E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush eshte Damir Fazllic dhe lidhjet me Tiranen

 

Damir Fazlliç, njeriu që vitet e fundit ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit shqiptar dhe autor i ardhjes së firmës lobiste BG&R dhe këshilltarit amerikan, Tom Ridge, rezulton me një dosje shumë voluminoze të bashkëpunimeve të tij me personazhe të njohur të botës së krimit. Mediat më serioze të Bosnjë-Hercegovinës kanë raportuar lidhur me aktivitetin në vite të zotit Fazlliç, ndërsa ai spikat në një lidhje shumë serioze me bazë Beogradin. Sipas mediave boshnjake, "Dani" dhe "Slobodna Bosnia", Fazlliç së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes të Bosnjës, Hasan Çengiç, janë marrë në pyetje pas të dhënave se ata mund të kishin fshehur vrasësin (Milorad Ulemek, "Legija") e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç. "Autoritetet serbe i kërkuan zyrtarëve boshnjakë që të merrnin në pyetje Hasan Çengiç dhe Damir Fazlliç lidhur me dijeninë që ata mund të kishin për vendndodhjen e komandant Legijës. Autoritetet serbe kishin të dhëna se Legija fshihej në Bosnjë pas atentatit që ai i organizoi kryeministrit serb, ndërsa shtetasit boshnjak, Damir Fazlliç, iu gjetën në telefon numri i komandantit të kërkuar, Legija, por edhe numri i vetë kryeministrit të vrarë", - raportonin gazetat boshnjake në vitin 2003.

Klani i Zemunit

Autoritetet serbe ishin të sigurta se Fazlliç mund të kishte gisht në fshehjen e komandantit "Legija", duke qenë se ai kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me të. "Kur Fazlliç mendoi të ndërhynte në privatizimin e një fabrike duhani në Serbi, bosi serb i cigareve në Ballkan, Stanko Subotiç, i acaroi shumë marrëdhëniet me Fazlliç. I frikësuar Fazlliç i kërkoi ndihmë komandantit "Legija", i cili ndërhyri dhe e zgjidhi problemin mes tyre", -shkruanin asokohe gazetat boshnjake, të cilat iu referoheshin burimeve policore. Në vitin 2003 shefi i policisë sekrete të Bosnjës, Almir Dzhuvo, në një raport konfidencial (që më pas u botua në mediat boshnjake), pretendonte se Fazlliç kishte lidhje të fuqishme me klanin e Zemunit (rrethi i biznesmenëve dhe ushtarakëve që rrethonin Millosheviçin), ndërsa katër vite më vonë (2007), duket se Fazlliç i zgjidhi problemet e veta, pasi biznesmeni serb, Vojin Lazareviç, konfirmoi takimin që kishte bërë me Fazlliç, si dhe me shefin e policisë sekrete dhe personazhe të tjerë, ku ishte folur për armët dhe investimet në energjitikë.

E kaluara e "sekserit të Ballkanit", Damir Fazlliç

Damir Fazlliç është lindur në vitin 1975 në Vishegrad. Sipas gazetës "Slobodna Bosnia", në vitet '90 ai emigroi me familjen në Londër, ku u vu në kontakt më pas edhe me Xhorxh Barsbi-n, një agjent londinez i MI6-ës, i cili më pas u vendos në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd. Sipas kësaj gazete, Fazlliç i shfrytëzoi lidhjet e tij angleze për të fituar miqësinë e njerëzve të pushtetshëm në Beograd si Vuk Jeremiç apo Boris Tadiç. "Një prej arritjeve të tij të para si një përkthyes në moshë të re, ishte shitja e Telekomit serb dhe e kompanisë "NATËEST", ndërsa negociatat u kryesuan nga ish-Sekretari anglez për Marrëdhëniet me Jashtë, Dagllas Hërd. Aktualisht, Fazlliç është në Bosnjë-Hercegovinë dhe është lidhur fuqishëm si ndërmjetës për tregtinë e armëve", - shkruante "Slobodna Bosnia" në vitin 2005. Më tej kjo gazetë ka paraqitur edhe të dhëna të tjera lidhur me një numër të madh operacionesh financiare, ku Fazlliç ka lënë gjurmët e tij. Tregtia e armëve dhe privatizimet duket se kanë qenë "pjata e preferuar" e Fazlliç, ndërsa "Slobodna Bosnia" shkruan se, "sipas disa burimeve ai është një ndër njerëzit më të korruptuar me më shumë lidhje dhe nga më intrigantët në Ballkan". Kjo gazetë thekson dhe aktin se Damir Fazlliç ka një lidhje të trashëguar miqësie familjare me Jovica Stanisiç. "Fazlliç kishte "rekomandime të mira" nga Stanisiç si pasojë e miqësisë së hershme mes Stanisiç dhe së ëmës së Fazlliç, Jovanka", - shkruan "Slobodna Bosnia", e cila edhe njëherë nxjerr në pah lidhjet e fuqishme të Damir Fazlliç me klanin e Millosheviçit, duke qenë se Stanisiç ishte numri 2 i pushtetit të kohës së Millosheviçit. Marre nga gazetatema.net

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›