Berisha: Qëndrim konsistent pozitiv për heqjen e vizave

Intervista e Berishës dhënë TVSH-së, pas takimit me presidentin e KE-së, Barroso: Brenda vitit 2010, shqiptarët lëvizin pa viza brenda zonës ‘Schengen’
Zoti kryeministër, çfarë diskutuat gjatë takimit me zotin Barroso? Unë mund të them që ishte një takim i shkëlqyer me një mik të shquar, të madh, të shqiptarëve, me të cilin diskutuam gjerësisht, për bashkëpunimin e ngushtë dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm që ekziston midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për ndihmën tejet të çmuar që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë gjatë 18 viteve, si partneri numër një , në të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE, në të gjitha projektet e mëdha që ka ndërmarrë në Shqipëri. Gjatë këtij takimi e njoha zotin Barroso me reformat e thella e të gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve, suksesin e ndjeshëm të këtyre reformave. Diskutuam për përgjigjet e pyetësorit që ne dorëzuam dje, te komisioneri Fyle, në një libër shumë voluminoz, si dhe për konceptin tonë të bazuar në performancën dhe meritën, në procesin e integrimit. Gjithashtu diskutuam edhe për situatën politike në vend, ku unë e sigurova Presidentin Barroso se ligjet dhe institucionet e vendit bëjnë plotësisht të mundur, si respektin e plotë të kushtetutës, ashtu edhe transparencën e plotë, të çdo lloj dokumenti të atij vendi. Në këtë kontekst, i shpreha zotit Barroso se dëshira e qeverisë është e plotë, që të operojë në përputhje me këto dy parime.
Zoti kryeministër a morët një garanci për një përshpejtim të procesit, nga Komisioni, për sa i përket heqjes së vizave? Unë mora garanci të plotë për qëndrimin pozitiv ndaj këtij procesi dhe vlerësimet janë qartësisht pozitive për të gjithë reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në këtë proces. Dje dhe sot ka pasur një qëndrim konsistent, pozitiv, të Komisionit ndaj vendimit të heqjes së vizave për shqiptarët, një vlerësim të madh të arritjeve dhe natyrisht është në proces e sipër, sepse do të kalojë nga Komisioni, në Këshillin e Ministrave, nga Këshilli i Ministrave në Parlament, pra ka procedurën e vet, por të gjitha këto procese janë një rrjedhje shumë normale.
Zoti kryeministër, pavarësisht thirrjeve të Brukselit për sa i përket qëndrimeve të opozitës, sërish opozita nuk do të shkojë në parlament, ka vendosur të bojkotojë. A ju shqetëson kjo situatë e krijuar dhe ky mosreagim? Ajo që dua të theksoj është se procesi i integrimit kërkon që të gjitha forcat politike të dëshmojnë me vepra dhe jo me fjalë përkushtimin e tyre, ndaj këtij projekti madhor të të gjithë shqiptarëve. Uroj dhe shpresoj që opozita të bashkëngjitet dhe të luajë rolin e saj shumë të rëndësishëm në këtë proces, së bashku me mazhorancën. Kjo është thirrja ime.
Deklaron Kryeministri Berisha, pas takimeve të rëndësishme në Bruksel
Brenda vitit 2010, shqiptarët lëvizin pa viza brenda zonës ‘Schengen’
Brenda vitit 2010, shqiptarët do të lëvizin pa viza në Europë. Garancinë e ka dhënë dje Kryeministri Sali Berisha, në emisionin “Opinion” të gazetari Blendi Fevziu. Duke rikonfirmuar sigurinë për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisë, Berisha u shpreh se, “viti 2010 do të jetë vendimtar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”. Midis të tjerave, në emisionin “Opinion” Kryeministri Sali Berisha u ndal edhe në vonesat e Shqipërisë, në liberalizimin e vizave dhe integrimin në Europë. Duke vlerësuar rrugën e mirë, që ndiqte Shqipëria deri ën vitin 1996, Berisha saktësoi se ecuria e mirë, u ndërpre nga përmbysja e pushtetit me dhunë në vitin 1997 dhe zgjedhjet e mëvonshme, të cilat, sipas Berishës, nuk certifikoheshin si të lira e të ndershme. Për Berishën, zgjedhjet e lira e të ndershme të vitit 2009, të cilësuara si më të mirat në historinë e Shqipërisë, e kanë futur procesin integrimit të Shqipërisë në një ritëm tjetër, më të mirë, që është shprehur, jo vetëm me dorëzimin e kërkesës për vend kandidat, por edhe me pranimin e kësaj kërkese. Nga ana tjetër, dorëzimi ditët e fundit të pyetësorit të BE-së, është një tjetër tregues, i një besimi tjetër, më të mirë, që edhe ndërkombëtarët kanë tashmë për ecurinë e saj. Pjesë e bisedës në studion e improvizuar në Bruksel, ishin edhe marrëdhëniet mazhorancë-opozitë, ku Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti gatishmërinë për t’u ulur në tryezë me Edi Ramën, për gjetjen e zgjedhjeve, përfshi këtu edhe gjetjen e zgjidhjes për Sheshin “Skënderbej”.
...