Nuk kuptohet, PS kërkon Tango apo Tanga?
Populli është i kënaqur dyfish dhe mund të qeshë katërfish. Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri pati propozuar seriozisht para dy javësh ngritjen e teatrit kombëtar të Komedisë. Por dje ky propozim është parakaluar pa sinjal nga një strukturë paralele e sofistikuar socialiste në ngritjen e estradës kombëtare politike. Ndodhi që në hyrje të sallës së Parlamentit, deputetët socialistë u hodhën “në protesta masive, gjigante, ekstra-normale” në mbrojtje të Taulant Ballës, që është pezulluar për 15 ditë për fyerje në Kuvend. Bile aq mirë kanë protestuar për shokun e tyre saqë kanë gjetur një palë “tanga” ose Maska të Zeza dhe i kanë vënë në gojë për të shprehur irritimin e tyre. Dolën përsëri Maskat në treg për të grabitur fjalën e lirë me sloganin edvinian “Të çlirojmë fjalën e lirë”. Një tingëllimë pak komuniste ky slogan. Gjithashtu në kuadër të Absurdistanit parashikohet
në ditët në vijim protesta opozitare me perçe të zeza, si në Iran. Natyrisht çdo formë proteste pranohet, dhe kësisoj në mungesë të bilbilave ose/dhe të zinxhirëve, protestohet me mjete rrethanore (pardon trekëndore) që mund të eksitojnë elektoratin me fantazi.
Mirëpo problemi është se Partia Socialiste përpara se të vendoste atë pecen e zezë në gojë, kishte akuzuar “qeverinë për mungesë serioziteti në realizimin e reformave, çka ka bërë që procesi i integrimit të vonohet”. Kurse 30 sekonda më pas del e bën estradë politike që as organizata bazë “ish-Mjaft” e Erion Velisë nuk ka arritur ta bëjë. Këtej, në takime me legatë të huaj, dje me komisionarë të BE flet për një tango politike, pra një bashkëpunim në transparencë, kurse sapo ata largohen, fillon politika e tangave të zeza në gojë. Po kështu ndodh kur gojëçorapët e opozitës fyejnë institucionin e parlamentit me çfarëdolloj akuzash, insinuatash e etiketimesh damkosëse.
Kuptohet vetiu se inkoherenca është ulur këmbëkryq në këtë parti që urdhërohet me sms nga jashtë vendit.
Sepse nëse nuk e keni marrë vesh, Edi Rama ndodhet në Paris me shërbim si Kryebashkiak, për t’u treguar francezëve artin, dhe po ta mendosh hollë, këtë e bën me fasadat e Tiranës që nuk ekzistojnë në realitet. Në art Ai nuk ka dështuar komplet, të paktën ia ka dalë mbanë të ngrejë teatrin e komedisë brenda një partie opozitare. Aty, në vend të humoristit të famshëm Behar Mera (alias shoku shuli), është përdorur Gramoz Ruçi; kurse humoristja Rita Lati është dubluar nga shoqja Arta Dade. Për opinione nuk është kërkuar Bashkim Hoxha, i cili është zëvendësuar nga gorani Namik Dokle.
Gjithsesi si për të çuar deri në fund planin e de-personalizimit të kampit të vet politik, duke i bërë sa më qesharake edhe me dëshirë ç’është më e keqja. Rasti i ish-ministrit të Sigurimit, Gramoz Ruçi, një njeri që “eliminoi” fjalën e lirë me 2 prill të 1992, në ditën kur mbeti i vrarë Arben Broci.
Një pyetje serioze kam: Si shpjegohet që sa herë Shqipëria ngjit shkallët në integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike (nënshkrim i MSA, Hyrja në NATO, Liberalizimi i vizave dhe dorëzimi i pyetësorit në BE), opozita gjendet në protesta? Një pyetje normale për një opozitë anormale.