E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pushteti vendor, jo taksa më të larta se 10 për qind

Qeveria "Berisha" detyron pushtetin lokal që të mos e rrisë nivelin e taksave për biznesin e vogël më shumë se sa 10 për qind. Një gjë e tillë është vulosur dje nga Këshilli i Ministrave përmes një akti normativ, i cili hyn në fuqi menjëherë.

Një veprim i tillë është konsideruar si shkelje e ligjit të decentralizimit dhe ndërhyrje në autonominë e pushtetit vendor, i cili ka të drejtë të vetëvendosë për sistemin e taksave dhe tarifave lokale. Reagime të menjëhershme kanë ardhur për këtë çështje si nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe nga ata të Partisë Socialiste.

Vetë Kryeministri Sali Berisha ka tentuar që ta justifikojë një ndërhyrje të tillë me faktin se ky vendim nuk duhet të konsiderohet si karshillëk, duke pasur parasysh këtu debatet e zgjatura me Bashkinë e Tiranës.

"Po ndodh absurdi, tha Berisha dje në mbledhjen e qeverisë, duke shtuar se, është katërfishuar taksa e gjelbërimit, e pastrimit. Është rritur në mënyrë të pakonceptueshme absurditeti i tatimit". Sipas Berishës, pushteti vendor për taksat dhe tarifat nuk do të ketë më të drejtë që t‘i vendosë më shumë se 10 për qind. Ai ka urdhëruar që organi tatimor qendror të shqyrtojë çdo ankesë të biznesit të vogël.

Në nenin 33 të ligjit të ndryshuar, përmes këtij akti normativ thuhet se: "Këshilli bashkiak ose komunal, kur e gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të komunitetit në territorin brenda juridiksionit të saj. Masa e taksave me karakter të përkohshëm, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të kalojë kufirin plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të këtij biznesi".

Në arsyetimin qeveritar që i bëhet këtij akti normativ theksohet se "ky ndryshim nuk duhet kuptuar si një ndërhyrje e organeve qendrore në kompetencat e organeve vendore, por vetëm si një masë me karakter mbrojtës dhe parandalues, në mbështetje të biznesit të vogël, në rrethanat e sotme, kur pothuajse në të gjitha shtetet po aplikohen politika fiskale, në ndihmë të biznesit".

Gjithashtu, aty vihet në dukje se ky ndryshim parashikohet të jetë i ndjeshëm për ato bashki dhe komuna, të cilat përgjithësisht në politikat e tyre kanë aplikuar një rritje deri në 30 për qind të taksës bazë. Këto bashki apo komuna do të kenë nevojë të rishikojnë programet buxhetore, të miratuara tashmë, për të reflektuar ndryshimin e bërë nga Këshilli i Ministrave.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës ka reaguar duke kërkuar që "Kryeministri të mos bëjë skeçe bajate me celular, se tryeza e qeverisë nuk është skena e Estradës së Tiranës, por t‘u heqë bizneseve tatimin e ri mbi fitimin, pasi në qoftë se me kontributin për gjelbërimin, biznesmenët e kryeqytetit po blejnë pemët që mbillen përditë dhe që të gjithë qytetarët shohin dhe i prekin, me taksat që u rrit qeveria po bëhen spote gënjeshtrash dhe mitingje shpifjesh". Numri dy i bashkisë më të madhe në vend i ka sugjeruar Sali Berishës "të sillet si Kryeministri i një vendi që ka hyrë në krizë ekonomike dhe jo si një aktor skeçesh pa asnjë lezet, në këtë kohë të vështirë kur shqiptarët kanë nevojë për shpresë dhe lidership të vërtetë".

Partia Socialiste

Qeveria shkeli premtimin, taksat i ka rritur

Deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi, e ka cilësuar situatën e rëndë të biznesit të vogël si "pasojë e politikave të gabuara fiskale dhe efekteve të krizës ekonomike, që qeveria bën sikur nuk e sheh". Ai ka kujtuar premtimet elektorale të Berishës në 2005 për përgjysmimin e taksës së biznesit të vogël nga 3 për qind në 1.5 për qind të xhiros, ku ata do të përfitonin nga 120 dollarë në vit. Idrizi analizon se vetëm dy vjet më pas, kjo qeveri u vendosi me ligj, në kuadrin e taksës së sheshtë, një tatim të ri, tatimin mbi të ardhurat, në nivelin e 10 përqindëshit, duke e rritur në këtë mënyrë barrën fiskale të biznesit të vogël me 300 për qind, i barabartë ky me tatim fitimin e biznesit të madh dhe VIP. Ai shton edhe mbajtjen e dokumentacionit ku ekonomisti përkatës kushton minimumi 200 USD në vit. Deputeti i PS i shton këtyre shpenzimeve të biznesit edhe udhëzimet e qeverisë që u cakton atyre pagën referuese, numrin e punëtorëve dhe kur ata janë të vetëpunësuar, duke i taksuar rishtas për sigurimet shoqërore dhe tatimit mbi pagat, një taksë tjetër kjo e rritur nga qeveria nga 1 për qind në 10 për qind. "I kërkojmë qeverisë, që në këtë periudhë krize, të heqë për biznesin e vogël, por jo vetëm për të, të gjithë barrën fiskale antiligjore të vendosur nëpërmjet sistemit të referencave, të heqë praktikat antiligjore, që u cakton bizneseve pagat, çmimet e shitjes dhe blerjes, numrin e të punësuarve, rentabilitetin etj. Qeveria t‘i kthehet parimit themelor të administrimit fiskal të vetëdeklarimit, duke i kthyer tatimet nga gjoba në kontribut për shoqërinë", tha Idrizi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›