Digjen 4 shtëpi në Delvinë, nuk ka viktima
Delvinë- Katër shtëpi janë shkrumbuar plotësisht si pasojë e një zjarri që përfshiu fshatin Kalasë në Delvinë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, vatra e zjarrit kishte nisur të martënnë komunën e Vergoit, në fshatin Kalasë, por vetëm pas dy ditësh ka marrë përmasa të mëdha.
Për shuarjen e tij veç banorëve të Kalasës kanë marrë pjesë edhe grupet zjarrfikëse të repartit të Delvinës. “Me gjithë përpjekjet tona për të shpëtuar nga djegia shtëpitë dhe ullishtet, bilanci ishte negativ. Katër shtëpi u dogjën dhe bashkë me to edhe 605 rrënjë ulinj”- thotë Panajot Kucuqi, komandant i repartit të zjarrfikësve.
Për fat, banesat ishin të braktisura dhe kështu që nuk janë regjistruar persona të lënduar nga flakët. Ndërkaq, specialistë të zjarreve e cilësojnë muajin korrik dhe gushti si shumë të ngarkuar. Vështirësitë shtohen edhe nga terreni malor , mungesa e rrugëkalimeve dhe dëndësia e shkurreve, që e bejnë terrenin pothuajse të pakalueshëm.
Sipas policisë së rendit për vënien e zjarrit në Kalasë është marrë informacion nga burime operative, ndërkohë që po hetohet edhe për autorin e zjarrit.