Bino: Administrimi i mbetjeve urbane, po punohet për përafrimin në legjislacion dhe investime konkrete

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave po punon në dy drejtime kryesore, lidhur me administrimin e mbetjeve urbane. Zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino, tha se "ndërhyrjet për menaxhimin e mbetjeve urbane janë në dy drejtime kryesore; në drejtim të legjislacionit dhe të planeve strategjike të qeverisë shqiptare, ndërsa plani tjetër është investimi konkret". Sipas tij, nga pikëpamja e legjislacionit, nëpërmjet një projekti të fundit, MMPAU po rishikon ligjin e mbetjeve dhe po punohet për hartimin e ligjit të ri për administrimin e integruar të mbetjeve urbane. Nga pikëpamja e investimeve, qeveria shqiptare ka investuar rreth 15 milionë euro për ndërtimin e landfilleve dhe studime fizibiliteti në qytete të ndryshme të vendit.
Në ç’drejtime po punon MMPAU për mirëadministrimin e mbetjeve të ngurta urbane?
Ndërhyrjet janë në dy drejtime kryesore, në drejtim të legjislacionit dhe të planeve strategjike të qeverisë shqiptare dhe plani i tjetër i ndërhyrjeve është investimi konkrete. Nga pikëpamja e legjislacionit, nëpërmjet një projekti të huaj, ne po rishikojmë ligjin për administrimin e mbetjeve dhe po punojmë për hartimin e ligjit të ri "Për administrimin e integruar të mbetjeve urbane". Puna për hartimin e kësaj pjese të legjislacionit ka nisur, nëpërmjet këtij projekti të huaj, përfundimi i së cilës pritet të jetë në fund të vitit 2009-fillim 2010. Përveç kësaj, po në kuadër të këtij projekti, po punojmë dhe për hartimin e planit kombëtar për administrimin e mbetjeve urbane, i cili ka disa shtylla; e politikave, e nevojave që ka vendi dhe e drejtimeve konkrete në administrimin e mbetjeve, duke përcaktuar qartësisht se çfarë do të bëjë Shqipëria në qytete të ndryshme për të zgjidhur çështjen e administrimit të mbetjeve urbane.
Ku konsiston projektligji për të cilin po punoni?
Projekti shikon të gjithë kuadrin ligjor për menaxhimin e mbetjeve urbane, por kryesisht ai do të shikojë si shumë të rëndësishëm zinxhirin e trajtimit të mbetjeve urbane, që fillimisht është minimizimi i tyre, (pra duhet të çojmë sa më pak mbetje urbane), ripërdorimi i mbetjeve urbane, pasi ka të tilla që ne duhet t’i përdorim (në mënyrë që të çojmë sa më pak përsëri në landfille), riciklimi, që është pjesë e trajtimit të mbetjeve urbane, si dhe djegia për përftim energjie, që janë inceleratorët dhe në fund në landfille. Landfilli është faza e fundit e trajtimit të mbetjeve urbane, ose fundi i ciklit të administrimit të mbetjeve urbane. Ligji do të përqëndrohet në të gjitha hallkat e mësipërme. Kur flasim për riciklimin, ripërdorimin, apo minimizimin, këtu duhet të fasim dhe për politika ekonomike, masa ekonomike që ofrojnë iniciativa, në mënyrë që të tërheqim biznesin në minimizimin, ripërdorimin dhe riciklimin. Ligji do të mbulojë dhe këta sektorë, nëpërmjet një pune me përfaqësimin e të gjithë grupeve të interesit, duke përfshirë këtu dhe pushtetin vendor, pushtetin qendror dhe kompanitë ricikluese, apo ripërdoruese.
Sa ka investuar konkretisht qeveria shqiptare për administrimin e mbetjeve dhe ku po ndërhyet?
Nga pikëpamja e investimeve, qeveria shqiptare po jep fonde për ndërtimin e landfilleve (vendmbulimeve), ku duhet përmendur ndërtimi i vendmbulimit të Bushatit, si dhe ai në Sharrë (Tiranë), investime që kanë nisur dhe faza e parë e tyre ka përfunduar, duke bërë të mundur tashmë administrimin e një pjese të mbetjeve urbane. Përveç këtyre, në total niveli i investimeve në fushën e administrimit të mbetjeve urbane nga ana e qeverisë shqiptare për studime fizibiliteti dhe ndërtime landfilleve shkon në rreth 15 milionë euro. Janë landfillet në Bushat, Tiranë dhe Sarandë, si dhe studime fizibiliteti dhe zbatim në më shumë se 9 qytete të ndryshme për zgjedhjen e çështjes së menaxhimit të mbetjeve urbane. Kjo duhet konsideruar si një ndihmë që qeveria i jep pushtetit vendor, sepse në bazë të ligjit pushteti vendor është përgjegjësi për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane, që do të thotë grumbullimin në qytete, por dhe trajtimin në pika të liçencuara për këtë qëllim, që të plotësojnë kushtet sanitare dhe mjedisore.
Cili është roli i pushtetit vendor në këtë proces? A është ai bashkëpunues me pushtetin qendror në këtë çështje mjaft të mprehtë?
Pushteti vendor ka kapacitete të kufizuara për trajtimin e mbetjeve urbane. Përveç kësaj, kontratat që lidhen për administrimin e mbetjeve urbane vuajnë përgjithësisht nga transparenca, gjë që ka qenë shpesh herë shkak për bllokime të herëpashershme të aktivitetit. Kujtojmë këtu rastin e Tiranës në fillim të vitit 2008, kur situata ishte katastrofike. Përveç kësaj, kompanitë që marrin përsipër administrimin e mbetjeve urbane, apo që liçencohen për këtë proces, lënë shumë për të dëshiruar në mbulimin e territorit të qytetit dhe cilësinë e punës. Kjo do të thotë që Tirana pastrohet, mbetjet urbane mblidhen, apo rregullohen, përgjithësisht në qendër, ndërsa periferia lihet jashtë vëmendjes, por dhe cilësia e punës në territore të caktuara lë shumë për të dëshiruar, duke mos shkaktuar mbledhjen e mbeturinave urbane, sa herë që ato bëhen të dukshme. Përveç kësaj, pushteti vendor duhej të ishte dhe është përgjegjës për trajtimin e mbetjeve urbane, pikë të cilën përgjithësisht nuk e kryen. Ne kemi shumë qytete kryesore, ku trajtimi i mbetjeve urbane është veçse hedhje dhe djegie në natyrë, duke shkaktuar efekte shëndetësore të dëmshme, si çlirimi i substancave të cilat janë në orgjinë të sëmundjeve kancerogjene, sidomos për banorët që jetojnë pranë këtyre zonave.
Si paraqitet situata e administrimit të mbetjeve urbane në Tiranë ?
Situata paraqitet e njëjta, në mos e rënduar, sepse Tirana është një qytet në zhvillim dhe ekonomia është në zhvillim dhe produkti i mbetjeve urbane do të jetë akoma më i lartë. Pra, rritet sasia e mbetjeve urbane që ne si banorë të Tiranës nxjerrim çdo ditë dhe nëse nuk ka trajtimin e duhur të mbetjeve urbane, atëherë situata përgjithësisht është e përkeqësuar. Situata mbetet e njëjtë dhe në lumin Ishëm, në mos e përkeqësuar, duke marrë parasysh tashmë që këtu ka filluar të japë kontribut tregu i ri i gjësë së gjallë që kalon afër lumit të Tiranës dhe i hedh mbeturinat në këtë lumë. Kjo ka shkaktuar impakt të drejtpërdrejtë në sistemin e ujërave të lumit të Ishmit dhe në det ku derdhet ky lumë. Masat për përmirësimin e gjendjes janë përgjegjësi e bashkisë. Qeveria qendrore mund dhe ka bërë përpjekje për pastrimin e territorit, por përpjekjet e saj nuk do të kishin kuptim, nëse administrimi nga ana e bashkisë nuk do të jetë në nivelin e duhur.
...