E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ky është momenti i shqiptarëve dhe jo i paranojakëve

Më 14 prill Kryeministri Berisha i dorëzoi Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, një radiografi të hollësishme të vendit tonë, që do të jete baza në formimin e një opinioni pozitiv të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Dje kryeministri Berisha i dorëzoi Komisionerit, atë që ai vetë e quajti libri më i madh i historisë moderne të Shqipërisë së bukur, 3854 faqe me përgjigjet e 2284 pyetjeve. Dje ne prezantuam kontributin 3 mujor intensiv të 1200 punonjësve të administratës shqiptare, ekspertëve të huaj e vendas, 67 përkthyesve, në një tablo realiste të situatës së sotme në Shqipëri. Ne që plotësuam atë pyetësor, as mund ta zbukuronim dhe as mund të fshihnim të vërtetat e këtij zhvillimi. Ajo për të cilën ne jemi krenarë, nuk është vetëm puna jonë voluminoze dhe cilësore, por dhe fakti që kemi pasur kënaqësinë të japim përgjigje që vizatojnë një Shqipëri në ndryshim të vazhdueshëm pozitiv, një shoqëri që mbështet 96 për qind integrimin në Evropë, si destinacionin ku e meritojmë të jemi. Natyrisht ka disa pyetje të cilat përveç saktësisë së përgjigjes tonë, duan realitetin në terren të politikës shqiptare. Sado mirë të jemi përgjigjur ne, nuk mund të gënjejmë dot për të zbukuruar situatën, pasi nuk mund të themi se opozita sot është opozitë konstruktive, që punon e kontribuon bashkë me ne për të afruar sa me shpejt ditën e bashkimit tonë të plotë në Bashkimin Europian. Ne jemi ndjerë ngushtë që nuk sqaronim dot pakuptimësinë e qëndrimit politik opozitar, në ditët kur roli i saj duhet të kishte qenë bashkudhëtar me misionin tone. Arsyeja nuk qëndron as tek ne, as tek opozita, por tek lideri i opozitës, tek njeriu që tenton të mbajë peng procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE, tek njeriu që bojkoton me sebepin e kutisë së tij, mbi zgjedhjet, tek njeriu që i përgjigjet me bojkot çdo përpjekjeje të qeverisë për zgjidhje të situatës. Nuk mund të them që Pyetësori është vetëm kontributi ynë. është 20 vjet histori dhe në 20 vjet kanë gjurmën e tyre të gjithë, politikanë, ekspertë, të cilët mund të mos jenë më sot në atë pozicion. Madje nuk janë as në partinë e tyre. Dhe kur në këtë sallë edhe herë tjetër, ju kam ftuar të njihni këtë kontribut e të uroni kontributorët, e kam bërë sepse thjesht besoj që e meritojnë. Por ju nuk morët asnjë ditë guximin të bëni këtë, në këto 3 muaj dhe ky është dallimi i dukshëm mes nesh e jush sot. Ne ua njohim mundin edhe të tjerëve, ju fatkeqësisht nuk thoni dot as një fjalë as për mundin tuaj në vite. Dhe jo sepse nuk e kuptoni apo nuk doni ta bëni këtë, por se arroganca e boshit nihilist të gjatë ju ka ngrirë ndjenjën kryesore, që do t’ua bënte të mundur këtë, vetëvlerësimin. Ju s’vlerësoni dot ç‘keni bërë në këtë proces se keni frikë se një fjalë urimi i tingëllon arrogantit bosh si tradhti ndaj tij dhe flirtim me Berishën. Edhe ju e dini sesa keq është kur frika të mposht vetëvlerësimin. Ju e dini se kur dikush të rrok në krizën e tij, po s’pate vetëvlerësim, rrezikon të përfundosh si ai, të hallaktatesh keq. Unë uroj që asnjë nga ju politikanë, ministra, ish shoqëri civile, ish punonjës administrate të mos harroni se në këtë histori 20 vjeçare, ju keni kontributin tuaj dhe kaq duhet t’ju mjaftojë të mos quheni numra në rreshtin e drejtuar prej arrogantit bosh, të gjatë. Nëse juve po ju mban peng urimin, nervin profesional e politik, të jeni të sigurt që s’ka shans ta bëjë këtë me ne, në këtë proces të integrimit evropian. Të jeni të sigurt që s’do të mbajë dot peng shqiptarët në rrugën drejt Evropës, megjithëse nga njëra ngjaje në tjetrën, kjo s’është e para pengesë që vë. Nëse në fund të këtij procesi do të ketë një pengmarrje të madhe, do të jetë vetëm kryetari i Partisë Socialiste dhe ky do të jetë peng i Edvin Ramës. Personaliteti i tij në krizë do ta mbajë peng pa shpëtim kryetarin e Partisë Socialiste. Dhe s’ ka si të ndodhë ndryshe. Sepse në çdo ngjarje të madhe të këtij vendi që nga koha kur në politikën e majtë timonier u bë Edvin Rama, ka pasur krizë. 4 muaj tam tame e bilbila në parlament që të mos nënshkruhej MSA-ja në 2006, por i doli turpshëm huq. Mbi 4 muaj debat për certifikatat në 2007, sepse Edvini nuk e lejonte kryetarin e bashkisë t’i vlerësonte ngjarjet politikisht por i nxirrte bojën vendit të tij për dokumente zyrtare të lëshuara nga ai vetë, vetëm sepse kishte frike nga ato që prodhonte po vetë. Po kështu në 2008-ën e në vijim të 2009-ës , me çmimin e votës për kartat e identitetit dinjitoze të qytetarëve shqiptare, më rëndë akoma frika e frymëzoi aq sa të propozonte e miratonte një kod e sistem të ri zgjedhor dhe të zgjidhte të drejtë vetoje për komisionerët, deputetët e vëzhguesit e tij dhe këto propozime I bënte jo sepse kërkonte standardet më të mira, por thjesht sepse mundohej të qetësonte frikën e tij se vetëm kështu nuk do t’ia hidhte dot njeri. E ç ndodhi? A ka ligj e rregull të shkruar a jo, që ta qetësojë frikën e paranojakut i cili shpik nga një kauzë të re çdo javë, vetëm sepse nuk i beson më asaj të një jave më parë? Ngado të shkojë, këdo të shajë, në fund të ditës prapë i kënaqur s’do të jetë, se nga vetja e kriza e tij, s’e shpëton dot askush. Sot në vend që të ishte në parlament, është në shi, bën thirrje për protesta të cilat po përfundojnë si ajo e turpshmja në Durrës e tkurrur në rrugica lagjesh dhe që pa dyshim nesër do të përfundojnë në qorrsokakë. Vetëm po të jesh paranojak mund të shpresosh se mund të bllokosh atë që sot presin të gjithë me padurim, liberalizimin e vizave, vendin denjësisht në BE. Por ky individi frikacak harron një gjë: ky është moment i shqiptarëve, jo i paranojakëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›