E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qendra e djathtë është lokomotiva e reformave në Shqipëri

Nisi sot punimet Konferenca e Partisë Demokratike për degën e Tiranës


Konferenca e Partisë Demokratike, dega Tiranë, nisi punimet sot në mesditë në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e Kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe drejtuesve të tjerë të lartë të kësaj partie. Kryetari aktual i degës së PD-së të Tiranës, Sokol Olldashi, në fjalën e tij e cilësoi këtë moment "një ngjarje të rëndësishme politike jo vetëm për PD-në, por për gjithë vendin. 2005-2009 është periudha më intensive në jetën politike të kryeqytetit. Dega e Tiranës ka dhënë një kontribut të qenësishëm në realizimin e premtimeve tona elektorale të vitit 2005, duke vënë në dispozicion të qeverisjes së Shqipërisë burimet njerëzore", tha Olldashi. Prej disa muajsh, tha ai, "ne kemi hyrë në procesin e riorganizimit statutor të degës dhe i gjithë ky proces dëshmon se PD mbetet në mënyrë të padiskutueshme një forcë e rëndësishme politike në vend. Janë 5 mijë qytetarë që gjatë procesit të ristrukturimit janë anëtarësuar në PD, ku 30 % janë zonja, ndërsa 2304 janë të rinj që i bashkohen PD së Tiranës". Olldashi tha se "i gjithë ky proces dëshmon vetëm një gjë: që ne do të fitojmë në Tiranë dhe kudo".


Berisha: Tirana është përcaktuese në zgjedhjet e këtij viti


Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike, deklaroi sot se "qendra e djathtë shqiptare është lokomotiva e vërtetë e reformave, integrimit, prosperitetit dhe demokracisë", ndaj dhe shprehu bindjen se fitorja e 28 Qershorit do të jetë një fitore e madhe historike, që do të vendosë Shqipërinë në horizonte dhe nivele të reja. Në hapje të punimeve të Konferencës

së PD-së për degën e Tiranës, ku do të zgjidhet edhe kreu i ri i PD-së për kryeqytetin, Kryeministri Berisha u shpreh se "me votën e saj 4 vite më parë, Tirana firmosi realizimin e projekteve të mëdha të qytetarëve të saj dhe mbarë kombit. Dua të përshëndes të gjithë ata që 4 vite më parë votuan për Shqipërinë e sigurtë, për Shqipërinë, ku qytetarët e saj të enden të lirë dhe të qetë në rrugët e vendit, për një Shqipëri tjetër të pa administruar nga Nehat Kulla dhe bandat e tjera", tha Kryeministri, duke theksuar se "sot Tirana është kryeqyteti i një vendi me tregues kriminaliteti qartësisht më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së". Vota që qytetarët e Tiranës i dhanë kësaj maxhorance 4 vite më parë, sipas Kryeministrit Berisha, "është vota që e shndërron Tiranën në një metropol europian, ashtu siç janë aspiratat e qytetarëve të saj. Tashmë Tirana është kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s, kryeqyteti i vendit që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe brenda një viti do të marrë të drejtën të lëvizë në mbarë Europën pa viza", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "Tirana është djepi i ëndrrave dhe projekteve europiane të shqiptarëve dhe i sheh sot ato më realitet se kurrë më parë". Tirana këto 4 vite, tha Kryeministri, "udhëhoqi vendin dhe kombin në reformat më të thella dhe transformuese në historinë e saj, të cilat bënë të mundur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve". Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "në 4 vite janë realizuar reforma të mëdha historike, të cilat vendosën Shqipërinë në një horizont të ri dhe lartësuan emrin e saj më tepër se asnjëherë më parë. Ne e shndërruam vendin në një kantier të vërtetë ndërtimi dhe e bëmë Shqipërinë me një infrastrukturë tërësisht të re", tha Kryeministri, duke u zotuar se "28 qershori do të shembë murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, murin e ndërtimeve pa leje dhe korrupsionit. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kjo qeveri ka 5-fishuar grantin për qytetarët e kryeqytetit dhe në këtë 5- fishim nuk përfshihen ndërtimet e mëdha, si nyja hyrëse e Kamzës, një nga më të bukurat që mund të ekzistojë dhe as rrethrrotullimi te sheshi Rilindja", u shpreh Kryeministri. Duke siguruar se "Qeveria është e vendosur t'i japë kryeqytetit infrastrukturën më moderne", Kryeministri i kërkoi Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të dorëzojë projektin e unazës së madhe të Tiranës, të cilën "kjo maxhorancë është e gatshme ta përfundojë brenda 1 viti. Ne do të zgjidhim në një kohë rekod problemet e trafikut të këtij qyteti dhe jemi të vendosur të nxisim biznesin dhe zhvillimin e tij në kryeqytetin e vendit. Kemi projekte për një seri parqesh industriale, që janë planifikuar në zonat për rreth Tiranës, ku do të punësohen shumë qytetarë", vijoi më tej Kryeministri Berisha. Sot, tha Kryeministri Berisha, "ne kemi startin e fuqishëm të fitores së ardhshme". "Nga kjo konferencë ne zotohemi se do ta bëjmë Tiranën në çdo qelizë të saj blu dhe fitimtare. Sot ne zotohemi se fitoren e 2005, do ta zgjerojmë në një masë të paimagjinueshme dhe se Tirana e 28 qershorit, për sa i përket votës, do të jetë Tirana e vitit '92", tha në përfundim Kryeministri Berisha.


Kandidati Bumçi: Dega e Tiranës e hapur për të gjitha grupet e interesit


Kandidati për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike, Tiranë, Aldo Bumçi, tha sot gjatë punimeve të Konferencës së saj, se "PD-ja e kryeqytetit do të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit". Duke e marrë fjalën në këtë Konferencë, kandidati Bumçi deklaroi se "gjatë katër viteve të qeverisjes së saj PD nuk u transformua nga pushteti, por ajo e përdori këtë pushtet për të ndryshuar jetën  e shqiptarëve". Sipas tij, "PD duhet të theksojë identitetin e saj politik, duke përfshirë në këtë proces çdo anëtar të thjeshtë". Ai vuri në dukje drejtimet për organizimin e degës së PD-së në kryeqytet, përmes nxitjes së debatit politik. "Ne na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, i cili të përfshijë çdo seksion të saj për t'i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit. Ajo, sidomos, duhet të lidhet me botën universitare, duke luftuar për nxitjen e liberalizmit politik, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vizionit politik", tha Bumçi. Konferenca e sotme e degës së Partisë Demokratike (PD) për Tiranën do të zgjedhë kryetarin e saj. Për këtë post konkurojnë tre kandidatura të paraqitura zyrtarisht, Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhi.


Kandidati Bojaxhi: PD e Tiranës një model qeverisje me intigritet ndryshe nga modeli klientelist i Edi Ramës


Kandidati për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike, Tiranë, Gjergj Bojaxhi, shprehu bindjen se "PD-ja e Tiranës do të ofrojë modelin konkret të qeverisjes së qytetit, i cili në ndryshim nga modeli klientelist Rama, do të bazohet në aftësitë drejtuese dhe në integritet të pacënueshëm". Gjatë punimeve të Konferencës së PD-së për degën e Tiranës, ku do të zgjidhet edhe kreu i ri i PD-së për kryeqytetin, zoti Bojaxhi u shpreh se "kryesia e PD-së së Tiranës duhet të jetë në vijën e parë të sulmit kundër lejeve të ndërtimit që kryebashkiaku Rama i jep në mënyrë jotransparente dhe klienteliste. Ne duhet të jemi në vijën e parë të mbrojtjes së parqeve, në të cilën do të luajnë fëmijët tanë si dhe në vijën e parë të mbrojtjes së ajrit, i cili ndotet përditë", tha zoti Bojaxhi. Sipas tij, "PD e Tiranës duhet të kryesojë prerjen e të gjitha lejeve të paligjshme të kryebashkiakut Rama". "Kam bindjen e plotë se 28 qershori do të jetë një ditë e madhe për PD-në dhe gjithë Shqipërinë, pasi do të konfirmohet mbështetja e shqiptarëve ndaj kësaj maxhorance", tha ai. Zoti Bojaxhi shprehu gjithashtu bindjen se "ekipi i ri udhëheqës i PD-së së Tiranës, në bashkëpunim me kryesinë e partisë, do të bëjë një punë efikase për të fituar shumicën e deputetëve në kryeqytet. Partia Demokratike do ta fitojë betejën elektorale të 28 Qershorit, tha zoti Bojaxhi, duke u shprehur optimist se "qyteti i Tiranës, pas dy vjetësh, do të kthejë një demokrat në krye të Bashkisë së Tiranës". Konferenca e sotme e degës së Partisë Demokratike (PD) për Tiranën do të zgjedhë kryetarin e saj. Për këtë post konkurojnë tre kandidatura të paraqitura zyrtarisht, Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhi.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›