E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pushtetarët kanë grabitur tokat

Kreu i qeverisë i ka kthyer një përgjigje indirekte kryetarit të Bashkisë së Himarës, Bollano, duke u shprehur se 7501 nuk preket

Ligji 7501, ose siç njihet ndryshe ligji “Për tokën”, nuk do të shfuqizohet. Të gjitha tokat e shpërndara konform këtij ligji përgjatë 17 viteve të shkuara, nuk do të preken. Qeveria e djathtë, pavarësisht mosmarrëveshjeve me republikanët për këtë çështje, është e vendosur që të mos prekë efektet që ka sjellë zbatimi i këtij ligji në vite. Kryeministri Sali Berisha duke folur dje gjatë mbledhjes së qeverisë, i vetëdijshëm për ndjeshmërinë që ka një çështje e tillë në fshat, ka siguruar të gjithë fermerët për mos cenimin e pronave të tyre dhe mos shfuqizimin e 7501-it. Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë i ka kthyer një përgjigje indirekte dhe kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe mbështetësve të tij, të cilët vetëm 5 ditë më parë kërkuan abrogimin e këtij ligji, duke kërkuar që toka të shpërndahet në bazë të dokumenteve të vjetra. “Partia Demokratike dhe koalicioni i partive të mazhorancës, nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë të ndryshojë Ligjin 7501. Partia Republikane, partia jonë aleate, e hershme dhe tradicionale, ka pranuar gjithnjë këtë qëndrim të aleatëve të saj”,- tha Berisha, duke folur para kabinetit të tij qeveritar. Gjithashtu ai ka kërkuar të qetësojë dhe të gjithë opinionin publik që është i interesuar për çështjen e pronave, se ligji i miratuar pak kohë më parë “Për titujt e pronësisë”, nuk ka për qëllim të ndryshojë apo shfuqizojë ligjin e mëparshëm, me të cilin është ndarë toka. “Është jashtë çdo lloj spekulimi që, me këtë ligj, ne synojmë të prekim qoftë edhe një pëllëmbë tokë, të marrë në mënyrë korrekte nga Ligji 7501. Por do të ishte një krim shumë i rëndë, në qoftë se ne do të titullonim abuzimin e madh të bërë me ligjin, abuzim që arrin në miliarda dollarë. Me dhjetëra-mijëra hektarë janë përvetësuar në mënyrë të pandershme dhe në kundërshtim me ligjin”, - tha kreu i qeverisë. Duke e konsideruar ligjin e ri si ligjin e antimafies së tokës, shefi i mazhorancës nuk ka ngurruar të lëshojë akuza të forta se, njerëz të veshur me pushtet janë dhe përfituesit më të mëdhenj nga abuzimi që është bërë gjatë zbatimit të 7501-it. “Ata që kanë grabitur tokën, në radhë të parë, janë pushtetarë dhe unë garantoj qytetarët shqiptarë se në këtë shqyrtim, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tendencë politike, të cilësdo ngjyrë apo grupimi. Cilido pushtetar, vendor apo qendror, që ka përvetësuar tokën në kundërshtim me ligjin, do të përballet me ligjin dhe humbjen përfundimtare të pronësisë mbi të”, - theksoi Kryeministri. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se grupi i abuzuesve më të mëdhenj me fondin e tokës është përbërë nga drejtuesit e pushtetit lokal, të cilët, sipas tij, kanë dhënë apo kanë favorizuar deri vonë, dhënien e pronave në kundërshtim me ligjin. “Grupi i dytë i abuzuesve të mëdhenj, janë kryetarë bashkish dhe kryesisht komunash që, me pusulla dhe kundrejt korrupsionit, në kundërshtim me Ligjin 7501, kanë ndarë dhe u kanë dhënë të tjerëve, qoftë edhe vjet, sasi të mëdha toke pa asnjë bazë ligjore dhe jetim mbeten pronarët”, - pohoi Kryeministri. Duke shprehur vendosmëri për vendosjet e të drejtës ligjore përsa i përket shpërndarjes së tokave, kreu i qeverisë ka theksuar se, të gjitha ato toka që do të rezultojnë si të shpërndara në kundërshtim me ligjin, do të bëhen pjesë e fondit të tokave që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Ai ka ngarkuar kreun e Komisionit Shtetëror të Tokave, zëvendëskryeministrin Genc Pollo dhe ministrin Jemin Gjana, që të marrin masat e duhura në mënyrë që rezultatet të jenë sa më të prekshme.

Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje abuzuesve me pronat, që t’i dorëzojnë ato vullnetarisht

Abuzuesit me tokat, do të përballen me ligjin

Të gjithë ata individë që kanë favorizuar dhe dhënë toka në kundërshtim me ligjin apo edhe ata që i kanë përvetësuar ato, në rast se do të evidentohen, gjatë zbatimit të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë, do të përballen me masa penalizuese që parashikon legjislacioni në fuqi. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga kryeministri Sali Berisha, i cili ka paralajmëruar të gjithë abuzuesit se do të përballen me ligjin, në rast se nuk do të dorëzojnë vullnetarisht, tokat e marra në kundërshtim me ligjin. “Unë do të bëj një thirrje që të gjithë ata që e kanë marrë tokën në mënyrë të pamerituar, ta dorëzojnë atë. Le të përcaktojnë një periudhë, të cilën ne t’ua njohim - dy muaj ose tre muaj - dhe ta dorëzojnë vetë tokën. Në të kundërt, duhet të veprojnë fuqishëm të gjitha prerogativat penale, si ndaj atyre që e kanë dhënë padrejtësisht, ashtu dhe ndaj atij që e ka marrë abuzivisht tokën”, - tha Berisha. Për këtë ai i ka bërë atyre një thirrje të fundit publike, që brenda një afati kohor prej 3 muajsh, të bëjnë dorëzimin e tokave të grabitura. “Për këtë të caktojmë një periudhë, në të cilën, çdo posedues i pamerituar e dorëzon në komision tokën e përfituar pa të drejtë. Kjo sigurisht, do të jetë një zgjidhje më e mirë, sesa të fillohet me prerogativat ligjore, nga më seriozet, për të rivendosur këtë ligj”,- u shpreh kreu i qeverisë. Ndërkohë, ai ka siguruar abuzuesit se nuk do të munden dot t’i shpëtojnë verifikimit të saktë, kjo pasi komitetet e verifikimit të titujve do të përdorin hartën dixhitale. “Harta digjitale që disponohet nga fotografia ajrore dixhitale e vitit të kaluar është një ndihmë e madhe për këto komisione, e cila lejon matjen centimetrike. Duhet të merren masa për pajisjen e çdo komisioni me hartën e territorit, me specialistë, gjeometra, topografë, në mënyrë që të fillojnë nga puna”,- theksoi më tej shefi i qeverisë.

---------------------------------------------------------Deputeti demokrat shprehet se Bollano ka bllokuar tokat në Himarë, duke sjellë dhe bllokim të investimeve

Ngjela: Ministra të Berishës kanë grabitur toka në Himarë

Ministra të qeverisë së kryeministrit Berisha janë të lidhur direkt me aferat korruptive të tjetërsimit të pronave në Himarë. Deklarata “bombë” vjen nga deputeti demokrat Spartak Ngjela i cili kohët e fundit i është bashkuar lëvizjes për zgjidhjen e problemit të pronave në Himarë. Sipas tij, disa anëtarë të kabinetit qeveritar janë të përzier në aferën e grabitjes së tokave në zonën e bregut të detit në Himarë, çka, ka theksuar ai, e bën zgjidhjen e kësaj çështjeje edhe më të vështirë. “Ka njerëz injorantë në qeverinë shqiptare që kanë orekse personale për të marrë ato prona, ashtu sikurse është ligësia e kryetarit të Bashkisë së Himarës, që kanë bllokuar gjithë pronat”,- ka theksuar deputeti Spartak Ngjela, i cili të dielën mori pjesë në tubimin-protestë të himarjotëve kundër kryebashkiakut Bollano për çështjen e tokave. Sipas Ngjelës kjo situatë dhe veprimtaria jo ligjore e kryetarit të bashkisë së kësaj qyteze, ka bërë që të tregu i pronave në këtë zonë të qëndroj i bllokuar, duke sjellë si pasojë dhe bllokimin e zhvillimit të investimeve. “Po të bllokohen pronat dhe po të krijohet konflikti pronash atëherë nuk zhvillohen investimet. Shqipëria mendon të investojë rreth 2 deri në 3 miliardë dollarë në atë zonë, të paktën ky është mendimi i Bankës Botërore. Ai është diamanti ynë”,- tha deputeti Spartak Ngjela.

Pavarësisht përfshirjes në këtë histori edhe të njerëzve të veshur me pushtet dhe të lidhur me lobet greke, deputeti demokrat Spartak Ngjela është i gatshëm që të lobojë në Parlament për të zgjidhur këtë çështje dhe për të zhbllokuar përfundimisht, tregun e pronave në këtë zonë, çka do të sillte më pas dhe zhvillimin e gjithë bregut të detit. Ndërkohë, kësaj nisme në Kuvend pritet t’i bashkohen dhe disa deputetë të tjerë, të deklaruar hapur kundër ndikimit grek në këtë zonë turistike. Kështu, anëtari tjetër i Kuvendit të Shqipërisë, Pëllumb Xhufi, duke dalë në mbështejtje të pretendimeve të pronarëve të ligjshëm himarjotë, është shprehur dje se kryeministri Berisha duhet të marrë masë ligjore, duke shkarkuar kryebashkiakun Bollano. Të njëjtën kërkesë pak kohë më parë e bëri edhe ish-kryetari i Partisë Republikane, Sabri Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›