përpara ballkonit të gjyshe Bukuries. Krejt papritur, në derën e saj në katin e parë të pallatit, trokitën fort 11 studentë të cilët, të frikësuar, nuk dinin nga të shkonin. Gjyshe Bukuria i mori brenda dhe i strehoi duke i mbrojtur të gjithë nga policia. Për studentët e strehuar në këtë shtëpi gjyshe Bukuria është një simbol. Për ta ajo ishte qytetarja e parë që me kontributin e saj iu bashkua protestës së studentëve. Së bashku me njërin prej 11 studentëve të dhjetorit që kishte kaluar natën e 8 dhjetorit në shtëpinë e Bukuries, ishte edhe Spiro Curra, i cili na shoqëroi në shtëpinë e gjyshes. Ajo na priti më dyer të hapura, pasi e dinte që këtë ditë do të vinin njerëz për vizitë. Janë pikërisht 11 studentët e strehuar atë natë të vështirë, që çdo 8 dhjetor vizitojnë gjyshe Bukurien dhe falënderojnë atë për gjestin fisnik të saj. Bukurie Kazazi tregon për “standard” gjithë atë natë shprese dhe besimi.

“Ishte 8 dhjetori i vitit 1990. Ne atë natë po shihnim televizor dhe me ne ishte edhe dhëndri. Ai doli, kur më thërret tek dritarja: “Nënë Bukuria, nënë Bukuria”. Diçka po ndodhte andej nga Qytet Studenti. Dola në dritare dhe dëgjova zhurmën e madhe, por s’po e kuptoja se ç’ishin ato zhurma. Pas pak vjen një turmë e madhe dhe ndalon tek ballkoni ynë dhe bllokuan të gjithë rrugën. Ishin të gjithë studentë dhe ishin bërë rresht dhe po bërtisnin: “Liri Demokraci!” Ishte diçka krejt e papritur dhe nuk e prisnim një gjë të tillë. Kur pas pak minutash erdhi edhe policia dhe studentët po bërtisnin më shumë dhe nuk i lanë studentët të kalonin më poshtë për të kaluar tek Liceu. Kjo i bëri studentët të thërrisnin më fort: “Liri Demokraci”. Andej nga policia thërrisnin për të ndaluar, por thirrjet e studentëve vazhdon përsëri”, - tregon gjyshe Bukuria.

“Unë po e shikoja të gjithën këtë nga ballkoni, por më pas ndodhi që tek ballkoni u afruan më shumë studentë. Madje hipën edhe sipër ballkonit. Në këtë moment policia ndërhyri dhe filloi të godiste studentët. Të gjithë studentët u shpërndanë, kush e kush të shpëtonte dhe të siguronte veten. Mbaj mend që ishte ora rreth 1 e natës. Në atë minutë, ndodhi diçka, pasi shumë të rinj u drejtuan tek dera jonë e shtëpisë. Edhe unë pa drita isha, pasi i kisha fikur vetë. Hapa derën dhe menjëherë më hynë në shtëpi 11 të rinj, mes tyre ishte një vajzë, e cila quhej Alma dhe 10 djem, të gjithë të rinj. Ata po kërkonin ndihmë, pasi policia po i godiste. Më erdhi shumë keq dhe menjëherë i futa brenda. Më erdhi keq, sepse edhe po bërtisnin nga frika”, - vazhdon tregimin Bukuria.

Por pas hyrjes në këtë shtëpi të panjohur, studentët patën frikën e denoncimit, megjithatë vetëm dy fjali mjaftuan që ata të ndiheshin të sigurt.

“Sapo hynë në shtëpi, pyetja e parë që më bëri njëri prej tyre ishte:

- Çfarë familjeje jeni ju?

- Jam familje e thjeshtë tiranse, -i thashë dhe kjo sikur i qetësoi. Madje më vonë pa sahatin në mur dhe e ngatërroi për ndonjë foto dhe pyeti:

- Fotoja e Enverit është ajo?”

- Jo more, -i thashë unë, - është sahati, nuk e sheh mirë”.

Më pas, gjyshe Bukuria tregon më tej për ngjarjen: “Kur e hapa derën të ndihmoja studentët, e mora përsipër edhe frikën. Por fatmirësisht, gjendja u qetësua, por unë studentët nuk i nxora jashtë. I mbajta aty. Kanë fjetur si në kohën e lashtë, si ushtarët. U shtrova një batanije poshtë në dhomën e vogël, ndërsa Alma, vajza e vetme, erdhi dhe fjeti nga dhoma e gjumit. Çunat u sistemuan në dhomën tjetër, mbaj mend që sipër kolltukut të vogël ishin katër djem, ndërsa poshtë ishin të tjerë në batanije. Komshinjtë nuk morën vesh, sepse ishte natë dhe dritat i kisha fikur. Edhe dritaren e mbylla me batanije. Pasi u zbardh, unë vajta e mora një shishe qumësht, u dhashë një gotë qumësht dhe u skuqa nga një vezë. Mbaj mend se një pjesë e tyre ishin me pizhame dhe pantofla, siç kishin dalë nga dhomat e tyre. Pastaj të gjithë ikën në mëngjes, por pastaj në darkë, të 11 të rinjtë që ishin natën e kaluar, erdhën përsëri për të më takuar. Atë ditë u protestua më shumë dhe studentët shkuan deri në “Rrugën e Elbasanit”, - kujton gjyshja e Kazazëve.

“Sot, prej 11 të rinjve, vetëm Spiro Cura më vjen vit për vit me të shoqen që më viziton. Por kam lajme nga të gjithë dhe të gjithë ndodhen jashtë vendit. Vajza, Alma, ndodhet në Zvicër. Edhe ajo erdhi të më takonte përpara se të nisej për jashtë vendit. Mbaj mend që vajza, Alma, ishte shumë e zgjuar edhe trime. Ajo ishte vlonjate dhe mbaj mend që më tha: “I kam dalë vetë për zot. Dua të eci në jetë dhe nuk duroj më”. Ajo kishte qenë për Festat e Nëntorit në shtëpi dhe kishte parë familjen në Vlorë në gjendje të rënduar, prandaj ishte edhe e revoltuar”.

Bashkëshorti i Bukuries tregon më tej, duke thënë se pas shpërndarjes së studentëve, në atë shesh ishte edhe vetë ish-ministri, Hekuran Isaj. Ai tregon se aty u vendosën dy tanke. “Mbaj mend që erdhi edhe Hekuran Isai, por më sipër kur hyri në Qytet Studenti. Ai vuri në mes të rrugës dy tanke dhe me tytat drejtuar nga studentët”, - thotë ai.

Spiroja, shoqëruesi ynë, thotë më tej se tashmë nënë Bukuria është bërë pjesë e jetës së tij. Çdo vit ai shkel në shtëpinë e Bukurie Kazazit për ta falënderuar atë për ndihmën dhe kurajën që i dha atij, por edhe miqve të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›