E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor

Deputeti i PD-së, Preç Zogaj, mendon se me ndryshime të tjera në Kodin e ri Zgjedhor, pas kthimit nga Presidenti Topi, zgjerohet konsensusi politik në Kuvend. Ai propozoi dje ndryshimin në grupin e numërimit të votave, gjë që e kërkon dhe LSI dhe PDK. Zogaj mbështet një ndërhyrje të motivuar nga rikthimi në Kuvend i ligjit zgjedhor me dekret presidencial, duke përfshirë pikërisht dhe kërkesat e LSI-së së Ilir Metës. Një shans që për deputetin Zogaj, nuk duhet humbur, si mundësi për të zgjeruar rrethin e konsensusit prej 113 votash në Kuvend. Në këtë pikë edhe kundërshtarët e kodit e kanë parë këtë si mundësi për reflektim të dy forcave të mëdha. Por propozimi i deputetit demokrat orientohet direkt në grupet e numërimit të votave, duke i krijuar mundësinë LSI-së të ketë një anëtar të sigurt. Në kodin e ri thuhet se grupet e numërimit të votave përbëhen nga 4 anëtarë, dy prej të cilëve u takojnë partive të mëdha, ndërsa dy anëtarët e tjerë zgjidhen me short nga partitë e tjera parlamentare në të djathtë dhe të majtë. “Grupet e numërimit janë e vetmja mundësi për ndryshim në kod, ndërsa duhet të mbetet e njëjta përbërja e sanksionuar për komisionet e administrimit të zgjedhjeve, në të gjitha nivelet”, - deklaroi Zogaj. Deputeti demokrat theksoi faktin se propozimi i tij, që nuk duket të ketë pak mbështetës në grupin kuvendor demokrat, nuk synon politikë diversioni, një pretendim ky i ngritur nga Partia Socialiste. “Produkti do të ishte një konsensus më i madh për kodin dhe reduktim i shanseve për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve 2009”, - u shpreh Preç Zogaj.

Godo: Jo ndërhyrje në kod për çështje teknike

Republikani Sabri Godo mbron idenë se nuk mund të ndërhyhet sërish në kod për çështje të vogla teknike. I pyetur dje në lidhje me rikthimin në Kuvend të Kodit Zgjedhor nga ana e kreut të shtetit, pohoi se rishikimi i tij është një çështje teknike, që nuk duhet të shoqërohet me ndërhyrje në të, pasi sipas tij, e vetmja detyrë që shtrohet përpara klasës politike është zbatimi i tij me rigorozitet. Sipas z. Godo, nuk mund të rinisë sërish një tjetër debat për çështjen e Kodit të ri Elektoral, pasi ligji ka marrë konsensusin e gjerë të pozitës dhe opozitës. Ndaj, ai këshilloi zbatimin e këtij ligji që garanton zgjedhje të lira të barabarta. “Kjo mund të kalojë lehtë në Parlament, pasi është një çështje teknike. Nuk është çështja për të ridiskutuar kodin, pasi tashmë ajo është e mbyllur. Detyra jonë është si të zbatojmë këtë kod, për zgjedhjet parlamentare”, - deklaroi republikani Sabri Godo. Para pak ditësh kreu i shtetit, Bamir Topi, shpalli dekretin presidencial për të rikthyer edhe një herë në Kuvend këtë ligj, me argumentin se ai krijon mospërputhje kohore me Kushtetutën për kryerjen e aktit të përcaktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përmes një letre drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, z. Topi, kërkoi kalkulimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

PLL diskuton përshtatjen me Kodin e ri Zgjedhor

Përshtatja e PLL-së me sistemin proporcional dhe Kodi i ri Zgjedhor. Kjo çështje ishte dje në qendër të takimit që kryetari i partisë "Lëvizja e Legalitetit", Ekrem Spahiu, zhvilloi në qytetin e Shijakut me strukturat drejtuese të këtij qyteti, si dhe drejtues të degëve të PLL Durrës dhe Krujë, pjesë përbërëse të rajonit elektoral të qarkut të Durrësit. Sipas Spahiut, "sistemi proporcional rajonal dhe Kodi i ri Zgjedhor ka shtruar para strukturave lokale nevojën e përshtatjes dhe koordinimit të tyre në nivel qarku". Këtë punë PLL e ka filluar prej kohësh dhe që tani është në fazën përmbyllëse. "PLL synon që përmes këtij procesi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 të gjitha degët e PLL-së që ndodhen brenda një qarku të funksionojnë në mënyrë të unifikuar për përzgjedhjen e kandidatëve, zhvillimin e fushatës dhe materializimin e rezultatit zgjedhor", - tha Spahiu. Duke u ndalur në faktin se PLL është edhe një parti nacionaliste, antikomuniste, mbrojtëse fanatike e vlerave të familjes, pronës, kulturës dhe qytetërimit, Spahiu kërkoi prej strukturave lokale që të punonin më shumë për shpalosjen e këtyre vlerave dhe të tregoheshin të hapur për çdo kontribuues të tyre. Në vazhdim të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjatë muajit dhjetor PLL do të mbledhë edhe dy nga strukturat e saj qendrore, Komitetin Drejtues dhe Këshillin Kombëtar, në të cilat pritet që të merren vendime të rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›